(vijim)
Viti 1994 solli keqësim të marëdhënieve midis qeverisë greke
dhe asaj shqiptare. Propaganda e shfrenuar ndaj mbrojtjes së “Vorio-Epirit”,
ndaj të cilit qeveria greke mbyllte edhe sytë dhe veshët arriti kulmin me
hyrjen e një komandoje greke në territorin shqiptar, ku vrau dy ushtarakë
shqiptarë në atë që quhet masakra e Peshkëpisë. Berisha nga ana e tij u
përgjigj me arrestimin e disa përfaqësuesve të organizatës së minoritetit grek
“Omonia” dhe marëdhëniet u bënë të ndera, gjë që solli përkeqësimin e gjendjes
së emigrantëve shqiptarë në Greqi. Nisën operacionet famëkëqija “Fshesa”, ku
policia greke ndalonte shqiptarët, i arrestonte dhe pas disa ditësh i kthente
me autobuza në Shqipëri për t’I bërë presion qeverisë shqiptare. Sjelljet e
fëlliqura të policisë greke vetëm sa ndezën urrejtjen mes shqiptarëve dhe
grekëve se nuk sollën asnjë ndryshim tjetër. Shtuan të ardhurat e trafikantëve
të njerëzve në të dy anët e kufirit. Në Greqi kishte nevojë për krahë të lirë
pune dhe emigrantët sa ktheheshin në tokën shqiptare mendoni se si të hynin
prapë në tokën greke. Pati edhe një numur rastesh shumë të shëmtuara, ku
pronarët grekë në bujqësi ose ndërtim, për të mos paguar punëtorët shqiptarë
pas disa javësh punë, lajmëronin policinë që të aplikonte “fshesën”.
Në këtë atmosferë kam bërë vizitën e vetme jo si vizitor,
por pjesë e një grupi specialistësh nga Bashkia e Korçës për bashkëpunim me
Bashkinë e Kardhicës në Thesali. Kardhica ishte një qytet pak më i vogël se Korça,
në mes të fushës së Thesalisë, që të kujtonte qytetet e Myzeqesë sonë. Ndenjëm
atje gati një javë duke bërë vizita në pika të infrastrukturës së qytetit dhe
duke zhvilluar disa seminare të përbashkëta për njohjen më të mirë të
problemeve tonat dhe përvojat që grekët kishin kaluar. Ishin ditë mbresëlënëse
se na pritën shumë mirë dhe ishin të gatshëm për të na ndihmuar në të ardhmen,
për të përfituar nga programet ndërajonale të Bashkimit Europian. Të dukej se
ekzistonin dy Greqi, ose më mirë një vend që ndaj fqinjëve kishte dy fytyra të
ndryshme. Me dhjetra familjarë të emigrantëve kishin ardhur nga Shqipëria me
problem shëndetsore dhe ishin mjekuar në spitalet shtetërore greke. Ndaj në
vite u mundova të mbaja në mendje, që nuk duhej të nxitohesha në përfundimet e
mija ndaj popullit grek.
Pas humbjes së referendumit për ndryshimin e Kushtetutës,
Berisha i mbajti marëdheniet me Greqinë të tensionuara, të paktën në dukje. Se ç’ndodhte
në kanalet diplomatike dhe jodiplomatike me Greqinë dhe Turqinë, nuk pasqyrohej
në shtypin shqiptar. Turqia e asaj kohe kishte problem ekonomike dhe nuk
paraqiste agresivitetin për ekspansion ekonomik në Ballkan sikundër vepron tani
në dhjetvjeçarin e Erdoganit. E megjithatë grekët mundoheshin të vazhdonin
politikën e tyre tradicionale dritëshkurtër për marëdhënie të mira me të
ashtuquajturën Federatë Jugosllave (Sërbi dhe Mal i Zi) dhe marëdhënie të
këqija me gjithë fqinjët e tjerë ballkanikë. Por më dritshkurtër ishte politika
e Berishës ndaj Greqisë, një shtet brenda të cilit kishte të paktën 500 mijë
shqiptarë pa dokumenta dhe pa të drejta si emigrantë. Të ardhurat që hynin në
Shqipëri prej atyre që punonin në Greqi ishin me dhjetra million dollarë në
vit, një ndihmë shumë e madhe për ekonominë e dobët shqiptare. Por në vend të
përpiqej të rregullonte marëdhëniet, Berisha kishte vënë në veprim të plotë
ndaj minoritarëve si dhe emigrantëve, SHIK-un e Gazidedes, një njeri i njohur
për ndjenjat e forta proislamike dhe antikristiane.
