(vijim)
Rilindja Urbane
Termi “Rilindja Urbane” i shpikur nga kryeministri Rama është
një term propagandistik, i cili ka të bëjë pak me Urbanistikën dhe Arkitekturën
edhe pse lidhet me ristrukturimin e qendrave të qyteteve. Qytetet as lindin dhe
as rilindin me urdhër nga lart apo me angazhim të qeverisë. Edhe në raste shumë
të veçanta të krijimit të qyeteteve nga fillimi si rasti i Brazilias në Brazil,
apo Candigarit në Indi, jo vetëm investimet kanë qënë të mëdha dhe janë
angazhuar korifejtë e arkitekturës botërore, por dhe ato nuk kanë qënë arritje
të shkëlqyera të urbanistikës dhe arkitekturës.
Ashtu si gjallesat
edhe qytetet rriten dhe përmirësohen në mënyrë organike nga forcat jetësore
brenda tyre.
“Rilindja urbane” ishte e konceptuar keq dhe u realizua
akoma më keq, por përsëri debate rreth saj nuk hyri në hullitë profesionale. Në
vend që t’i jepte një shtytje ekonomisë së qyteteve nëpërmjet investimeve të
prodhimit, që do sillte edhe përmirësimin në ndërtime, Rama zgjodhi të ndërhynte
me fonde shtetërore në qendrat e qyteteve duke pretenduar se do përmirësohej
imazhi i tyre i lënë pasdore nga pushteti i demokratëve. Kryebashkiakët ishin
gjithashtu të kënaqur se mund të përdornin si donin fondet e taksapaguesve dhe
nën bekimin e Ramës i hodhën paratë për trotuare, lyerje fasadash dhe objekte
pa vlerë vetëm në qendrat e qyeteteve. Parimi aspak arkitekturor ishte “Të
ndryshojmë imazhin e qyeteteve për të huajt dhe vizitorët!”
Për t’ju hedhur hi syve të taksapaguesve ishte gjetur edhe
metoda “me ndërkombëtarë“ duke bërë projektet “rilindase” me arkitektë të huaj,
një pjesë e të cilëve pa reputacion të mirë. Një sërë dështimesh ndodhën në
Tiranë, Korçë, Shkodër dhe Durrës, por përsëri reagimi i arkitektëve vendas
ishte i përçarë dhe anemik. Jo vetëm që ndërhyrjet në qyetete po bëhshin jo cilësore,
por edhe vetë interesat e arkitektëve shqiptarë u prekën rëndë nga dhënia e
projekteve me fonde publike tek të huajt dhe përsëri zërat ishin të pakët dhe
pa peshë. Edhe në kohën e Diktaturës pat pasur rebelime të arkitektëve me emër,
ndërsa Rama me ndihmën e disa shërbëtorëve të tij i kishte dhe i ka nënshtruar
plotësisht.
Një miku im i mirë, para disa muajsh, kur e pyeta për një
arkitekt me emër në projektim dhe në rrethet akademike më tha: “Eshtë burrë i mirë.
Shikon punën e tij!”. Më erdhi keq për filozofinë e kolegëve të mij në Tiranë,
që “shikojnë punën e tyre!” Misioni i urbanistit dhe i arkitektit është të shohë
përreth, të ndikojë në përmirësimet ekonomike, në konceptimin e hapësirave, në
zhvillimin e qendrave të banuara dhe lidhjet mes tyre, në përparimin e shoqërisë
dhe sidomos në mbrojtjen e mjedisit. Nëse arkitekti zgjedh të shikojë punën e
tij, e përkthyer në “atë pjesë projektesh që i bije në hise” do të thotë se ka
vdekur shpirtërisht dhe profesionalisht edhe pse mund të projektojë mirë apo
edhe shumë mirë. Nëse shumë arkitektë kanë zgjedhur të qëndrojnë në “bisht të
shoqërisë“ dhe jo në ballin e saj, atëhere problemi rëndohet dhe këtë e vuajnë
qyetetet dhe shoqëria shqiptare.
E di që për të sugjeruar dhe për të dhënë këshilla është e
lehtë dhe është më e vështirë të luftosh, atëhere kur të rrezikohet mirëqënia,
por vrarja e ndërgjegjes kur sheh se ç’ndodh përreth është akoma më e rëndë.
Eshtë e rëndë kur sheh arkitektë të posadiplomuar, që nuk gjejnë dot punë ose
paguhen si punëtorët e fasoneve dhe mendon se nuk ke bërë asgjë për të ndaluar
shkollat e shumta të arkitekturës në Tiranë; është e rëndë kur sheh se në
kryeqytet ndërtohet një shumëkatësh me fytyrën e Skënderbeut në të dhe ti nuk ke
shkruar për ta parandaluar; është e rëndë kur mbetesh me orë të tëra në trafik
dhe nuk ke ngritur zërin se rrugët e qyteteve konceptohen keq; është e rëndë
kur ndodhin fatkeqsi natyrore dhe viktimat janë të shumtë në numur edhe për faj
të arkitektëve etj.
Për fat të keq kemi
zgjedhur që “luftrat” tona të na i bëjnë të tjerët!
No comments:
Post a Comment