Monday, 26 July 2021

Këpucët e dhëndërisë


Nesër bëhen 35 vjet nga dita e dasmës sime, që do të thotë se si sot, para 35 vjetësh kam dhëndëruar në Shkodër. Ishte vapë si ç’mund të jetë në korrik në Shkodër edhe pa ngrohje globale dhe unë duhet të dhëndëroja e nuk kishte rrugë kthimi pas. Po të paktën kisha këpucët. Kisha arritur t’i merrja vetëm një ditë më parë pasi pata bredhur me biçikletë nga magazinat e riparim-shërbimeve tek zyrat, nga ku më kishin dërguar përsëri në dyqani i speciales, ku kishin disa muaj që më kishin gënjyer dhe më në fund më kishin thënë se nuk m’i kishin bërë, por mund të më gjenin një palë të tjera, të cilat nuk ishin kafe si i kisha porositur, por ishin këpurë të bëra në reparti I speciales. Pata protestuar i përmbajtur, se nuk kishte as kohë dhe as mundësi që të gjeja një palë këpucë të reja të denja për “dhëndëri” se ishte viti 1986 dhe në dyqane mund të gjeje vetëm këpucë të zeza me të poshtme gome.

Unë kisha porositur një model, të cilin Ndërmarja e Riparim Shërbimeve e kishte ekspozuar në Ekspozitën e Kulturës Popullore, me interieret e së cilës isha marrë dhe më ishte thënë që do bëheshin gati një javë para dasmës. Nuk di edhe sa dhëndurë, të fejuar dhe krushq të tjerë prisnin për të marrë këpucët e porositura, se të them të drejtën nuk më kujtohen shumë gra të prisnin brenda dyqanit të “speciales”, i cili ishte dy dyqane më poshtë se apartamenti ku rrija. Por afërsia me dyqanin nuk të ndihmonte aspak se mund të ishe i pari në rradhë dhe të të theshin që pritej të vinte një “shavro” e veçantë, ose boja e lyerjes, ose specialist që po merrej me këpucët tënde ishte me grip në mes të korrikut. Të shtunë me autobuzat e orës tre të mëngjesit duhet të niseshim për në Gur të Kuq, ku do merrnim trenin që do na shpinte deri në Vorë, dhe ku do prisnim një tjetër tren që do na shpinte drejt e në Shkodër. Po duheshin këpucët! Kostumin e kisha marrë para disa ditësh dhe çorape kisha një palë që ja kishin sjellë babajt nga Amerika dhe që mamaja I kishte ruajtur në sirtar për ndonjë rast të veçantë. Dhe më të veçantë se dasma ime nuk kishte! Kisha mbushur 27 vjet, kisha dy vjet i fejuar, dy vjet në punë dhe askush në qytet nuk e dinte se isha arkitekt. Dasma ishte rasti më i mirë për tu bërë i njohur, se kisha ftuar (për vizitë) edhe gjithë arkitektët e qytetit, të cilët nuk ishin të shumtë, por kishin nje emër për të pasur zili.

Nuk më kujtohet mirë këmisha, por me siguri duhet të ishte nga ato të bardhat kineze me pak shkëlqim, që të mbushnin me djersë sa i vishje dhe jo më po të hidheshe mes të nxehtit në vallen e Napolonit. As sjell dot në mendje nëse ishte moda të vije kanatiere poshtë apo jo. Kanë kaluar shumë vjet. Kravata ishte bezhë se e kisha “kombinuar” me kostumin dhe nevojë për lidhëse nuk kisha se këpucët ishin me llapë. Vërtet shumë të kollajshme për t’i veshur, por duhet të t’i jepnin, se nuk i kishin bërë akoma. Të gjithë të enjten e kalova nga dyqani i speciales tek zyrat e ndërmarjes dhe isha me fat se mund të vërtitesha tërë ditën, pasi nuk kishte nevojë të shkoja të merrja pajën, si ishte zakon të enjteve të dasmës në anët tona. Janë avantazhe që t’i sjell fejesa në distancë. Të premte në mëngjes u zgjova i vendosur që do shkoja të takoja vetë Drejtorin e Riparim Shërbimeve për të marrë këpucët e porositura. Prita në dera e Ndërmarjes që më shtatë të mëngjesit dhe drejtori hijerëndë, të cilin e kisha takuar dy tre herë hyri në zyrë. Më priti, më dëgjoi me vëmendje dhe thirri dikë që mund ta zgjidhte punën e këpucëve të dhëndërisë. Nëse unë do isha në gjendje të merrja nga Ekspozita e Kulturës Popullore këpucën e majtë të ekspozuar, ata do përpiqeshin të gjenin në magazine këpucën e djathtë, që e kishin mbajtur për çdo eventualitet! Me një shënim nga shefi i furnizimit se këpuca do zëvendësohej pas disa javësh shkova të merrja të majtën në Ekspozitë, e cila për fat të mirë administrohej nga një shoku im dhe me të majtën në dorë dhe me shënimin e shefit shkova në një magazinë të ndërmarjes, kur pas shumë kërkimesh këpucët u çiftuan! Fitorje, fitorje, fitorjeeee!

Asgjë nuk mund të më ndalte më nga dita e shumëshënuar e çiftimit tim!

Këpucët ishin një numur më i vogël.

No comments:

Post a Comment