Ndërkohë midis dy popujve, nën ndikimin e mediave, po
shtoheshin ndjenjat armiqësore. Në Greqi shqiptarët po portretizoheshin çdo
ditë e më shumë si njerëz të lidhur me krimin edhe pse statistikat tregonin se
shqiptarët në raport me popullsinë ishin më pak të përzjerë me krimin se
grekët, rusët , rumunët dhe të tjera etni. Përçmimi po pasqyrohej tashmë hapur
edhe mes brezave të fëmijëve, që më parë nuk ishin të prekur nga ksenofobia. Në
shumë raste shkollat refuzonin t’ju jepnin për të mbajtur flamurin në paradën e
festës greke fëmijëve shqiptarë edhe pse ishin të parët e shkollës. Klimë
mbytëse kishte edhe ndaj grekëve që përkrahnin me të drejtë shqiptarët.
Edhe pse vazhdova të shkoja në Athinë, ndjenja bezdi nga
bisedat me grekët dhe qëndrimi i tyre miop ndaj Shqipërisë dhe sidomos ndaj
emigrantëve shqiptarë. Mburreshin se kishin pranuar mijëra duke harruar se i
kishin pranuar për t’i paguar më pak, ju kishin lëshuar me qera qindra
apartamente në bodrume, të cilat më parë i kishin bosh dhe tani ju sillnin të
ardhura, rrisnin fëmijët e tyre të vegjël me gra shqiptare që kishin mbaruar
universitetet, bankat greke kishin miliona në likuidetete nga kursimet e
shqiptarëve dhe plot avantazhe të tjera.
Në vitin 1997 ndenja dy muaj në Athinë në pritje të vizave
kanadeze. Isha familjarizuar me qytetin dhe duke lënë pas një shtet të shkërmoqur
dhe një shoqëri të traumatizuar dhe në gjendje deliri, Athina më riktheu në jetën
normale. Javën e fundit brodha në disa qoshe të qytetit, ku ishin magazinat e
manaxhimit të Postës Greke për të kërkuar zarfin me viza të nisura nga Ambasada
Kanadeze në Beograd. Më habiti gatishmëria e punonjësve grekë për të më
ndihmuar. As në Shqipëri ndoshta nuk do kisha gjetur një ndihmë të atillë. Më 2
të mëngjesit na telefonuan nga njëra prej tyre dhe na thanë që zarfi kishte
ardhur dhe mund të shkonim ta merrnim menjëherë. Diçka e tillë mund të ndodhë
vetëm në Ballkan.
Arrita nga Athina në Toronto me mallin për Shqipërinë, por
edhe për Athinën, ku kisha të afërmit e mij dhe që më ishte kthyer si një
vendbanim i dytë. Prej tetorit 1997 dhe më vonë, marëdhëniet vazhduan të mos
ishin të mira dhe lexoja në lajmet, që në ndeshjet e futbollit midis ekipeve
kombëtare të dy vendeve hidheshin parrulla plot urrejtje. Qëllova në Korçë gjatë
kampionatit europian të futbollit të vitit 2004, kur Greqia fitoi dhe pashë që
askush nuk donte të fitonte ekipi grek. Diçka thellë ishte krisur në një dyzinë
vitesh midis popujve tanë.
Shpesh pyes veten se si do ishim sjellë ne me grekët nëse
pozitat do ishin të përmbysura. Do ishim të ndryshëm? Nuk gjej asnjë arsye ta
besoj këtë. Të dy palët kemi të njëjtën mendësi të prapambetur ballkanike, e
cila pas kohëve të para të ndihmës ndaj tjetrit, kthehet në një ndjenjë marroke
superioriteti. Të dy palët kemi administrata të korruptueshme dhe qeveri të
mbushura me karrieristë gënjeshtarë, që e kanë shumë të lehtë që për fajet e
tyre të drejtojnë gishtin tek fqinji.
Mendoj edhe se me kohën, marëdhëniet do përmirësohen sepse
shqiptarët që jetojnë në Greqi do shërbejnë si një lidhje e fortë midis dy
vendeve. Shumë prej tyre kanë bërë martesa dhe lidhje të tjera me grekët dhe
gjithashtu po rritet një brez I tërë që i konsideron të dy vendet si atdhe. Nuk
më duket e mundshme që shqiptarët që punojnë në Greqi të asimilohen. Në disa
dhjetvjeçarë edhe diferencat ekonomike të dy vendeve do ngushtohen dhe të gjithë
do kuptojnë se respekti i ndërsjelltë është më i mirë se urrejtja.
No comments:
Post a Comment