Ditë e martë (që një orë ters e ka) dhe mbi të gjitha 13(numuri më ters) pjestarë të udhëheqjes (lidershipit thuhet tashmë në anët tona) së Degës së Partisë duke përfshirë kryetarin dhe sekretarin kanë dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga funksionet e tyre.
Tersi është për PD-në, për Lulëzim Bashën, Sali Berishën dhe
ndoshta edhe për Korçën, por tashmë e bëra nuk zhbëhet. Dorëheqja është e
parevokueshme. Pashë emrat e firmëtarëve dhe njihja vetëm dy prej tyre, por meqë
kam 24 vjet i larguar nga Korça dhe njëkohësisht i brezit në prag pensioni është
e natyrshme që të mos i njoh.
Kryetarin e dorëhequr e kam takuar një herë, kur pija kafe
me Niko Peleshin dhe erdhi u ul me ne. Atë kohë, me sa kujtoj, ishte në Partia
Aleanca Demokratike ndërsa Peleshi e kishte bërë kalimin nga PD-ja në PS. Nuk
mund të më them se më la ndonjë përshtypje veç flokëve të mbajtura me kujdes me
xhel.
Korça si qytet ka qënë ndër të parët ku mbështetja për PD-në
ka qënë shumë e madhe e megjithë lëkundjet dhe problemet e mëdha që ka pasur
mes grupimeve fetare brenda PD-së, gjithnjë ka vazhduar të mbështesë PD-në
thuajse në mënyrë të barabartë me PS-në. Por varësia nga Tirana ka qënë gjithnjë
totale. Eshtë nga cilësitë ligjzbatuese të ne korçarëve; është nga që kanë qënë
të pakët burrat dhe gratë me integritet që të rezistonin presionet e SHQUP-it; është
se intelektualët dhe njerëzit me peshë janë larguar apo të gjitha së bashku këtë
duhet ta dinë ata që e kanë ndjekur PD-në në vite. Vetëm më bije në sy që asnjëri
nga firmëtarët nuk ka vendosur titullin shkencor apo akademik para emrit, gjë që
më bën të dyshoj nëse kanë të tillë.
Se si janë përzgjedhur para do kohësh anëtarët e kryesisë është
diçka që dihet në rrethet e PD-së dhe nuk mund të ve në dyshim aftësitë e tyre
apo njohjet me “të deleguarit” nga Tirana. Por është fakt i njohur, që qysh
prej vitit 1997 në degën e Korçës vendoste Ritka nga Rakicka (Ridvan Bode) dhe
pas vitit 2013 Genc Polloja, deri sa dhe ai e humbi ndikimin dhe PD-ja u kthye
në “klienteliste”. “Klientelizmin”, këtë dukuri të re dhe shumë të rëndë, nuk
mund ta durojë dot as Andrea Mano, as Devis Osmani dhe as 11 anëtarët e kryesisë,
që mbushin numurin ters të 13-tëve në këtë të martë me një orë ters dhe të
nxehtë afrikan.
No comments:
Post a Comment