Tuesday, 30 March 2021

Mars…pa vaksinë


Ja edhe marsi po na i “lë shëndenë“ me një dorë të madhe me lëkurë të mbledhura dhe vaksina e shumëndërruar nuk po na vjen. Dhe në prill nuk di se ç’të “gjëmosh” më parë.

Përfundimisht AstraZeneca do ndalohet në Kanada për të rinjtë nën 55 dhe do lejohet vetëm për “gërxhot”. Le të mbijetojë më i forti! (Nuk dimë ç’ka thënë Darvini për vaksinat dhe nëse ndihmonin apo e ngadalësonin evolucionin. Ndoshta në Galapagos nuk bënte njeri vaksina.)

“Miu i Gjirizave” ose nuk ka bërë vaksinën dhe nuk prek tastierën e kompjuterit për të mos u infektuar, ose është aq i plakur sa përton të shkruajë. Video nuk mund të dërgojë se i hiqet maska e miut dhe po të dërgojë vetëm audio ka hall se i dallohen notat fallco prej kontrabasi.

Të vjen keq të të zerë tani Covid-19 se është edhe dy vjet demode. Të paktën të të mbërthejë ndonjë nga këta versionet “afrikankajugore” ose “brazilianka”, që të provosh tamam se sa je forcuar nga vitaminat C, D, F, U dhe Zinku që ke përdorur pa kursim në këtë djallo dimër. “Mos e ndill!” do thonë më supersticiozët mes lexonjësve të mij, por unë ndjek shëmbullin e “The Donald”, që e ndolli dhe e kaloi pa asnjë komplikacion. Madje punonte edhe në spital mbi dosjet më delikate të politikës amerikane.

(Për Trump më ka marrë malli më shumë se për Miun e Gjirizave. E dëgjoja gojëhapur. Nuk ka për të ardhur ndonjëherë President si ai as në Shtëpinë e Bardhë, as në Shtëpinë e Verdhë, as në Kremlin dhe as në Elizje. I papërsëritshëm, argëtues, buzëmbledhës, nofkëvënës, cipëplasur, dërdëllitës, përsëritës, fjalorpakët dhe llafeshumtë, e të tjera e të tjera, që nuk i sërit dot se ishin pafund. Në vend të tij erdhi Xhoja, që i mbahet goja, që rri pak dhe dremit, që bie kur ngjit shkallët e avionit dhe që harron ç’do të thotë.)

E mos u bëj antikinez po të duash!

Po mos lejoheshin të therreshin kafshët e egra në tregun e Wuhan-it nuk do kishte dalë virusi dhe po mos kishte dalë virusi ekonomia e Amerikës do shkonte veç përpjetë, dhe po të shkonte ekonomia veç përpjetë  në nëntor Trump do fitonte më shumë se 90% të votave dhe pas një referendumi, do bëhej edhe Lider Suprem deri në një vdekje të largkohëshme.

Unë nuk do i hiqja kanalet televizive dhe do shikoja ditë e natë Supremin deri sa largqoftë t’i prishej “tupeja” dhe t’i dilte në shesh tulla e njëjtë me tullën time.

Ndaj pëlqej vetëm kinezët e Taivanit dhe Hong Kongut, që nuk janë të indoktrinuar nga komunizmi dhe nuk hanë kafshë të egra të pazjera. Gjithnjë fajin e kanë komunistët!

Komshiu po krastit si çdo vit një “mollë shpifkë“, që bën ca kokrra të shëmtuara dhe me siguri nuk i hanë as rakunët. Po rakunët më duket se i hanë në Wuhan. T’i urresh rakunët nuk ka pse të quhet  racizëm?! Edhe të kesh mall për Miun e Gjirizave dhe Trump nuk ka pse të quhet perservitet!

Helbete mars është dhe as jam i vaksinuar.

No comments:

Post a Comment