Saturday, 13 March 2021

Në qytetin e bukur të Prijësit


Kjo rrëfenjë kishte mbetur e shkruar në një rradhor të gjetur në një sëndyq të vjetër. Nuk dihet as se kush e kishte shkruar as edhe kur kishte ndodhur, nëse vërtet kishte ndodhur në një qytezë të bukur të Ballkanit Perëndimor. Gjetësi kishte qënë një ndjekës antikuarësh dhe ikonash, që shquhej për symprehtësinë në dallimin e shkrimeve të vërtetë nga ata të rremë. Pa hulumtuar kimikisht bojën, ai kishte arritur në përfundimin se rrëfenja ishte hedhur në rradhor thuajse në një kohë me Evëtarin e Naum Bredhit. Gabimi mund të ishte vetëm tre ose katër muaj hënorë para botimit të parë të atij libërthi të vyer. Përputhshmërinë e saj kohore me Evëtarin e kishte vënë në dyshim gjykatësi Ban, që gjithashtu ishte ndjekës dhe mbledhës arturinash të vjetra e të vlera, por në krahun e Gjetësit ishin rrjeshtuar dy albanologë me emër, një tipograf dhe një tregëtar sendurinash kancelerie. Ndaj dhe kur mu besua të merrja fotot e çdo faqeje të atij radhori dhe ta hidhja në gërmat e shqipes të kohës, unë nuk u mëdysha. Ndryshimet nga burimori janë aq të vocërra sa nuk ka kuptim as të turbulloj mendtë e lexonjësve me përmendjen e tyre.

“…që sa kishte dalë. Turqtë nuk e kishnë bërë dot të tyrin dhe ju kishin lënë qytetarëve të tij mëvetësinë me konditën që të pagojnë një herë në fund të beharit, taksën e të vjelave. Këta e kishnë pranuar po kishnë ngulur këmbët që ta shpinin vetë në Stamboll jo në monedhë floriri por në gjë të gjallë, bereqet dhe lesh.

Prijësin e zglidhte një herë në dy mot kryepleqësia që kishtërte 5 pleq të mbesimit orthodhoks, 5 pleq të mbesimit islame dhe një i mbesimit protestant. Kishnë 6 herë me rradhë që kishnë zgledhur të njëjtin që i binte të kishte një dyzinë motsh që i printe. Ishte ca më shumë se i mesëm së gjati dhe vinte I lidhur, esmer dhe i gjërë në supet. Poshtë fustanellës I dukeshin si dy shulakë këmbët e forta që e kishnë nxjerrë faqebardhë nga të ndjekurat e jeniçerëve. Mustaqelli dhe me mjekër të shkurtër të bënte të tijnë po të të jepte vështrimnë xixëllonjës. Vashat e deshnë po ai nuk i deshte shumë se mejtonte veçëm për qytetnë. Nuk zinte në gojë motet që kishte në kurriz, po ca thinjëza i kishnë dalë në baluket që i dilnin poshtë festes së bardhë si dëbora.Theshnë që ishte pjellë me këmishë po baboja që e kishte pritur kishte ndruar jetë ca ditë më pas dhe kish që e mbesonin punën e këmishës siç kish dhe nga ata që nuk e mbesonin.

-          Ti je pjellë me këmishë- i tha Shëronjësi që e mbante pas.

-          Nuk dihet- u gjegj Prijësi mbi shiltenë e dhirtë.

-          Ta dallonj në cipën e ballit.Ndrron boja nga e mëngjëra.

-          Lipset të mejtojmë për të tjera punë të mira. Moti nuk ish ai që deshmë dhe bereqeti nuk mjafton të nismë për në Stamboll.

-          Populli të ndjek. Do ju thuaç të japnë më shumë këtë mot. Beta shtojmë dhe më shumë lesh të plotësojmë taksën.

-          Leshtë nuk na i zunë në refene as motnë që iku. Thanë që karvani shkon anëve të lumenjve dhe përrenjve dhe  leshi rëndon më tepër. Nuk dua të zëmëronj Portën e Lartë.

Veqilharxhi ku shpiheshin dengjet me lesh dhe thasët me bereqet ishte grindur një mot më parë.Kështu i pat thënë Kryeqeraxhiu që shpinte mot mot detyrimet e qytetit. Prijësi e kishte mbesuar po në qytet kishte llafe se Kryeqeraxhiu shiste lesh udhëve dhe zglidhte vetë monopatet ndanë lumenjve dhe përrejve për të rënduar më shumë dengjet me lesh.

(vijon)

 

No comments:

Post a Comment