Thursday, 29 July 2021

Tablo e vjetër, e zbehtë me VIP-a Tirane


Po afrohet gushti dhe nuk di pse më solli në mendje disa copëza takimesh të gushtit dhe shtatorit të vitit 2003 në Shqipëri. Ishin nga të pakta cikje që i kam bërë asaj që quhej asokohe (ndoshta edhe sot) bota e VIP-ave shqiptarë.

Në një zyrë, ku përpiqesha të kopjoja diçka nga kompjuteri i zyrës në mbiprehrsin tim, hyri një zonjë, që dukej se sa ishte ngritur nga gjumi dhe nuk I kishte kushtuar shumë kujdes “adeteve”, që bëjnë mëngjeseve zonjat dhe zonjushat e anëve tona. E shkujdesur, por e sigurt, zonja u ul menjëherë në kolltukun e madh pranë derës, ndërsa i zoti i zyrës me shumë dashamirësi u ngrit dhe ju afrua për ta përshëndetur. E pyeti se si e kishte kaluar natën dhe pa marrë përgjigje nga zonja mu kthye mua dhe me qortim më tha: “Po uroi mirmëngjesin zonjës B….!” I zënë me punë unë i thashë një “Mnjes…” të shpejtë dhe zonja B. më hodhi një vështrim të fjetur, ku nuk mund të kuptoja nëse ishte indiferencë, përbuzje, përçmim apo bezdi. Ndoshta të gjitha bashkë.

Nuk e vrava shumë mendjen për zonjën B. se kisha shumë gjëra për të bërë atë gusht në Shqipëri mes të cilave më kryesorja ishte hapja e një zyre arkitekture në Tiranë (studio quheshin atë kohë dhe ndoshta edhe tani se tingëllon më europiane, më artistike dhe më imponuese). Më ishte sugjeruar të merrja me qera një zyrë në katin përdhe të një ish-fabrike, ku kishte edhe shumë zyra të tjera avokatësh, biznesesh, noterësh dhe arkitektësh. Pronarin e kisha njohur pak në fëmijëri, por kisha edhe një propozim biznesi nga Torontoja, që ai ja kishte kërkuar një mikut dhe kolegut tim. Hyri jo pa droje në zyrën e pronarit, pasi kisha kaluar rojen dhe sekretaren. Zyra ishte çuditërisht e gjatë, si një sallë mbledhjesh dhe skrivania e punës së bashku me pronarin ishin në fund të sallës. Muret ishin të mbushura me piktura të zgjedhura me shije dhe deri sa të arrije të uleshe në ndenjësja përballë me skrivaninë mund të shihje me rradhë 6-7 syresh.

I spjegova se cili isha dhe qëllimin e vizitës, duke i kujtuar dhe diçka nga koha e largët e fëmijërisë, gjë që nuk i bëri asnjë përshtypje. Inxhinieri hijerëndë i suksesshëm në biznes dhe me lidhje të forta me partinë në pushtet më la të kuptoja se dy arsyet e vizitës sime ishin tepër të vogla për kohën që po më kushtonte. Nuk pa as CD-në me prezantimin në PowerPoint që kisha sjellë me vete nga Toronto. Më vonë mësova se ende nuk kishte mësuar të përdorte mirë kompjuterin.

Në të njëjtën ndërtesë ishte zyra e projektimit e një kolegu dhe pasi e vizitova më ftoi të pinim një kafe në barin, që ishte në të njëjtin korridor. Në tavolinën ngjitur me tonën, ishin ulur tre zonja mes të cilave dallova zonjën B. Të tjerat nuk i njihja, gjë që ishte më e mundshmja për dikë që kishte mbaruar universitetin në Tiranë 20 vite më parë dhe kishte qënë edhe 5-6 herë të tjera për punë në kryeqytet. Nga tavolina e zonjave dëgjoheshin emra kryeqytetesh europiane, disa përemra “ai” dhe “ajo”, si dhe emra të padëgjuar nga unë më parë si “Dajen Vonfastenbërg” dhe “Karl Lagërfelld”, për të cilët sepse mendova se do ishin përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri. Ndoshta sepse në bisedë kishte edhe terma politike dhe fjalitë ishin të këputura dhe me shumë “uau”. Zonja B. fliste më pak, por dukej që duhet të ishte më e rëndësishmja mes të trejave. Kuptova se nëse doja të merrja vesh ndonjë gjë nga ajo bisedë duhet të kërkoja ndihmën e një shokut tim të universitetit, të cilin ato kohë të rinisë e thërrisnim “portavoçe i Bllokut”.

Për fat të keq ose të mirë, unë nuk u ngjita më dot në botën e VIP-ave të Tiranës në muajt në vazhdim dhe nuk qëllova të takoja më as zonjën B. dhe as inxhinierin hijerëndë që nuk dinte të përdorte kompjuterin. Takova disa personalitete më pak të rëndësishëm si një tregëtar të brendshmesh grash, që vuante nga diabeti dhe kjo e bënte të nevrikosej shpejt, një shokun tim të kursit që nxitonte gjithnjë në disa takime shumë të rëndësishme dhe një piktor-politikan që nuk ishte Edi Rama.

Bota e “nebulave” të Tiranës mbeti për mua e largët, e pakapshme, e padeshifrueshme dhe fluide. Tamam si janë retë në Tiranë, që shfaqen krejt papritur, lëshojnë një birko rrebesh që të qull nga koka deri në këmbët dhe zhduken për tu rishfaqur sërish në të tjera forma.

Ishte dhe një vit që nuk mbaja më galloshe.

No comments:

Post a Comment