(vijim)
Arkitektura me elementë të neoklasiçizmit në Korçë është më
larg arkitekturës modern, por edhe asaj bashkëkohore nëse e krahasojmë me
arkitekturën e quajtur arkitekturë popullore, ose më mirë të themi arkitektura
e shek XIX. Në të gjen më shumë lirshmëri në skema, më tepër asimetri, si dhe më
shumë “purizëm” në trajtimin e eksteriereve, që e bëjnë më të afërt me
arkitekturën modern të shekullit të XX-të në botë. Në të ka shembuj të përshtatjeve
shumë interesante me parcelën, me rrugën dhe me ndërtimet përreth. Nuk është e
rastit që ajo lloj arkitekture tërhiqte syrin edhe të piktorëve të njohur shqiptarë
të peisazhit si është rasti i Vangjush Mios. Në peisazhet e tij në Korçë nuk
gjen asnjëherë ndërtimet me elementë të neoklasiçizmit.
Por nuk është fjala që të detyrojmë ndjekjen e një tipi të
arkitekturës ekzistuese apo tjetrës. E gabuar është detyrimi. Eshtë absurditet
të detyrosh përdorimin e një tipi të caktuar çatie, apo që dritaret mos kenë gjërësi
më të madhe se 120 cm dhe të tjera kërkesa të ngjashme. Harmonia me ndërtimet
ekzistuese nuk është e vetmja mënyrë për të bërë arkitekturë të goditur. Eshtë
njëra nga mënyrat dheduhet thënë se është ajo më e thjeshta. Gjithashtu përmban
rrezikun e kalimit në një lloj uniformiteti, i cili e “vret” bukurinë e një
vendbanimi.
Ka disa arsye që vendosen kritere të tilla kufizuese. E para
dhe më e gabuara është që institucionet që janë të ngarkuara nga ligji për të
dhënë lejat e ndërtimit kanë prirjen që ta bëjnë sa më të vështirë dhënien e
lejes. Kjo ka të bëjë me dëshirën për të kontrolluar sa më shumë, për të pasur
sa më shumë pushtet dhe për të nxitur korrupsionin. Nuk ka asnjë arsye , që për
lagje të tëra të qytetit duhet të marrësh leje për të ndërtuar edhe tek IMKT
(dikur Instituti i Monumenteve). Kujtoj që mbi 15 vjet më parë më pyesnin nëse
mund të përdoren gurë të një tjetër lloj se ato të kalldrëmeve tradicionale.
Kishte një konfrontim mes institucionesh lokale dhe qëndrore për këtë çështje.
Ju spjegova që kalldrëmet e qytetit ishin ndërtuar në atë mënyrë se ajo ishte
më e thjeshta dhe gurët gjendeshin lehtë në shtratin e Lumit të Korçës dhe në
përrenj të tjerë, por nuk ishte as mënyra e vetme dhe as më e mira për të bërë
kalldrëm.
E përmenda këtë fakt për të thënë se nëse nuk bëhet fjalë
për monumente të caktuara ose ansamble të caktuara me vlerë veçanërisht të
shquar historike apo arkitekturore, këmbëngulja për të përdorur materiale të
caktuara ose teknika ndërtimi specifike, jo vetëm është i panevojshëm, por
është absurd.
Arkitektura e Korçës me elementë të neoklasicizmit u
zhvillua në një kohë, kur pati një pasurim të shpejtë të tregëtarëve korçarë,
si dhe kthimit të shumë kurbetlinjve nga Amerika, që donin të ndërtonin shtëpi
më të mira nga ato që kishin. Të dy këto shtresa kishin një karakteristikë të
përbashkët, që ishte mungesa e shkollimit dhe dëshira për të ndërtuar si të
pasurit në vendet e huaja. Kjo solli edhe planimetritë simetrike me hyrje
prezentuoze si të një pallati aristokratësh, me korridore të mëdha dhe dhoma në
të dy krahët, që të krahasuara me planimetritë e banesave individuale që
ndërtoheshin atë kohë në vendet e përparuara nuk ishin aspak racionale dhe
funksionale. Pjesa dërmuese e këtyre banesave i kishte nyjet sanitare jashtë
dhe ju mungonin sistemet e ngrohjes, por zakonisht ngroheshin me vatra ose me
pore. Në rastet e familjeve më të pasura kishte vatër në çdo dhomë. Të gjitha
ju janë nënshtruar rikonstruksioneve më vonë duke siguruar minimumin e
komoditetit që kërkohet në kohët moderne dhe që janë nyjet sanitare brenda shtëpisë,
uji i ngrohtë i vazhdueshëm dhe mundësisht ngrohja qendrore.
Në të njëjtën kohë në Europë ndërtohej Vila Savoja e Korbyziesë
dhe në Amerikë Vila mbi Kaskadë e Rajtit, për të përmendur vetëm dy kryevepra të
arkitekturës botërore të shekullit të XX-të. Nëse nuk ndryshojmë dot konceptin
arkitekturor të ndërtimeve midis dy luftrave botërore në Shqipëri dhe veçanërisht
në Korçë, kjo nuk do të thotë që atë lloj arkitekturore ta trajtojmë me superlativa
dhe njëkohësisht ta përdorim si model për parimet e projektimit në lagjet e
vjetra të qytetit.
(vijon)
No comments:
Post a Comment