Unë: Kur isha i vogël, nga dritarja e dhomës së ndenies, shikoja nje ndertesë të bukur me dy kate të larta dhe një çati shumë të madhe, të cilën e lidhja me ty. Ishte Shtëpia e Kulturës, që në Korçë njihej më shumë si Pallati i Kulturës. Ti kaloje një pjesë të madhe të kohës atje. Edhe pse nuk vija shpesh të të kërkoja se kisha droje, e dija që atje mund të të gjeja pasditeve dhe mbrëmjeve. Më vonë, kur studioja për arkitekturë, kam mësuar se ajo ndërtesë kishte qënë Bashkia e Korçës dhe e kishte projektuar arkitekti italian Florestano Di Fausto.
Ai: Historia e projektit të saj është interesante. Di Fausto
kishte projektuar thuajse të gjithë ndërtesat e ministrive në Tiranë dhe përdorte
shumë elementë të një neo-klasiçizmi “të rëndë“. Por në Korçën e vitit 1938,
ishte i detyruar t’i “pastronte” dhe ta trajtonte në një mënyrë më moderne. Pat
patur “rezistencë“ nga intelektualët dhe administrata e Korçës, sepse duhej të
harmonizohej me natyrën e ndërtimeve të qytetit, ku nuk ka patur objekte me atë
lloj dekoracioni të rënduar. Për rrjedhojë ndërtimi ka qëndruar shumë mirë në të
gjithë kohët.
Por shtëpia e kulturës kur u ktheva në Korçë në fund të vitit 1946 ishte në ndërtesën e ish-konsullatës
greke, sepse ato vite dhe më vonë ne nuk kishim marëdhënie diplomatike me
Greqinë. Ishte një rastësi e çuditshme, që atje mblidhej rrethi i parë letrar i
Korçës. Para luftës, konsull në Korçë pat qënë poeti Jorgos Seferis, i cili më
vonë do merrte edhe çmimin Nobel në letërsi. Vepra të tij kisha lexuar që para
luftës dhe e ndjenja “të afërt” se dhe ai ishte lindur në Turqi.
Në rrethin letrar merrnin pjesë shumë nga të njohurit e mij
dhe thuajse të gjithë kishin qënë liceistë duke filluar nga Kristaq Cepa, Xhuvi
Bino, Arsinoi Poro (Bino), Aleko Skali, Nella Sinaeri. Prej fillimit ishte edhe
poeti Skënder Arrëza dhe Gaqo Peci, që kishin mbaruar Normalen e Elbasanit.
Unë: Kur u zhvendos shtëpia e kulturës në ndërtesën ku vazhdoi
të ishte për dekada të tëra ?
Ai: Në fillim të vitit 1948, sepse me gjithë ato veprimtari, që
kishin rrethe dhe grupe të ndryshme të saj, duheshin mjedise më të mëdha.
Drejtor ishte aktori dhe regjisori Dhimitër Trajçe, që kishte shumë pasion jo
vetëm për teatrin, por edhe për gjithë llojet e veprimtarive të lidhura me
artin dhe kulturën. Bashkë me Trajçen ishim në një Këshill drejtues të
Pallatit, ku merrnin pjesë edhe Vangjush Mio, Kristo Kono, Marika Kasneci,
Nella Frashëri e të tjerë. Ishte një frymë shumë e gjallë krijimi dhe
bashkëpunimi për të çuar më tej traditën artistike të qytetit të Korçës dhe për
të ndihmuar të rinjtë, që e donin artin dhe ëndërronin të bëheshin artistë.
Unë: Po ju ishit vetë shumë të rinj, se duke përjashtuar Mion,
Konon dhe Cepën, që ishin në të dyzetat, të gjithë ju të tjerët nuk kishit
mbushur ende tridhjet. Edhe vetë drejtori, Trajçeja ishte më pak se 35 vjeç.
