Në fundin e verës të 18 viteve më parë arrita në kryeqytetin e atdheut tim. Nuk kisha qënë prej 6 vitesh dhe isha kureshtar të dija se si kishte ndryshuar. Në pamje të parë trafiku ishte “i çmendur”, por ndërtime kishte më shumë dhe Blloku kishte marrë më shumë gjallëri. Ishin hequr kioskat dhe superkioskat, ajo gangrenë e madhe e fillimit të viteve ’90. Një mik më foli me entusiazëm për Kryetarin e pazakontë të Bashkisë, që këndonte me një grup reper dhe po sillte gradualisht mrekullitë në Tiranë. Doja të hyja në Bashkinë e Tiranës për të parë vendin ku ndodhnin mrekullitë, por ishte thuajse e pamundur. Nuk më la shije të mirë, se isha mësuar në vendin ku jetoja, që çdo qytetar mund të hynte kur të donte në Bashkinë, të cilës i paguante taksat. Por ishte një mëkat i vogël për një vend ku gatuheshin gjithë të mirat e të ardhmes së kryeqytetit.
Tre kolegët e mij, të cilët ende nuk ishin shkëputur plotësisht
nga Kanadaja, por punonin në Shqipëri ndjeheshin entuziastë edhe pse përmendnin,
që kishte korrupsion në instancat ku miratoheshin lejet e ndërtimit. Por ishte
diçka me të cilën merreshin investitorët e ndërtimeve dhe ata si arkitektë nuk
kishte pse të “negocionin” as me Kryetarin e Bashkisë dhe as me nëpunësit poshtë
tij. Mjaftonte që projektet të ishin shumëngjyrëshe se Kryetari i mrekullive i pëlqente
larushankat. Këtë më përmendi edhe ish-nënkryetari i Bashkisë, me të cilin piva
një kafe të ndërmjetësuar nga një mik i imi.
Nuk hyra për 6 muaj në asnjë zyrë shtetërore dhe nuk e preka
dot vetë “murin” e nëpunësve, që një qytetar i zakonshëm mund ta kapërcente vetëm
duke paguar. Ato që dëgjoja rreth korrupsionit në polici, në sistemin juridik,
në administratën qëndrore dhe në Bashkitë ishin tregime të miqve të mij, të cilët
i besoja. Dëgjoja dhe histori të kryeminstrit që luante në kazinot e Europës
dhe merrte biznesmenë me vete që i paguanin harxhet. Por ishte një bum në ndërtime
dhe dukej se të paktën, ata miq të cilët ishin të lidhur me këtë sektor
ndjeheshin mirë dhe nuk ishin pesimistë.
U largova pas 6 muajsh me bindjen që gjërat nuk ishin mirë,
por nuk e mendoja se mund të shkonin edhe më keq, bile edhe shumë më keq. Edhe
pse në 18 vjet nuk kam shkuar më në kryeqytetin e vendit tim, nga sa më tregojnë
dhe arrij të kuptoj nga ato që pasqyrohen në mediat tradicionale dhe ato
sociale, duket se administrata dhe e gjithë shoqëria është “infektuar” thellë e
më thellë. Shifrat e korrupsionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë marramendëse;
në më shumë se 90% të rasteve tenderat e fondeve publike janë të paracaktuara
se kush do i fitojë; të rinjtë duan në masë të largohen nga vendi; emigrantët që
kthehen në Shqipëri për të jetuar janë gjithnjë e më të pakët.
Nuk e ve në dyshim se ndërtimet në Tiranë janë më cilësore, makinat më të shtrenjta dhe lokalet më luksoze. Nuk besoj të jetë në Tiranën e re qoftexhiu nga Kukësi me lokalin e tij që nxirrte gjithë tymin jashtë dhe që mburrej se bënte qoftet më të mira në gjithë Tiranën. Restorantet me siguri janë më luksoze, me meny më të sofistikuara dhe me shefa të ardhur nga gjithë Europa, por nuk është kjo që dua të shikoj. Kanë kaluar vetëm 18 vjet dhe nuk kam mall për një shoqëri, ku është shtuar luksi, por nuk mund të mbulojë plagët e mëdha që i janë gangrenizuar akoma më shumë.
No comments:
Post a Comment