Sunday, 11 July 2021

Gjyshja ime Sofia


Unë nuk i kam njohur gjyshet e mija. Patën vdekur para se të lindesha. Ndërsa tiparet e nënës së babait i njoh mirë nga fotot e shumta, që kishin bërë në Stamboll, gjyshen time Sofia e kam ndërtuar në mendje nga tregimet e nënës time. Fotoja më sipër është e vetmja foto e saj që kam parë. Eshtë bërë në dimrin e vitit 1942 në Tetovë, ku kishte shkuar të ndihmonte tezen time, që ishte atje mësuese.

Eshtë e natyrshme që tek unë të ketë edhe cilësi të saj. Nuk di nëse këto janë më shumë fizike se të karakterit, por prania e saj ka qënë e përhershme. Ishte analfabete, por shumë e mençur; ishte e pashme dhe me flokë të bukura, por shaminë e kishte hequr shumë rrallë nga koka; nuk ishte e pasur, por “mund të priste edhe mbretërit”; ishte “shqiptarkë e flakët” se “vëllezërit i kishte me Fan Nolin”.

Kishte lindur në Treskë dhe kishte ardhur 20 vjeçare në Korçë për tu martuar për të dytën herë pasi i kishte vdekur burri nga tuberkulozi. E vjehrra e kishte detyruar të mbante shami të zezë dhe mos rrinte me kokën “karre”. Kështu ndenji gjithë jetën dhe si shumë gra të kohës së saj dukej më e moshuar se sa ishte në të vërtetë. Kur vdiq nuk kishte mbushur 60 vjet.

Sofia në greqisht do të thotë “urtësi” dhe me të vërtetë ishte një emër që e meritonte. Ishte aq e mençur, sa gjyshi im edhe pse 20 vjet më i madh se ajo e vlerësonte shumë për mendimet dhe i linte në dorë shpesh vendimmarrjen. Sofia tingëllon bukur në të gjitha gjuhët e botës ndaj dhe është emër shumë i përhapur, por në Treskë pëlqenin t’ja u shkurtonin emrin të gjithëve dhe e thërrisnin Coce. Kështu e thërisnin edhe të njohurit në Kor]ë gjyshen time të mënçur. Ishte aq e mënçur sa të mos tregonte bezdi edhe pse ndoshta do kishte pëlqyer t’i thërrisnin me emrin e plotë, të cilin i kishte vënë edhe bijës së vogël të saj, nënës time.

Mamaja e kujtonte gjithnjë, thujase çdo ditë, për gjithshka që lidhej me jetën e përditshme dhe sidomos për dëshirën për t’i parë fëmijët e shkolluar. I kishte mbetur peng që nuk kishte mundur të shkonte në shkollë dhe pengu i dytë, që nuk kishin ikur në Amerikë, ku kishte vëllezërit. Iku vetëtimthi duke zënë brumë në magje një mëngjes qershori dhe la pas shumë mirësi dhe urtësi, por mbi të gjitha shpirtin e sakrificës, që kishin gjithë gjyshet shqiptare të atij brezi. Ishte kujdesur për tetë nipër e mbesa por nuk mundi t’i shihte që mbaruan universitete, si për të realizuar pengun e saj.

Sofia Ceko (ky ishte emri i plotë kur lindi) jetoi në një kohë jo të mirë për gratë e gjithë botës, që ishte gjysma e parë e shekullit të XX-të. Thuajse kudo gratë nuk votonin ose sa ju ishin njohur të drejtat minimale të qytetarisë. Numuroheshin me gishta ato që shkolloheshin në shkolla të mira edhe në Amerikë, Francë dhe Angli. Ndoshta Coceja nuk kishte ëndrra të bëhej pjesëmarrëse në lëvizjen feministe, por kujt i përmendte epërsinë e djemve ja jepte përgjigjen: “Cupat nuk i ndrroj as me më të mirët e djemve në botë!” Nuk ja kam treguar këtë as vajzës sime, që si emër të pagëzimit ka emrin e saj – Sofia. Druhem t’ju tregoj se di vetëm ato që më janë thënë nga të tjerët rreth saj, që janë të shumta, të bukura e të mbushura me një mirësi, të cilën mund ta gjesh vetëm në anët tona.

 

No comments:

Post a Comment