Saturday, 17 July 2021

?


Para disa ditësh më kishte dërguar një email, një 18 vjeçar nga Shqipëria. Po e ve të plotë më poshtë pa përmendur emrin e plotë të tij.

“Përshëndetje!

Quhem … dhe jam në vitin e fundit në shkollën…Kam lexuar shumë herë blogun tuaj përsa i përket ngjarjeve në Shqipëri dhe më duken të drejta ato që shkruani. Unë nuk jam i shkëlqyer në mësime, por dua të studioj për juridik dhe të bëhem një qytetar shëmbullor. Shkoj rregullisht në palestër dhe kam një fizik të mirë dhe ëndërroj të kem marëdhënie shumë të afërta me vajza të bukura. Por shikoj se të gjitha ato më të bukurat kanë të dashur ata që kanë makina të shtrenjta ose kanë prindërit me biznese ose në pushtet. Nuk di përse do më vlejë në rininë time të jem shëmbullor? Kjo pyetje më shqetëson dhe nuk di ku të pyes se nuk gjej përgjigje.

Respekte,

Altin … 

U mendova gjatë dhe nuk ju përgjigja dot Altinit 18 vjeçar. Mu kujtua që diku kisha lexuar nga Trebeshina se “…më të bukurat u martuan me komisarët, me ata që nuk kishin luftuar shumë por dinin të merrnin poste” (ndoshta nuk e kam të saktë thënien e Kasëmit, por idea është ajo e mësipërmja.) Nuk doja t’i shkruaja “marrëzira morale”, të cilat jo vetëm nuk do i besonte, por do më dukej se do bëhesha si propagandistët terroristë, që ju premtojnë të rinjve të pashpresë arabë “shtatë virgjëreshat në xhenet”.

Asgjë nuk është më e rëndësishme për një 18 vjeçar se të dashurojë më të bukurën mes vajzave.

E dinë të gjithë ata që kanë qënë 18 vjeç. Eshtë më e fortë se dëshira për të ndryshuar botën; më e fortë se instikti për t’ju kundërvënë babait; më e fortë se ndjenja e frikës se për shkak të ngrohjes globale qytetet porte do zhduken shumë shpejt; më e fortë se tmerri nga vdekja.

Edhe nëse i rilexoj të gjitha shkrimet e mija të këtij blog-u nuk do mund të gjej as fije të zbehta të një përgjigje të mundshme për Altinin. Nëse për t’i dhënë zemër do shkruaja një tregim, ku një i ri që përballet me të jatin funksionar të korruptuar dhe kjo bën që shoqja e klasës (më e bukura) të bjerë në dashuri me të do dëshmoja se jam thuajse “një idiot i realizmit postsocialist”.

Ndaj po e mbaj pikpyetjen jo vetëm si titull, por edhe të ngulitur në kokën time.

No comments:

Post a Comment