Monday, 12 July 2021

A po e sharron Rama vetë degën e pemës ku ka hipur?


Rama ka ndërtuar pushtetin e tij mbi një “pemë“ me rrënjët dhe trungun në Partinë e Punës, me strukturën korruptive të huazuar nga Nano, por më të sofistikuar, të cilëne ka quajtur “Rilndja”. Pas fitimit të zgjedhjeve të këtij viti u duk se ai mund të ishte i qetë për katër vite të tjera mbi degën e “Rilindjes” dhe të gëzonte të mirat që sjell pushteti i pakufizuar. Me eufori kjo u manifestua edhe në Kongresin e PS-së të mbajtur në qershor në Stadiumin Kombëtar.

Ka shumë njerëz në Shqipëri, të cilët nuk kuptojnë se si ka arritur të mbetet për 12 vjet në majë të pushtetit një politikan aq i korruptuar sa Rama. Spjegimet janë nga më të ndryshmet, prej vjedhjes së votave, komploteve të Sorros-it, korruptimi i europianëve dhe ç’turli lloj idesh që pjellin mendjet tona komplotiste ballkanike të deformuara gjatë Diktaturës, kur çdo gjë bëhej nga një grup rreth Enverit.

Rama ka arritur të “verë në zap” partinë me elektoratin më të madh në Shqipëri dhe është treguar i gatshëm ndaj amerikanëve se do bëjë çdo reformë që i kërkohet.

Por gatishmëria ndaj amerikanëve, sidomos ajo e lidhur me Reformën në Drejtësi, që ka qënë fokusi i amerikanëve tash e pesë vjet është një thikë me dy presa. Rama ka qënë po aq i prirur sa Berisha dhe Meta për të mos ecur Reforma në drejtësi, por ndryshe nga ata ai nuk e pengoi hapur dhe me veprime. Shpresa e tij ishte se mund të shtinte në dorë në mos plotësisht, por të paktën pjesërisht institucionet e ngritura për luftën ndaj korrupsionit dhe të bënte me to goditje të përzgjedhura.

Por shishja nga dalin djajtë edhe nëse nuk është plotësisht e hapur nuk është as hermetike. Ndaj pasi mori lajmin e keq të shpalljes “non grata” të Berishës, tani objekti i goditjes së Drejtësisë nuk mbetet tjetër veçse “dega e Rilindjes” ku ka hipur Rama. Publikisht ai përsëri po përpiqet ta përshkruajë si fitore të PS-së, por në të vërtetë e ndjen se laku po i ngushtohet bashkëpunëtorëve të tij deri sa të afrohet tek ai vetë. Një gjë e ka të sigurt se amerikanët kanë durim dhe arrijnë atje ku duan.

Edhe pse pas katër vitesh, kur ambasadori amerikan i asaj kohe Donald Lu kërkonte kapjen e “peshqve të mëdhenj”, kjo nuk ka ndodhur akoma, arrestimet e javës së kaluar tregojnë se “premiera” e korrikut do përsëritet në gusht dhe në vjeshtë. “Rilindasit e Ramës” do shkojnë një nga një para drejtësisë dhe edhe nëse nuk do dënohen të gjithë, ka për tu konfirmuar se e gjithë lëvizja ishte kapja e pushtetit nga një grup hajdutësh me një grykësi të paparë.

Rama po mendon gjatë për lëvizjen e rradhës, por nuk ka për të shkëlqyer se edhe si shahist është më poshtë se mediokër. Tani ka prerë padashje një pjesë të degës ku ka hipur.

 

No comments:

Post a Comment