Sunday, 25 July 2021

“Farat” mbijnë në një shoqëri të kalbur


Në një shkrim të viteve më parë, me të qeshur(gjysma e të vërtetës), e kam përfshirë këngëtaren Eli Fara në tre korçarët më të klikuar në Facebook, krahas Niko Peleshit dhe Kastriot Myftarajt. Ndoshta vërtet pata hasur në një lajm të tillë, por më shumë më pat pëlqyer kombinimi i të treve, personazhe të ndryshëm nga fusha të ndryshme të veprimtarive jetësore.

Nëse Peleshi dhe Myftaraj me bëmat e tyre kanë vërtet një përbërës tepër qesharak, drenovarja Eli Fara ka një karrierë shumë të gjatë dhe të plotë në artin e të kënduarit. Përsa i përket jetës së saj personale as nuk ja njoh mirë dhe as nuk duhet t’ja njoh mirë unë dhe cilido nga shqiptarët, nëse ajo vetë nuk e dëshëron këtë.

Klikimet rreth emrit të saj janë shtuar çuditërisht ditët e fundit, kur në portale dhe në media është botuar një lajm rreth posteve të saj në dy ministritë e drejtuara dikur nga Fatmir Mehdiu, kryetari i Partisë Republikane.

Pa dashur të shkoklavit atë që nuk ka se ç’të shkoklavitet po them edhe një herë me bindje:

Shoqëria shqiptare është një shoqëri e kalbur.

Nuk jam i sigurt se kur ishte Fatmir Mehdiu për herën e fundit ministër, por ka të ngjarë që pas Gërdecit ai nuk pati më poste qeveritare. Bëhet fjalë për marsin e vitit 2008. Tani, pas mëse 13 vjetësh, shoqëria jonë, përfshi mediat dhe gjithë njerëzit që nuk lenë gjiriz pa futur hundët paskan zbuluar se Mehdiu jo vetëm ka pasur një marëdhënie jashtëmartesore me Elin, por i ka dhënë edhe poste me rëndësi në ministritë e tij dhe si rrjedhim edhe rrugë jashtë shtetit e privilegje të tjera?!

Nuk ka asnjë rëndësi nëse është i vërtetë apo jo ç’ka qarkullon këto ditë në media. As prishja apo jo e qetësisë shpirtërore të këngëtares Fara nuk ka ndonjë rëndësi, se asaj po i shtohen klikimet dhe si thuhet në Hollivud “ reklama për njerëzit e artit nuk është asnjëherë e keqe”.

Ministrat e martuara me të dashura (hapur në publik) kanë qënë dhe janë një dukuri e rëndomtë shqiptare. Të dashurat kanë qënë pjesë e korrupsionit, përfituese nga korrupsioni, motivuese për më shumë korrupsion. E tillë ka qënë dhe mbetet shoqëria jonë dhe nxjerrja e këtyre fakteve (apo thashethemeve) pas 13 vjetësh nuk ndryshon asnjë gjë, veç ve më shumë në dukje hipokrizinë tonë. Thua se ky ka qënë sekreti më i madh në Tiranën e 15 viteve më parë dhe tani po del në dritë falë ca hetimeve të mirëorganizuara!

Në pleh dhe në të tjera kalbësira “Farat” mbijnë dhe harlisen pa kufij.

 

No comments:

Post a Comment