Saturday, 3 July 2021

A duhet të kthehen vitet e aktorëve me dosje në sqetull?


“Kultura,… për kulturën,… e kulturës,… o kulturë…” dëgjon shpesh kur diksutohet për teatrot në Shqipëri, sidomos kur bëhet fjalë për shkurtim fondesh, mbyllje të ndonjë teatri, apo për pakësim të aktorëve, të cilët paguhen nga paratë e taksapaguesve. Shpesh herë këto bëhen nga njerëz, që kujtojnë se pse kanë luajtur në disa pjesë teatrore apo në ndonjë film i përkasin Kulturës Kombëtare dhe ndërkombëtare edhe pse mund të jenë thellësisht të pakulturë. Kujtohen me ngazëllim vitet kur Shqipëria kishte shumë trupa profesioniste teatri me nga një “batalion” me aktorë, për të mos përmendur edhe dhjetra të tjerë, që përbënin “prapavijën”.

Ka pasur një arsye të vetme, që Diktatura e Hoxhës ngriti gjithë ato trupa teatri dhe nxiti edhe lëvizjet amatore të teatrit dhe estradës:

Trushpëlarja e rinisë, fëmijëve dhe gjithë shqiptarëve që nuk dinin se ç’ishte bota jashtë kufijve.

Edhe pse Partia e Punës mburrej edhe me të pabërat, çuditërisht nuk jepte shifra që na rendisnin të parët në botë për frymë dhe që ishin pikërisht numuri i trupave profesioniste të teatrit dhe estradës. Jo vetëm që linim pas vendet e zhvilluara perëndimore, por ja u kalonim me diferencë të madhe gjithë vendeve komuniste të Bllokut Lindor. Nuk bëhej fjalë për kulturë, por thjesht për një propagandë të pastër në dobi të Partisë dhe të Komandantit. Sidomos pas vitit 1973, kur thuajse u ndaluan tërësisht pjesët e huaja teatrale (me ndonjë përjashtim të vogël), të gjitha shfaqjet që viheshin në skenë ishin ose propagandë e hapur në favor të luftës së klasave, ose nxitje të një nacionalizmi me ngjyra komuniste. Numuri i dramave të ashtuquajtura të suksesshme si “Toka Jonë“, “Furrnalta”, “Maro Mokra”, “Dy krisma në Paris”, “Shpartallimi”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Mulliri i Kostë Bardhit”,“Djem të mbarë“ etj., apo i komedive “Zonja nga qyteti”, “Shoqja nga fshati”, “Luani i shtëpisë“ etj., të cilat mbartnin mesazhet e qarta të propagandës partiake ishte i madh. Për më tepër këto pjesë luheshin edhe nga qindra trupa amatore dhe shfaqeshin edhe në emisionin televiziv “Teatri në Ekran” duke bërë që batutat e tyre të ishin pjesë e bisedave të përditshme dhe e filozofisë së njerëzve.

Aq rëndësi i ishte kushtuar propagandës nëpërmjet teatrit dhe estradës që në vitet ’50 dhe ’60, sa u krijua edhe një shkollë e lartë 3 vjeçare, që përgatiste aktorë të dramës dhe humorit. Me përjashtime që nuk i kalojnë dy dyzinat, nga ajo shkollë dolën qindra aktorë të patalentuar, dobia e të cilëve ndaj shoqërisë shqiptare ishte të propagandonin duke thirrur Historinë e Partisë, e ilustruar kjo në pjesët teatrale dhe në skeçet dhe paroditë e estradave. Eshtë për tu shënuar se aktorët më të suksesshëm të teatrit dhe estradës shqiptare ishin dhe mbetën ata që nuk kishin mbaruar Institutin e Arteve duke filluar me Loro Kovaçin, Tinka Kurtin, Sandër Prosin, Naim Frashërin, Prokop Mimën, Pjetër Gjokën, Pandi Raidhin, Marie Logorecin, Skënder Sallakun, Tano Banushin, Zyliha Milotin dhe shumë të tjerë.

Në gjithë qytetet kryesore vërtiteshin një tufë “artistësh” me nga një dosje në sqetull, që kalonin paraditet dhe pasditet në kafenetë e qëndrës dhe që paguheshin më mirë se mjekët. Ishin aktorët e teatrit dhe estradave, që kishin në plan 4 premiera në vit dhe një pjesë e mirë prej tyre nuk kishin as role në këto premiera. Të rrallë ishin ata që blini libra ose ishin anëtarë të bibliotekave të qyteteve. Ende sot, nga që shfaqeshin nëpër ekranet e televizionit të vetëm shqiptar ose në ato të kinemave, përmenden si artistë të mëdhenj të dramës apo humorit aktorë mediokër, lista e të cilëve është shumë e gjatë.

Nëse kërkohet ende të përsëritet ajo kohë dhe të shtohen aktorët në trupat profesioniste, të cilat mbahen nga paratë e taksapaguesve, atëhere jo vetëm që do vazhdohet “të vidhen” qytetarët për një “kulturë të pakulturuar”, por do vazhdojnë të krijohen idhuj të pavlerë për adoleshentëtë. Janë të mjaftë modelet e “pseudoartistëve” të rijuar në televizionet shqiptare, nga të cilët të rinjtë nuk kanë asgjë ç’të mësojnë por duan t’ju përngjasin. Por të paktën televizionet janë biznese private dhe vetëm hapësirat valore përfitojnë nga pasuria kombëtare. Të mbash trupa profesioniste edhe në numurin e sotëm, do të thotë të ushqesh parazitizmin kulturor. Duhet vepruar si kudo në botë, ku subvencionohen vetëm trupat kombëtare dhe të tjerat ose funksionojnë privatisht sipas ligjeve të tregut, ose përfitojnë nga dhurime filantropësh.

Aktorët e brezit tim mbanin nën sqetull dosje plot kulturë, por më besoni që në to veç kulturë nuk kishte!

  

No comments:

Post a Comment