(vijim)
Duke hequr periudhën 40 vjeçare të Diktaturës, kur mungonin
edhe liria e projektimit dhe begatia e qytetit dhe si rrjedhim arkitektura do
ishte e zbehtë, e thjeshtëzuar dhe anakronike, pas fundit të viteve ’80 filluan
të ndërtohen banesa individuale me projekte më të kohës edhe pse mund të kishte
një përzjerje stilesh dhe prirjesh. Ishte e kuptueshme një “çoroditje” e tillë
në atë fazë të tranzicionit, kur po hynin materiale të reja dhe kishte shumë më
pak kufizime në projektim. Por në vend të lejohej që dukuria e raporteve të
arkitekturës së traditës me atë modern të evoluonte natyrshëm, pas vitit 1997 u
vendosën kufizime të panevojshme në pjesën e qytetetit të ndërtuar para Luftës
së Dytë. Pa hyrë në hollësi nëse motivet ishin të paqta apo të turbullta, unë i
qëndroj mendimit, që duke përjashtuar monumentet e veçanta ose komplekset
arkitekturore të një rëndësie të veçantë historike, nuk ka pse të ketë rregulla
të ngurta për të gjithë pjesët e qytetit. Mjaft që proceset e dhënieve të
lejave të jenë transparente për publikun dhe kushdo të ketë mundësi të kundërshtojë
kur shkelen hapur disa nocione bazë. Për shembull edhe në një kompleks të
formuar mirë si shëtitorja “Republika” nuk është e thënë që të gjitha ndërtimet
e reja apo shtesat e objekteve të jenë domosdoshmërisht me elementë të neoklasiçizmit
apo me rrethimet karakteristike me gurë dhe kangjella. Edhe ndërtime nga më bashkëkohoret
mund të qëndrojnë shumë mirë krahas ekzistueseve mjaft të ndiqet një “bon sens”
arkitekturor, të cilin zakonisht e kanë arkitektët e mirë.
Kufizimet e shumta venë burokratin mbi investitorin dhe më
shumë akoma mbi profesionistin. Mund të thuhet se edhe nëpunësit që kontrollojnë
dhe vendosin për projektet janë profesionistë, por në asnjë vend në botë nuk
ndodh që më të mirët e arkitektëve të punojnë në Bashki apo në Institute
Studimi. Ajka e profesionistëve është në sektorin privat. Por në Korçë si kudo
në Shqipëri edhe për probleme me të cilat duhet të merren profesionistët merren
Kryetari i Bashkisë dhe ndonjë bashkëpunëtor i ngushtë i tij. Dhe e gjitha bëhet
për të përqëndruar kompetenca, pushtet dhe mundësi për të shfrytëzuar këtë
pushtet politikisht apo ekonomikisht.
Korça ka shumë të ngjarë të mos zgjerohet më. Mund të ketë
komplekse të reja vilash në kodrat e qytetit, si kanë filluar të ndërtohen në
zonën e Belvederes, ose dhe në pjesë të tjera të pëlqyeshme si zona e Shetros,
por për shkak të rënies së vazhdueshme të popullsisë, pjesa më e madhe e ndërtimeve
do vazhdojnë të bëhen në pjesët e vjetra të qytetit. Ato do vazhdojnë të mbeten
më të lakmuarat për vila, apo banesa kolektive me dimensione mesatare. Por të
detyrohen nga administrata projektet t’ju shëmbëllejnë projekteve si ky në foto
do të thotë që një shekull më vonë të ndërtojmë me të njëjtën logjikë projektuese.
Kjo e mban qytetin të mbërthyer në vizion të tejkaluar, i cili edhe për kohën e
tij ka qënë i prapambetur. Një shoqëri do reflektojë në ndërtimet e saj nivelin
kulturor dhe filozofinë që ka për jetën. Kësaj nuk i shpëton dot asnjë qytet në
botë. Por nëse nuk mund të jemi në një nivel me shoqëritë skandinave, nuk do të
thotë se duhet të imponojmë shijet dhe filozofinë e pjesës më të prapambetur të
shoqërisë sonë sikundër ndodh tani në Korçë. Shembuj të mirë ka në shumë zona të
Shqipërisë, atje ku ka një përkrahje të studiove më kompetente arkitekturore.
Janë ata që duhen ndjekur dhe jo konceptet e gjymta të Peleshit, Filos apo të
Dollanit të IKMT-së.
Kohë më të begata po vijnë, por Liria në projektim duhet të
ndjekë Begatinë
No comments:
Post a Comment