Ai: Ato kohë të gjithë arrinin pjekurinë në një moshë më të
hershme. Për më tepër, kishim kaluar edhe pesë vite lufte, që “burrërojnë“ edhe
fëmijët.Pranë rrethit letrar patëm afruar edhe shumë nxënës të gjimnazit, disa
prej të cilëve, si Vangjush Ziko, e ndoqën me shumë dëshirë dhe vullnet rrugën
e bukur të artit dhe letërsisë.
Shumë korçarë të letrave dhe të artit, si Sokrat Mio, Tefta
Tashko, Milto Sotir Gurra, Pandi Stillu, Sterio Spasse, Jorgjia Filçe (Truja),
Kristaq Antoniu, Mihal Ciko e të tjerë, punonin në Tiranë dhe në qytete të
tjera, ndaj edhe “barra” më e madhe binte mbi një brez më të ri krijuesish dhe
artistësh. Por Korçës asnjëherë nuk i kishin munguar të rinjtë që i pëlqenin
artet, ndaj edhe shumë grupe artistike të Shtëpisë së Kulturës, shpejt arritën
të luanin jo vetëm pjesë teatrale, por edhe koncerte sinfonike dhe më vonë edhe
disa opereta.
Unë: Në pjesën veriperëndimore të Shtëpisë së Kulturës, në
katin e dytë, ishte një sallë çlodhje me kolltukë dhe me një bar, ku rrije
shpesh dhe bisedoje me kolegë dhe artdashës të tjerë. Më ka mbetur në mendje si
një vend i “paqtë“ me shumë dritë dhe ngrohtësi. Më vonë u kthye në sallë e
provave të baletit.
Ai: Ishte vërtet i tillë në vitet ’50 dhe ’60. Atje bisedonim
gjatë me Konon, Vangjush Tushin, Leko Skalin, Skënder Arrzën, Nella Sinaerin,
Llazi Tikon, Boris Plumbin,Tole Adhamin dhe me të tjerë. Po me dëshirë bisedoja
edhe me Spiro Adhamin që ishte punonjës i Pallatit të Kulturës. Ishte një burrë
i shtruar dhe i mirë, që kishte qënë shumë vjet në Amerikë dhe tregonte
gjithfarë ngjarjesh edhe nga kurbeti. Koço Turtulli ishte banakieri shëmbullor i
Pallatit të Kulturës, që nuk ulej kurrë por merrej gjithnjë me diçka në banakun
e tij të mbajtur pastër dhe me shije. Koçoja ishte i qetë dhe plot mirësi dhe
nuk mërzitej kurrë. Ai mbante edhe kutitë e shahut të cilat i merrnim here-herë
për të luajtur dhe më vonë shërbyen për dhomën e shahut, që ishte si një klub
shahu i qytetit.
Kur u krijua salla e baletit, bari u vendos në katin e parë,
ku komunikonte edhe me një dhomë bilardoje, e mbushur gjithnjë me të apasionuar
pas bilardos dhe me tym duhani.
Unë: Ishte një vend që tërhiqte shumë njerëz, që në mëngjes,
por pasditet dhe mbrëmjeve ishte gjithnjë i mbushur plot e përplot, se bëheshin
prova, zhvilloheshin kurse pikture, hapeshin ekspozita dhe dëgjoheshin edhe
“vokalicat” e këngëtarëve lirikë. Ishte pikëtakimi për të gjithë ata që
merreshin me art. Ata që punonin atje, me siguri që rrinin më shumë se 8 orë.
Ai: Me të vërtetë që ishte një punë që kërkonte përkushtim dhe orë të zgjatura për drejtorin dhe instruktorët e shtëpisë së kulturës. Edhe të dielave pasdite, kur ishte i mbyllur, shkallët e pallatit dhe trotuari para ishin vend takimi për shumë të apasionuar të kulturës që diskutonin nga ndeshjet e futbollit dhe deri në garën midis Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës për të shkuar në hënë.
(vijon)
No comments:
Post a Comment