Për mos kundërshtuar veten, duhet të them që në nisje atë që kam shprehur shumë herë më parë: ”Arkitektura në ndryshim nga artet e tjera është një fushë rreth të cilës mund të shprehet cilido dhe nuk duhet të jetë vetëm domen i specialistëve.”
Të kuptohemi, nuk dua të them se opinion i specialistëve është
i njëjtë me atë të dikujt, që nuk e njeh thellë artin e arkitekturës. Por(dhe këtu
por-i është i madh) edhe opinionet e specialistëve janë nga më ekstremet në
situatat të caktuara hapësinore dhe më shumë akoma në objekte të veçantë dhe në
mënyrën e trajtimit të tyre.
Për të mos u zgjatur me përsiatje të kota rreth arkitekturës
le të flasim rreth “konflikteve të mëdha”, që ka pasur rreth trajtimeve
urbanistike dhe arkitekturore në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë gjatë 30 vjetëve
të fundit dhe të rrjeshtimit absurd të specialistëve dhe jo specialistëve në
krahët e kampeve politike.
Betonizimi i qyteteve
Me të drejtë nga shumë vrojtues kryesisht jashtë sektorit të
ndërtimit është ngritur problem i “betonizimit të qyeteteve shqiptare, sidomos
i Tiranës”. Për shkak të interesave, reagimi i arkitektëve ka qënë ose i mekur,
ose me prapavijë politike. E them këtë të fundit, se të njëjtit arkitektë, që
kanë kritikuar Ramën në kohën kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, më vonë
kanë projektuar komplekse apartamentesh shumëkatëshe, që kanë cënuar sipërfaqet
e gjelbra të kryeqytetit.
Ka pasur një veçori Tirana, që e dallon nga “betonizimi” i
qyteteve të mëdha të vendeve të zhvilluara. Për shkak të ndërtimeve të shumta
të banesave kolektive në kohën e Diktaturës, (të cilat me të drejtë u
privatizuan nga banorët), me apartamente me sipërfaqe të kufizuara u kërkuan
nga banorët rritje të këtyre sipërfaqeve. Në rastet e para ishin vetë
arkitektët dhe inxhinierët që “kultivuan” këto ide. Komplekset e banesave të
ndërtuara në atë kohë ishin me pak hapësira publike dhe ndonjëherë edhe me
hapësira të pamjaftueshme për shërbimet. E megjithatë u projektuan dhe u
ndërtuan shtesa pas shtesash, të cilat gjymtuan edhe ato hapësira të kufizuara.
Shtesat dhe përshtatjet e tjera të këtyre ndërtimeve sollën edhe problem të mëdha
konstruktive, të cilat i zbuloi tërmeti i vitit 2019, por gjtë gjithë periudhës
së ndërtimit të tyre “bashkësia” e arkitektëve shqiptarë nuk u ndje.
Në “betonizimin” e qyteteve kanë luajtur rol nga
administratat vendore dhe qëndrore, komisionet e kthimit të pronave, trafikantët
e drogës dhe ndërtuesit dhe deri tek zyrat më të rëndësishme të arkitekturës. Eshtë
e vështirë të ndash përgjegjësitë dhe nuk është as e dobishme për atë ç’ka
ndodhur deri më tani. Por diçka duhet të ndryshojë brenda “bashkësisë“ së
arkitektëve, të cilët kanë qënë “vrima e fundit e kavallit” në përpjekjet kundër
zaptimit të hapësirave publike dhe atyre të gjelbëruara. Diçka duhet bërë për
forcimin ligjor të institucionit të Shoqatës së Arkitektëve, e cila duhet t’ju
ngjajë homologeve të saj në vendet e zhvilluara. Kjo kërkon ndryshime në
legjislacionin shqiptar, por nëse nuk kërkohet me ngulm dhe nëse legjislacioni
nuk hartohet nga vetë Shoqata, askush nuk ka për tu kujtuar që t’ju japë më
shumë fuqi ligjore arkitektëve. Në gjërat e para që duhet të ketë në dorë
Shoqata duhet të jetë e drejta për t’ju dhënë dhe hequr liçencat profesionale
arkitektëve.
* * *
(vijon)
No comments:
Post a Comment