Tuesday, 20 July 2021

Rreth kufizimeve në arkitekturën e qytetit të Korçës


Arkitekturën e qyteteve e krijon Liria dhe Begatia.

Ndoshta po them diçka që nuk do shumë mend, ose e kanë thënë edhe qindra para meje, por po e nënvizoj, për të shtjelluar më poshtë disa mendime rreth arkitekturës së qytetit tim dhe se si mund të përmirësohet duke ndjekur gjithnjë hapin e kohës.

Ka një prirje në rrethe të caktuara qoftë projektuesish, qoftë restauratorësh dhe më shumë akoma politikanësh, për të përcaktuar një lloj “profili arkitekturor” dhe urbanistik, të cilin duhet ta ruajë qyteti. Nuk dyshoj se në shumicën e rasteve qëllimet janë të mira, por mund të gabohet edhe kur qëllimi është i mirë. Kuptohet, që gabohet më shumë kur qëllimet janë të errëta.

Historia e vënies në mbrojtje të zonave të caktuara të qytetit është jo shumë e hershme. Ka filluar rreth fillimit të viteve ’70 dhe ka qënë një ide e mirë, pavarësisht nga gabimet e bëra nga centralizimi i institucionit të mbrojtje-restaurimit. Pra ka rreth 50 vjet përvojë në këtë drejtim dhe jo vetëm që nuk ka pasur koncepte të përcaktuara mirë (si çdo gjë e re), por sidomos në 30 vjetët e fundit, për të është kaluar nga një ekstrem në tjetrin, sipas koniukturave politike dhe njerëzve, të cilët janë marrë më shumë me këtë sektor të ndërtimit.

Korça ka patur historikisht disa periudha lulëzimi në ndërtimet, ndër të cilat ka dalluar periudha e viteve ’20 të shekullit të kaluar. Janë ndërtimet e asaj periudhe, të cilat i kanë dhënë tiparet kryesore arkitekturore, për të cilat vlerësohet sot nga vendasit dhe të huajt.

Por rregullat e ndërtimit në atë periudhë nuk kanë qënë të ngurta, por shumë liberale. Ka pasur 4-5 kushtëzime urbanistike dhe njerëzit ndërtonin si ju pëlqente dhe si ju dukej më bukur. U krijua një shije e përbashkët dhe rastësisht u ndërtuan “ansamble arkitekturore” pa pasur një dorë të caktuar, apo të projektoheshin nga të njëjtit arkitektë. Madje as nuk kishte arkitektë të projektonin banesat në Korçë, sepse shumica e projekteve bëheshin nga “kallfët”. Të vetmet projekte, që mbanin firmat e arkitektëve dh e inxhinierëve ishin disa hotele, kinema “Majestiku”, të projektuara të gjitha jashtë vendit. Lartësitë e godinave, materialet e përdorura i përcaktonte “teknologjia” ekzistuese e ndërtimit dhe as Bashkia dhe as ndonjë institucion tjetër.

Në të njëjtën kohë me gjithë ndërtimet, të cilat futen sot në një lloj “neoklasiçizmi” (që nuk është përcaktim plotësisht e saktë)u ndërtuan edhe banesa e Tashkove e stilit bizantino-rumun, ajo e Kol Rrodhes me elementë të arkitekturës austro-gjermane dhe nisi të ndërtohej banesa-klinikë e Polenkës, që ishte një përzjerje eklektike stilesh ndërtimore. Në rast se nuk do kishte liri ndërtimi, por kufizimet administrative të sotme, ato dhe plot ndërtime të tjera të Korçës nuk do ishin realizuar dhe qyteti do t’i kishin munguar shumë objekte me vlera. 

Edhe pa ditur me saktësi se ç’farë kufizimesh ndërtimore ka në zonat muze dhe ato të mbrojtura të qytetit, sipas bisedave që kam bërë duke qënë larg, në shumë lagje janë përcaktuar numuri i kateve që mund të ketë një ndërtesë, hapësira ndërtimore që do kapet në varësi të dimensioneve të parcelës dhe deri në trajtimi i jashtëm i detajeve arkitekturore dhe dimensionet maksimale të gjërësisë së dritareve. Kushtëzime urbanistike dhe arkitekturore ka në gjithë qytetet e Mesdheut, por çështja qëndron nëse duhet imponuar një logjikë e caktuar arkitekturore dhe a i bën kjo mirë qytetit apo jo.

(vijon)

No comments:

Post a Comment