Saturday, 24 July 2021

Kodra e Belvederes dhe “blloku i të pasurve”


Një lexues i rregullt i blog-ut më dërgoi dje një foto, ku tregohej ndërtimi i një blloku me vila në kodra e Belvederes në Korçë dhe më pyeste nëse mund të kategorizohet si “shkatërrim”.

Po I jap një përgjigje publike, pa pasur njohuri të plota rreth projektit dhe duke u përpjekur të rri larg emocioneve, të cilat lidhen edhe me fëmijërinë time, si të çdo korçari në brezin tim.

Më vjen keq që nuk e di se si quhej kodra para vitit 1964, kur nisi të ndërtohej Belvederja. Di vetëm që për fëmijët e qytetit ishte pylli më i afërt, ku shkonim plot kureshtje për të parë se ç’kishte pylli, për tu ngjitur majë kodrës dhe tarracave të Belvederes për të parë qytetin dhe fushën e Korçës, si dhe për të gjuajtur zogj me llastikë. Nuk duhet të le pa përmendur edhe gështenjat e buta që rriteshin në kodër, po ato sikur ruheshin me roje dhe nuk rrezikonim shumë për të mbledhur gështenja.

A duhet ndërtuar një bllok me vila tek kodra e Belvederes?

Përgjigja e menjëhershme është “Jo”, sepse në një qytet ku popullsia po tkurret nuk ka kuptim të preken sipërfaqet e gjelbëruara. Por nëse investitori ndërton me kujdes dhe njëkohësisht pas ndërtimit parashikon edhe një plan të mirë gjelbërimi të gjithë bllokut, nuk duhet të nxitohemi me përgjigjen “jo” apo më keq akoma të themi se është “shkatërrim i mushkërive të qytetit”.

Me sa di porositësi i projektit dhe njëkohësisht drejtuesi i tij është Zamir Mane, i njohur si njeriu më i pasur në Shqipëri. Projekti është hartuar nga zyra e arkitekturës që ai ka në pronësi dhe ka shumë të ngjarë, që pronarët e ardhshëm të vilave të jenë të tjerë pasunarë shqiptarë, të cilët i kanë borxhe Zamirit, ose ky ju ka borxhe dhe ja u kthen në vila 500 mijë euroshe. Për fat të mirë pasunarët duan të jetojnë në kushte të mira ndaj edhe blloku me vila nuk ka për t’i ngjarë bllokut mbi Shën Triadhë, i cili u ndërtua 25 vjet më parë.

Zamir Maneja ka qënë shumë i tërhequr për të investuar në Korçë edhe pse është lindur dhe rritur atje. Investimi i tij është një shenjë e mirë për të ardhmen ekonomike të qytetit. Nëse në gjithë këtë investim ka disa prapaskena, pjesëmarrje të kryeministrit Rama apo të tjera “allishverishe”, kjo është një çështje tjetër, por një ndërtim i tillë jo vetëm nuk është problematik si rasti i Kullës Vrojtuese, i Bibliotekës së Re apo ndonjë ndërtimi tjetër në Qendër, por nëse bëhet me mençuri dhe pa kursyer paratë mund t’i shtojë vlerat qytetit.

Le të presim e të shohim dhuratën që po i bën Korçës Zamiri i Bitijes!

(Dhe mos akuzoni kot Peleshin dhe Ligavecin Gollash, se ky projekt dhe njerëzit e përfshirë janë më të fuqishëm se ta.)

 

 

No comments:

Post a Comment