Shteti amerikan është një makinë stërmadhe e çuditshme dhe që nuk ngjan me asnjë shtet tjetër në botë. Makinë jo e përsosur, por shumë e fuqishme dhe njëkohësisht e vështirë për tu manovruar. Me “dhëmbë“ shumë të fuqishëm për vendet e tjera dhe sidomos ato kundërshtare, por me një liri të pazakontë për vendasit. Eshtë tejet e vështirë për tu kuptuar nga ata , të cilët jetojnë brenda Shteteve të Bashkuara dhe jo më për ata, që jetojnë jashtë saj. Disa vite më parë, filozofi francez Henry Bernard Levy, në një intervistë theksonte faktin se në Francë janë të pakët ata që dinë se ç’është në të vërtetë Amerika.
Edhe pse një vend demokratik dhe me ndarje të qarta të pushteteve, roli i Presidentit, si drejtues i kësaj makine stërmadhe është shumë shumë i rëndësishëm. Aq të mëdha janë fuqitë e tij jo vetëm ekzekutive, por edhe ligjëvënëse, sa brenda një mandati të vetëm 4 vjeçar me grupin e tij ai mund të ndryshojë së tepërmi Amerikën dhe njëkohësisht edhe globin. 4 vitet që shkuan me drejtuesin Trump, Shtetet e Bashkuara thuajse u kthyen në një shoqëri dhe shtet të ndryshëm nga ai që njihte bota deri në atë kohë.
“Cmenduria” e Trump nuk mund të futet në kornizat e një “çmendurie” të zakonshme. Karakteristika kryesore e saj ishte paparashikueshmëria e veprimeve, veprimi në kundërshtim me vlerat tradicionale të demokracisë amerikane, drejtimi i makinës shtetërore si një biznes dhe vënia e “egos” në qendër të thuajse çdo veprimi politik. Në planin ndërkombëtar Trump jo vetëm inkurajoi udhëheqës diktatorë si Kim Xhong Un i Koresë apo Princi Bin Salman i Arabisë Saudite, por tregonte edhe një lloj zilie që nuk kishte pushtet të pakufizuar si ata. Dhe kjo ndikonte dukshëm edhe në “drejtimin” e Shtëpisë së Bardhë apo sip o e quajmë në këtë shënim “makina e shtetit amerikan”. Nisur nga përzgjedhja fillestare e bashkëpunëtorëve dhe më tej në shkarkimet dhe zëvendësimet e shpeshta, Trump e faktorizoi disa herë çmendurinë në drejtim. Si asnjë president tjetër i kohëve modern Trump gjatë katër viteve ndrroi pesë shefa të kabinetit të tij, katër këshilltarë të Sigurisë Kombëtare dhe tre sekretarë të Mbrojtjes. Këtu nuk përfshihen dhjetra poste të tjera më të ulta. Ndër të paktit këshilltarë, që nuk lëvizën për katër vjet ishin vetëm Ivanka dhe dhëndri Kushner.
Unë kam pasur gjithnjë rezerva për aftësitë personale të Xho Bajden, sidomos në këtë moshë të shtyrë, por Bajden po tregon se “makina” mund të drejtohet mirë vetëm nëse zgjedh ndihmësa të mirë dhe i le të bëjnë punën e tyre ashtu sikundër dinë. Shtëpia e Bardhë tashmë është si në një “autopilot” dhe Presidenti mund t’ja futë gjumit. Kuptohet që jo çdo gjë mund të shkojë vaj dhe politikat do jenë të ngjashme me ato të presidencave të Klintonit dhe Obamës, që favorizuan korporatat e mëdha, por mbajtën nën kontroll ekstremet e djathta dhe nuk shkatërruan komplet programet sociale të shtetit amerikan.
“Shoferi i çmendur” ende nuk është larguar nga skena politike dhe gëzon shumë popullaritet në ata që mbështetin tradicionalisht të djathtën. Zgjedhjet e ndërmjetme të vitit të ardhshëm do përcaktojnë më qartë nëse ekziston rreziku i kthimit të Trump në pushtet në vitin 2024. Por rrezik më i madh do jetë dalja e një politikani të ri republikan, që do të përdorë të njëjtin populizëm të “The Donald”, por me nuanca më të lehta dhe më shpresëngjallëse për ekstremin e djajthtë, që duket më i tulatur pas asaj që ndodhi më 6 janar të këtij viti. Një “Trumpist” në moshë të re mund të përmbysë “normalitetin” e administratës së Gjumashit Xho.
No comments:
Post a Comment