Saturday, 20 March 2021

Kemi mbetur…për një Kothere


Nuk është e udhës të stigmatizosh persona të caktuar për shkak të emrit, mbiemrit, apo më keq akoma për shkak të ndonjë kusuri fizik. Por mendja, për fat të mirë ose të keq, shoqërizon fjalë të caktuara, që janë në dukje pa lidhje, por për shkak të dykuptimeve, tre kuptimeve apo multikuptimeve (kjo fjalë është tamam për trend tiranas)shkojnë në një shkrim.

Një shembull mund të merret nga sulmet bajate, që i bëhen për shembull Ministrit të Mbrojtjes për mbiemrin e tij. “Pe leshi” në zhargonin e Korçës ka kuptime nga më ekstremet. Një stofë “pe leshi engleze” ka qënë nga gjërat më të çmuara të periudhës para “çlirimtarëve”, por njeri “pe leshi” ka kuptimin e një njeriu fare kot.

Kështu mund të vazhdohet me mbiemrat “Bufi”, “Lepuri”, “Hoxha”, “Zhurri”, “Pula”, “Daci”, “Prifti”, “Kuke”, “Qyqja” dhe deri në mbiemri im- “Mara”. E udhës nuk është, por buzëqeshje tek lexuesit ndjell. Dhe një buzëqeshje nëse nuk është e ligë, ju bën mirë të gjithëve. Sirano De Berzherak theshte për hundën e tij stërmadhe “Një hundë e madhe mund të jetë tregues i një shpirti të madh”. Kështu edhe një mbiemër i dyshimtë mund të jetë tregues i një shpirti skeptik dhe dyshuesit janë ata, të cilët e kanë shpënë shkencën dhe teknologjinë para.

Pra le të vijmë në Kotherja, që rastësisht është adash i Nikos tonë zulmëmadh, i cili jo vetëm do na forcojë pozitat në NATO, por në bashkëpunim me ushtrinë e Erdoganit, mund të realizojë ëndrrën e madhe të Rilindasve për të ndarë Greqinë. Ne marrim Janinën, Camërinë, rrethinat e Athinës dhe ishujt pranë Peloponezit, e Turqit le të marrin Rodosin, Kretën, Adrianopojën dhe Selanikun. Athina me Spartën le të mbeten qytete-shtete.

Por për të patur një platformë të fuqishme historiko-politike, duhet historian-muzealisti Niko Kotherja. Vetëm me materialet, që ai ka shkuar në dorë, ne mund t’i mbushim mendjen Amerikës, Gjermanisë dhe Francës, për të drejtat tona të patjetërsueshme ndaj trojeve të banuar brez pas brezi nga arvanitët.

Në vitin 1939, historian korçar Petraq Peppo, pati guximin t’i thoshte në një mbledhje të madhe Jakomonit, se ne shqiptarët jemi më të vjetër se romakët. Ishte Petraq Peppoja ama!

Tani kemi mbetur me Kotheren, thuajse Kothere dhe për një Kothere.

Por duke ju kthyer edhe një herë Siranosë, nuk është e thënë që mbiemri “Kothere” të jetë tregues i një shpirti kothere. Dëshmi e sigurt për të provuar këtë është Nikoja-ministër, i cili është korçari “më i plotësuar” i shekullit XXI. Dhe diçka të vlefshme ai e ka zbuluar tek Kotherja.

No comments:

Post a Comment