Histeria e Kuvendit Kombëtar të PD-së, kur në sallë hyri Sali Berisha dëshmoi se Rama jo vetëm do qeverisë i qetë edhe për katër vjet të tjerë, por do vazhdojë zullumet e korrupsionit sëbashku me “Rivjedhësat” e tij. Opozita jo vetëm nuk do jetë në gjendje të ketë zërin e saj të fortë në Parlamentin shqiptar, por nuk ka për të pasur as mbështetjen e administratës amerikane. Një opozitë anemike, e diskretituar, e manipulueshme nga ai që e shkatërroi 24 vjet më parë pasi shkatërroi edhe Shqipërinë.
Jo vetëm brezi i jonë
dhe ai poshtë nesh, por edhe brezi i tretë, që nuk ka jetuar asnjë ditë nën
Diktaturë e vuan kompleksin e adhurimit të Liderit të përjetshëm.
Eshtë shumë i qartë edhe në forcën tjetër politike, atë që është
pasuesja e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës.
Ngjarja e djeshme më solli ndërmend një kategori politikanësh
të djathtë, të cilët me mendje i kam quajtur përgjegjësit kryesorë të zgjatjes
së pafund të tranzicionit në Shqipëri.
U vetëquajtën “Qënderstarët” e vitit 1997 dhe disa viteve më
tej. Ndonëse nuk i kujtoj të gjithë emrat ishin Azem Hajdari, Genc Pollo, Jozefina
Topalli, Sokol Olldashi, Astrit Topuzi, Jemin Gjana, Blerim Cela, dhe shumë të
tjerë, që në dallim nga të djathtët me njëfarë logjike, jo vetëm nuk e
kritikuan Berishën për katastrofën në të cilën e futi Shqipërinë në muajt e parë
të vitit 1997, por e mbështetën të mbetej në krye të PD-së përjetësisht. Shumë
prej tyre mbetën të pakënaqur prej tij më vonë dhe u larguan në një mënyrë apo
në tjetrën duke dëshmuar se nuk ishin aspak “qëndrestarë“, por një racë
karrieristësh, të cilët donin me çdo kusht të ishin sa më pranë kreut të PD-së
duke luftuar me njëri tjetrin.
PD-ja në vitin 1997 e humbi shansin të ndahej nga Berisha
dhe të krijohej si një forcë politike me tipare perëndimore, ku do funksiononte
demokracia e brendëshme, që do ishte mirëpritur nga shoqëria shqiptare dhe do
ndihmonte rritjen e kulturës demokratike në Shqipëri. Tani, edhe 30 vjet më pas
nga lëvizja antikomuniste në Shqipëri, demokracia shqiptare është jo në
gjendjen e saj foshnjore, por në atë të paralindjes. Klithmat pro-Berishës së përmbysur
më sollën ndërmend fshatarët e Korçës, që i sollën me kamiona në shkurt të
vitit 1991 për rivendosjen e bustit të
Enver Hoxhës në qendër të qytetit. Fshatarët e gënjyer thërrisnin “Kush s’e do Enverë sytë le të nxjerrë!” duke
i bërë karshillëk qytetarëve të Korçës, të cilët i shihnin me përçmim, se disa
ditë më parë kishin vrarë frikën duke rrëzuar statujën e Diktatorit.
Tani “kooperativistët e PD-së“ i bëjnë karshillëk Amerikës
duke klithur: “O Sali o hero Shqipëria ty
të do!”
No comments:
Post a Comment