Thursday, 4 March 2021

Biseda "te pakryera" me babane (Shtepia e kultures-2)


(vijim)

Unë: Pse i kishin vënë emrin “Ali Kelmendi”?

Ai: Emrat e institucioneve kryesore vendoseshin në Tiranë dhe duhet të plotësonin kritere politike. Në përgjithësi viheshin emra heronjsh, ose patriotësh shumë të shquar, të cilët nuk jetonin më. Ndoshta ishte bërë edhe si propozim nga komiteti i partisë së Korçës. Ali Kelmendi kishte qënë një komunist kosovar, i cili kishte qënë i internuar në Korçë dhe kishte vdekur më vonë në Francë. Lidhjet e tij me botën e artit nuk kishin qënë të veçanta, por pushteti e vlerësonte për kontributin e tij si komunist.

Korça kishte patur emra shumë të spikatur të fushës së letrave duke nisur me Naum Veqhilharxhi, Shahin Kolonja, Thimi Mitko, Mihal Grameno, motrat dhe vëllezërit Qiriazi, Asdreni e të tjerë, por ishte zgjedhur emri i Ali Kelmendit. E megjithatë, veprimtaria e një institucioni nuk kushtëzohet nga emri që mban. Shtëpia e Kulturës e Korçës bashkë me atë të Shkodrës ishin qëndrat më të mëdha kulturore në Shqipëri pas Tiranës, ku ishin përqëndruar gjithë institucionet kulturore pas luftës.

Unë: Po veç operetave “Agimi”, “Së bashku jeta është këngë“ dhe “Brigadierja” cilat kanë qënë veprimtaritë e tjera të rangut të lartë kombëtar të Shtëpisë së Kulturës Korçë?

Ai: Ka patur dhjetra të tjera të një niveli të lartë artistik, si ato që kemi përmendur gjatë Dekadës së kulturës të vitit 1968 dhe më parë duke nisur me kantatat e Konos, pjesëmarrjet në festivalet e muzikës popullore në Gjirokastër, disa festivale të muzikës së lehtë të Korçës dhe deri në opera “Liceistët “ e Josif Mingës me libret të Fatmir Gjatës. Kori i pleqve “Lira” i drejtuar nga Kostaq Osmanlliu dhe më vonë nga Jorgaq Nanoja ka patur shfaqje shumë të mirëpritura jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Po ashtu edhe ansambli i këngëve dhe valleve popullore me udhëheqës artistik Pavllo Shollën.

Me një fjalë jeta kulturore dhe artistike në Korçë mbeti e pasur edhe pas largimit të dhjetra e dhjetra talenteve drejt Tiranës. Dhe merita i takon atyre që punonin në Pallatin e Kulturës, si edhe Degës së Lidhjes të Shkrimtarëve dhe Artistëve, e cila ndihmonte në rritjen e cilësisë të veprimtarive. Pas viteve ’60 edhe shkollës së mesme të Muzikës “Tefta Tashko”, ku u formuan dhjetra e dhjetra instrumentistë dhe këngëtarë të shquar.

Unë: Meqënëse përmende festivalet e muzikës së lehtë të Korçës, po përmend festivalin e parë, që duhet të ketë qënë në vitin 1966, ku u mësua që netët e para kënga melodioze “Gjeologia” e Ilia Vinjaut dhe ne si fëmijë që ishim, të theshim të ndikoje në Konoja, që ishte kryetar jurije për t’i dhënë çmimin e parë. Kënga mori vetëm çmim të tretë mes fërshëllimave të “galerisë“.

Ai: (qesh) As Konoja nuk ndikohej dhe as unë nuk do ndërhyja kurrë për “favorizime” të tilla. Gjtihnjë kam qënë i vendosur për një garë artistike të ndershme. E kujtoj këngën e Vinjaut se mbeti në repertorin e radios, por këndohej edhe në festa familjare. Ndoshta Konoja dhe anëtarët e tjerë të jurisë kanë vlerësuar këngë të tjera, me një kompozim dhe orkestrim më të zhvilluar, ose të interpretuara më mirë, por nuk më kujtohet se cilat morrën çmime më lart se kënga e Vinjaut.

Tradita e festivaleve të këngës vazhdoi edhe më vonë, por nuk ishte e lehtë të organizoje shfaqje me mbi 20 këngë të reja pasi duhet t’i përzgjidhje nga shumë e shumë të tjera dhe forcat krijuese të rrethit nuk kishin mundësi të tilla. Madje edhe vetë festivalet e këngës në Radio Televizion kishin vështirësi në veprimtairnë e tyre të përvitshme dhe midis krijimeve kishte shumë “skarcitete”.

Unë: Drejtori i shtëpisë së kulturës me “stazh” më të gjatë ka qënë Vangjo Vangjeli dhe më pas Petraq Zoto, pasuar nga Hasan Malolli. Dy të fundit i kam njohur, kurse emrin e Vangjos e dëgjoja shpesh në bisedat që bëje me mamanë. Nga sa kam kuptuar vetë, ka qënë një punë shumë e vështirë dhe gjithnjë “nën trysninë“ e Komitetit të Partisë, që kërkonte koncerte dhe ngjarje artistike në kohë rekord dhe me kërkesa nga më të thjeshtat e deri në më “absurdet”.

Ai: Në kohën kur ishte Vangjoja, kishte pavarësi pak më të madhe ndaj edhe mund të bëhej më shumë dhe më mirë. Dora dorës, ngarkesa u shtua dhe ndërhyrjet nga partiakët u bënë më të mëdha dhe binin drejtpëdrejt mbi shpatullat e drejtorëve, që duhet të mbanin një balancë midis kërkesave të “aparatçikëve” dhe pjesëmarjes dhe “disiplinës” së amatorëve, sepse shumica e artistëve pjesëmarës  ishin të tillë.

Por ishte më mirë të kishte “trysni” dhe jetë të gjallë artistike, se sa të ndodhte si në ndonjë shtëpi kulture si ajo e përshkruar nga Qamil Buxheli në romanin e tij humoristik “Kur qesh i gjithë qyteti”. Eshtë një roman shumë i mirë, që i bën një “anatomi” jetës kulturore amatore në Shqipërinë e asaj kohe. Për fat të keq, romani jo vetëm u hoq nga qarkullimi në një kohë me “Zylon” e Dritëro Agollit, por “humbi nga faqja e dheut” edhe pasi nisën “rehabilitimet” e veprave letrare, në gjysmën e dytë të viteve ’80.

Unë: Për t’ju rikthyer edhe njëherë lidhjes midis teje dhe Shtëpisë të Kulturës, që ishte krijuar në kokën time, duket që ti edhe pa qënë punonjës i saj me rrogë, ishe shumë i lidhur me të.

Ai: Kishte edhe një arsye tjetër. Në katin e dytë të Shtëpisë së Kulturës ishte zyra e Degës së Lidhjes të Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku kam qënë për shumë vite sekretar. Atje merresha me të gjitha veprimtaritë që kishin të bënin me Lidhjen, si dhe për shumë vite grumbulloja dhe redaktoja materialet e almanakut letrar “Korça e Re”. Edhe të gjitha mbledhjet e Kryesisë të Degës , ose edhe ato më të zgjeruara bëheshin vetëm në Shtëpinë e Kulturës. Ajo ishte edhe shtëpia e dytë e gjithë shkrimtarëve dhe artistëve të Korçës.

No comments:

Post a Comment