Do i përgjgigjem vetë kësaj pyetje, që ne ishim dhe jemi kudo. Që kur Gropius na mësoi se mund të projektonim “prej lugëve dhe deri tek aeroplanët” ne jemi të kudondodhur. Doni apo nuk doni ju të dashur lexues të pakët, por besnikë, ne jemi kudo.
Një kolegu im, shumë më i ri se unë, më spjegonte me durim
para disa javësh, që nëse projekton di]ka në një zonë të mbrojtur, apo muzeore,
rritet vështirësia për miratimin e lejes së ndërtimit, sepse procedurat e
shtetit shqiptar parashikojnë miratimin në një Këshill të rëndësishëm, i cili
ose kryhesohet ose në të bën pjesë edhe ministri i kulturës i Shqipërisë.
Mbledhja e Këshillit është e përmuajshme.
Sigurisht, që në Këshill do ketë arkitektë, jo vetëm se
duhet të jemi, por se ne ndodhemi kudo. Për fatin e mirë tonin, të ndërtuesve,
të popullit shqiptar dhe diasporës së tij, Ministrja e Kulturës “për momentin” është
edhe vetë arkitekte. Nuk jam I sigurt si quhet, por di që është jo vetëm
arkitekte, por brez pas brezi, nga i gjyshi i saj Anton Lufi dhe më tej, nëna e
saj Mira Lufi dhe dajoja,( profesorin im i nderuar Agron Lufi) janë arkitektë.
Ndaj edhe pse mua më duket e pakuptim, që për lejen e ndërtimit
të një shtëpie , të themi në Lagjen Kala të Elbasanit, hallexhiu elbasanlli
duhet të presë miratimin në një mbledhje të kryesuar nga Ministrja e Kulturës,
duke ditur profesionin dhe predispozicionin e saj, unë i them atij hallexhiu me
plot gojë: Mos u tut! Projekti është në
duar të sigurta!
Por (gjithnjë del një por për të na ngatërruar) edhe kjo
puna e Këshillit të zonave të mbrojtura, apo sido që quhet, ka një “kle]kë“. (Këtu
me vjen në ndihmë romani satirik “Catch-22”, të cilin përpiqem ta mbaroj së përkthyeri
dhe nuk e sos dot. Pikërisht se jam arkitekt dhe duhet të jem kudo.)
“Kle]ka” ka të bëjë me faktin se qytetarit hallexhi i mblidhen
të gjitha këmbët e familjes në një këpucë, kurse kur bëhet fjalë për mbrojtjen
e objekteve në pronësi të shtetit, ministrja arkitekte ka pakëz tolerancë më të
madhe. I le të lirë të livadhisin kolegët e saj arkitektë, pa marrë parasysh se
kemi të bëjmë me monumentet e kategorisë së parë, apo edhe me ndonjë objekt nën
mbrojtjen e UNESKO-s. (Këtë pjesën e fundit e shtova vetëm se më tingëllon mirë
fjalia.)
Arkitektja-ministre, që rrjedh nga një familje e nderuar
arkitektësh-striktë, e lëshon qesen e parave, si dhe zgjidh rregullat e
restaurimit, për të bërë të “shkëlqejë“ Mësonjtorja e Parë Shqipe, në kuadrin e
përurimeve plot shkëlqim, para fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme. Brenda
Monumentit të kategorisë së parë instalohen jo vetëm kaloriferët dhe aparatet e
ajrit të kondicionuar, por mbulohen dyshemetë e drurit me rifinitura plastike
dhe patinimet me gips (apo veshje me panele gipsi) bëjnë që gjithshka të jetë në
një “gone” perfekte. Edhe me nivelë me lazer t’i kontrollosh nuk gjen as
milimetrin e gabuar.
“Rilindja urbane” ka nxjerrë edhe pjellën më të re të saj, “rilindjen
muzeore”. Mësonjtorja e Parë, ndërtesë e dhuruar nga patrioti Mandi Tërpo më
1887 është pjesë e Europës së shekullit të XXI. Le mos na futin tani po të
duan!
Përurimi (kjo fjalë e shqipes duhet parë se më tundon të
shkruaj “përmjerrimi”) nuk mund të bëhej me tam-tamet që meritonte rifreskimi,
apo rikonstruksioni, apo aktualizimi i Muzeut Kombëtar të Arsimit, për shkak të
Covid-19. Në të morën pjesë Ministri I Mbrojtjes dhe Ministrja e Kulturës, pikërisht
se ky Monument Kulture, mbrohet nga shteti.
Nuk do ishte keq të thërrisnin edhe ca nga ne, të
kudondodhurit, se me maska do ishim dhe mund të theshim nën zë “Të dashur ministra këtu e kini dhjerë!”
E megjithatë ne jemi kudo, vigjilentë por të heshtur, të kudondodhur por eunukë,
plot pathos por impotentë.
Ndoshta të tillë jemi gatuar.
No comments:
Post a Comment