Përpjekjet e mija për të kritikuar “restaurim-riorganizimin” e fundit të Mësonjtores së Parë, më sjellin në mendje “dështimet” e protestave për Kullën Vrojtuese, Studimin për Qendrën e Korçës, Bibliotekën e Re dhe ndonjë ndërtim tjetër të këtij shekulli në Shqipëri.
A kam mësuar gjë prej tyre dhe pse vazhdoj me këtë qëndrim
donkishotesk?
Diku në blog, kam spjeguar se nuk është gabim të luftosh për
një çështje të rëndësishme edhe kur e di se është e kotë. Ata të cilët kanë
vendosur të bëjnë diçka në kundërshtim me opinionin e përgjithshëm apo me interesat
e publikut të gjërë edhe pse do realizojnë atë ç’kanë vendosur duhet të ndjejnë
trysni. Eshtë shumë më ndryshe se kur të gjithë heshtin. Pa le të thonë “superinteligjentët”-
Po thamë ne bre , që kot e kini! Eshtë
vulosur ajo punë!
Edhe puna e Mësonjtores mund të jetë “vulosur” dhe pas disa
javësh çdo gjë do harrohet, por “ofiqarët” do mendohen më shumë për të bërë “paudhësinë“
tjetër.
Nuk di ta spjegoj mirë, se pse nuk ka një reagim të përgjithshëm
pro-Mësonjtores dhe pse heshtin edhe partitë opozitare. Lidhet me fushatën
elektorale, me një ndienjë anti-korçare, me frikën, me cinizmin, me shikimin se
është një gjë e vogël apo me të gjitha së bashku, nuk arrij ta kuptoj. Eshtë e çuditshme
se si një nismë e nisur nga një shkollë private në Tiranë nuk gjen asnjë mbështetje
jo vetëm nga shkollat publike ne Korçë, por as dhe nga një shkollë private.
“Molepsja” e shoqërisë sonë është e thellë. Do kohë për tu
pastruar dhe asnjë lloj “ajrisjeje” nuk mund të lehtësojë dot erën e rëndë të këtij
myku indiferonto-korruptiv.
E megjithatë ja vlen të përpiqesh. Ja vlen të kujtosh diçka
të harruar. Ja vlen të thuash diçka që nuk dihet nga të gjithë. Ja vlen të
shkundësh edhe mikun tënd dhe t’i thërresësh:”Nuk dua të të le të shkosh pafund teposhtë!”
Ndaj le të jetë edhe “një kauzë e humbur” më shumë.
Kur një ditë të kaloj para Mësonjtores së Parë nuk do i them
vetes: “Edhe ti heshte!”
No comments:
Post a Comment