Monday, 19 July 2021

1800 kalori, jo më shumë


Unë nuk e kam pëlqyer kurrë parrullën e “çlirimtarëve” menjëherë pas luftës –“ 8 orë punë, 8 orë gjumë, 8 orë dëfrim”. Ishte një ndarje arbitrare e ditës së njeriut në tre pjesë të barabarta dhe i jepte përparësi punës ndaj gjumit dhe dëfrimit edhe pse orët i linte njëlloj. Më pas edhe Partia(komuniste) e kuptoi që ishte e gabuar, se pjesën e dëfrimit jo vetëm nuk mund t’ja u garantonte njerëzve, por nuk i nxirrte dot as në aksione dhe në punë vullnetare dhe nuk la asnjë orientim në këtë pikë.

Unë jam për një liri të plotë të të gjithëve, që të punojnë sa të duan, të flenë sa t’ju dalë gjumi dhe të dëfrejnë aq sa t’ju dëfrehet. Mjafton të kontrollojnë kaloritë, që të mos dëmtojnë shëndetin. Eshtë një si formulë e lirisë së kufizuar, të cilën mund ta quajmë “liri-kalori”, por është racionale, shkencore dhe lehtësisht e zbatueshme.

Një mashkull mesatar i një moshe mesatare me një zhvillim mendor më se mesatar nuk ka përse të marrë më shumë se 1800 kalori në ditë. (Kuptohet nëse do të mos trashet dhe të krijojë probleme të diabetit, tensionit të lartë arterial dhe deformimit të koskave.) Vetë nuk plotësoj vetëm kriterin e moshës mesatare e cila sillet diku rreth të 40-ve, por mund ta ndjek pa u shqetësuar jetesën tip ‘jo më shumë se 1800 kalori në ditë“. Po si mund t’ja arrijë në një ditë të mbajë këtë rregull një mashkull i zakonshëm në një vend të zakonshëm si Kanadaja, ose edhe në një vend të jashtëzakonshëm si Shqipëria?

Nëse marrim si rast tipik, Olsin në Shqipëri, 40 vjeçar dhe që punon si inspektor tatimesh është shumë e lehtë të bësh një llogaritje trashë trashë. Olsi fle 8 orë dhe harxhon 550 kalori në gjumë, punon kryesisht në zyrë dhe në kontrolle biznesesh(ku shkon me makinë) që do të thotë 650 kalori dhe rri në kafene ose shikon tv në shtëpi duke harxhuar dhe 600 kalori të tjera, që rezultojnë ekzaktësisht në 1800 kalori. Nëse do meditonte për 5-6 orë do harxhonte 150 kalori më pak, por Olsi nuk ka dëshirë të meditojë dhe kjo është e drejta e tij.

Le të vimë në kaloritë që merr Olsi gjatë një dite më se të zakonshme. Nuk ha mëngjes dhe pi një kafe në lokali pranë shtëpisë kështu që deri në orën 10 nuk merr asnjë kalori. E nis me një Heineken më 11.00 në lokalin ku kontrollon tatimet dhe deri më 14.00 ka ngrënë një drekë të bollshme dhe ka pirë edhe dy Heineken të tjerë. Të gjitha bashkë kanë kaluar 1850 kalori dhe çfarëdo që të futë në stomah inspektori i taksave Olsi do i kthehet në dhjamë kryesisht rreth barkut të tij që ka nisur të bëhet i rrumbullt. Në rastin më të mirë do hajë një pjatë kos në shtëpi, por mund të hajë edhe një picë jashtë me bashkëshorten e tij të dashur, ose të shtrohet me verë dhe pjatanca me mish në një lokal në periferi të qytetit me shokët e tij.

Me të drejtë mund të shtrohet pyetja se a mund të jetë e gjithë veprimtaria ditore vetëm punë, gjumë dhe e ngrënë? Po dëfrimi i Olsit? Po veprimtaritë fizike të tij?

Eshtë e vërtetë që në një ditë të zakonshme Olsi luan edhe një orë bilardo, por gjatë saj ai pi dhe një birrë tjetër, që ja balancon atë që harxhon ekstra. Kjo i ndodh edhe kur bën seks me të dashurën, se pas seksit ha edhe një “t’omël”, që ka më shumë kalori se sa ka djegur.

Ndaj është thuajse e pamundur për Olsin dhe Olsët në atdhe të mos venë bark nëse nuk stërviten të paktën dy orë në palestër ose të punojnë në ndërtim.  E para është e vështirë ndërsa e dyta është e pamundur. Të hajë më pak, të vrapojë dhe mos pijë alkol? Kjo do të thotë që të jetojë në një vend  të zakonshëm.

 

 

 

 

  

No comments:

Post a Comment