“Po ngriu Adriatiku të gjithë me nalla kemi me ik në Itali” ishte një shprehje e nxjerrë në Shkodër diku nga vitet ’70, që qarkullonte nën zë, por që dëshmonte se sa të pakënaqur ishin njerëzit në kohën e Diktaturës së Hoxhës.
Adriatiku nuk ngriu, por në vitet ’90 shqiptarët e kaluan me
vaporë, anije peshkimi dhe me gomone duke rrezikuar jetët vetëm për tu larguar
nga vendi. Nuk dihet numuri i saktë i atyre që ikën edhe nga jeta vetëm për t’i
shpëtuar mizerjes dhe padrejtësive shoqërore.
Ka kaluar një brez, që nga vitet ’90 dhe disa breza nga koha
kur të gjithë ishin të pakënaqur me jetën e vendit. Por edhe sot gjysma e
shqiptarëve të anketuar do që të ikë nga Shqipëria! Dhe dihet që të moshuarit e
kanë më të vështirë ndaj kjo e bën që numuri i të rinjve, të cilët duan të
largohen, të jetë diku në 70%.
Një vend ku shumica e
të rinjve do gjejnë çdo mënyrë për tu larguar është një vend me të ardhme të
zymtë!
Varfëria dhe mungesa e punës janë faktorët kryesorë, por më i
rëndësishmi është humbja e shpresës se
mund të ketë përmirësim.
Ndaj edhe pse është e thjeshtë të tregosh me gisht Ramën dhe
Rilindjen për gjendjen e vendit, ata nuk janë të vetmit fajtorë. Të rinjtë nuk
shpresojnë tashmë tek askush nga brezi i “elitës” së vendit duke futur këtu
opozitën, sistemin e drejtësisë, pasunarët, akademikët. Dhe mbi të gjitha kanë
humbur besimin edhe në forcat e tyre, që është dëmi më i madh psikologjik që një
shoqëri mund t’i bëjë pjesës më produktive dhe më përparimtare të saj.
Ndaj edhe ai mjeku që merr para, edhe pedagogu që shet
provimet, edhe taksidari që fut në xhep ryshfetin, edhe ndërtuesi që paguan nën
dorë për të prishur lulishten, dhe që mendojnë se kështu po ju krijojnë mundësi
fëmijëve të tyre të blenë makina të reja dhe këpucë të shtrenjta, duhet ta
kuptojnë se po ju vrasin të ardhmen fëmijëve të tyre.
Kjo është miopia që e ka kthyer Shqipërinë në një tokë, ku të
rinjve ju djegin këmbët dhe duan të ikin sa më parë prej saj. Endrra e brezit të
fillimit të viteve ’90 (që është edhe brezi im) “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë
Europa!” u kthye në “aksionin” “ta bëj shtëpinë time me kushte europiane”, që
solli edhe korrupsionin stërmadh të brezit tim.
Tani ne që kemi të kaluar të 60-tat dhe kemi përgjegjësinë
tonë të madhe për këtë gjendje, mund të justifikohemi duke thënë se “edhe po
ngriu Adriatiku, 30% e të rinjve do mbeten në Atdhe!”
No comments:
Post a Comment