Bota e VIP-ave të Korçës ishte shumë më e vogël, por sërish e largët për mua. Si në çdo provincë në botë ata njiheshin më mirë për të kaluarën, të tashmen dhe bëmat e tyre por dukej se nuk ju bëhej shumë vonë se ç’dinin plebejtë. Kryetari i Bashkisë pritej të mos fitonte në zgjedhjet e atij viti, jo për mungesë të përkrahjes së votuesve, por se një biznesmen i afërt me të i kishte hedhur një gotë me konjak syve në mes të një kafeneje të njohur. Konjaku kishte qënë me 4 yje. Kryetarin e bashkisë nuk e kisha njohur ndonjëherë.
Ndër më të rëndësishmit që takova disa herë ishin një
drejtor banke i pamartuar dhe me fantazi seksuale të paplotësuara dhe shefi i
Dhomës së Tregëtisë, një institucion të cilit nuk ja kam kuptuar ndonjëherë rëndësinë,
por që diçka duhet të jetë, se shefi më vonë pati një karrierë marramendëse. Në
Korçën e atij dimri (2003-04) VIP-at më të mëdhenj ishin konsulli grek dhe
shpura e tij greko-shqiptare, që kishte në dorë vizat dhe bashkë me to burime të
mëdha financiare. Greqia dukej që ishte në kulmin e lavdisë së saj, se
përgatitej për lojrat olimpike dhe shenjat e krizës nuk i dallonte dot kush dhe
aq më pak emigrantët e shkretë shqiptarë, që provonin të blinin një vizë në
mjediset rreth ambasadës greke në Tiranë dhe të konsullatave në Gjirokastër dhe
Korçë.
Mendoja atë kohë se si ndryshon bota e VIP-ave në disa
dhjetvjeçarë. Në vitet ’80 personat më të rëndësishëm në Korçë ishin dy motrat
zarzavatshitëse në një shitore në qendër dhe përgjegjësi i agjensisë së
autobuzave; në vitet ’90 një shok klase i imi që falsifikonte pashaporta dhe
viza dhe shefi i SHIK-ut që më parë kishte qënë mësues; në vitet ’00 konsulli
grek dhe shpura e tij. Kishin shumë të drejtë shefi i Dhomës së Tregëtisë dhe
bankieri me dëshira seksuale të paplotësuara që kërkonin të ndryshonin Korçën.
!8 vjet më parë Korça ende nuk kishte arritur forcën
magnetike të tërheqjes së VIP-ave të Tiranës, që ka sot, por një pjesë e këtyre
të fundit, ata me vizion më të fuqishëm kishin nisur të ndërtonin në Dardhë. Ndaj
mund të hidheshe një vrap deri matanë Bigllës nëse doje të takoje “rastësisht”
piktorin-politikan që ishte Edi Rama me partneren e tij nga bota e
show-biznesit ndërsa ndërtonin folenë e tyre të freskllëkut, si dhe të tjerë
vizionarë të botës së politikës, biznesit dhe spektaklit. Po dhe vetë dardharët
me banim në Tiranë ishin fshatarët shqiptarë që kishin nxjerrë më shumë VIP-a
pas Kuçit dhe Burgajetit. Dhe të mendosh që klasifikohesh i treti në një vend që
ka 28 mijë fshatra (këtë 28 mijën gjithnjë e ngatërroj me se lidhet) nuk është
e pakët. Nuk di nëse kisha qënë i zhgënjyer nga bukuritë e Dardhës në fëmijëri,
pasi kisha ndërtuar në kokë një fshat përrallor bazuar në tregimet e një shokut
tim dardhar, ose ndikuar nga bejtja e Spiridon Ilos “Dardharë, dardharë/ Kini jetuar me ëndrra/ Kini gjezdisur nëpër vëndra/Me
porrdhë e me fëndra…”, por nuk u hodha asnjë vrap ku mund të takoja krejt rastësisht kryeministrin e
ardhshëm, a ndoshta zonjën B. e ta pyesja se kush ishte Dajën Vonfastenbërg.
Por VIP-at e Tiranës sepse nuk shoqëroheshin me VIP-at tanë
dhe kjo ndoshta kishte arsye të thella ekonomike, politike, sociale dhe
psikologjike. Ose ndoshta kishte ndikuar një raport i ambasadës hollandeze, në
të cilin thuhej se kur autoritetet e Korçës kishin vizituar Amsterdamin me ftesën
e qeverisë hollandeze, meshkujt VIP-a korçarë (kryetari i gjykatës,
kryeprokurori dhe gjithë të tjerët pa dallim) kishin kaluar pjesën më të madhe
të mbrëmjeve në “De Wallen” duke parë vitrinave hiret e profesionisteve të përdala.
Nëse kishte qënë i vërtetë, ky ishte skandali i dytë seksual më i madh në
rrethet VIP të Korçës, që prej vitit 1969, kur kishte ndodhur skandali i quajtur
“lista e Nina Nishankës”.
Duhet të them se bota VIP e qytetit tim të lindjes ishte më
e kapshme, më e shëndetshme, më me faqka të kuqe dhe nëse doje të ishe pjesë e
saj mund të shkoje një darkë vonë në diskotekën “Skena” dhe të takoje
industrialistët, koleksionistët, artistët, afaristët dhe juristët. Nuk kishte
veshje nga të Aleksandër Mekkuin apo “miell” hundëve, por atmosfera ishte e
gjallë, elitare, se ndjeheshe i privilegjuar që ishe mes të veçantëve, që nuk
flinin kur i gjithë qyteti ishte në një gjumë të thellë.
Në mëngjes herët gratë do shkonin të punonin në rrobaqepsitë
me fason, ndërsa burrat që nuk kishin ikur në Greqi do punonin në ndërtim.
No comments:
Post a Comment