Wednesday, 10 March 2021

Biseda "te pakryera" me babane (Artet figurative-2)


 (vijim)

Unë: Po të tjerët? Trikupët për shembull si ishin si piktorë dhe pse i quaje “Trikupë” Vangjush dhe Kostaq Tushin?

Ai: Nuk i quaja unë, por të tjerët që I njihnin prej kohësh. Vangjush dhe Kostaq Tushi e kishin patur mbiemrin e familjes Trikupi. Ishin nga një familje e vjetër korçare dhe nuk e di kur ishin të detyruar ta ndryshonin mbiemrin. Ndoshta për shkak të Harillaos Trikupis, i cili ka qënë politikan dhe kryeministër grek i fundit të shekullit të XIX.

Vangjushi kishte studiuar në Athinë dhe ishte piktor shumë i mirë dhe me talent sidomos në gjinitë e portretit dhe natyrave të qeta. Kostaqi, të cilin ti e kishe mësues vizatimi, ishte një piktor mesatar, por të dy u detyruan pas luftës të merreshin me kompozime, gjë që dilte jashtë interesit të tyre si artistë.  Vangjushi ka mësuar dhjetra piktorë profesionistë korçarë dhe qindra amatorë. Në vitet e fundit, para se ta arrestonin, punonte më pak se vuante nga parkinsoni. I shkreti Kostaq, kur i arrestuan të vëllanë , shkoi dhe ju kërkoj në Degën e Punëve të Brendshme të zinte vendin e tij, se vëllaj më i madh ishte shumë i sëmurë. Humbi edhe ai të drejtën të ekspozonte veprat.

Unë: Po Rafail Demboja dhe të tjerët më të rinj se ai?

Ai: Rafaili ishte i vetmi piktor korçar, që studio në Bashkimin Sovietik dhe u kthye të punonte në Korçë pranë familjes. Shkoja shpesh në studion e tij, që ishte disa kate mbi apartamentin tonë dhe flisnim rreth pikturave të tij.  Rafaili kishte portrete dhe figura të mëdha të përsosura, si edhe peisazhe, të cilat ndryshonin nga ato të Mios. Ishte fjalëpak dhe shumë i drejtpërdrejtë. Nuk reklamonte kurrë punët e tij dhe ishte i përmbajtur edhe në lavdet ndaj punëve të të tjerëve. I pëlqente të kthente ndonjë gotë dhe me humor godiste me gisht gurmazin, një shënjë që “po i thahej gurmazi për pak alkol”,shënjë që e kishte mësuar në Rusi. Edhe ai ishte i detyruar t’i kushtonte shumë kohë kompozimeve, që kërkoheshin më forcë nga drejtuesit e kulturës në Tiranë dhe në Korçë.

Më pare se Rafaili, Guri Madhi (në fëmijëri e thërrisnin Guri Vëthka) pat studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe kishte qëndruar në Tiranë, ku nevoja për piktorë të mire ishte e madhe. Të dy kishin ndikim të shkollës ruse të Rjepinit dhe Serovit, me një përdorim të përsosur të ngjyrave dhe penelatave të trasha. Guri shkëlqeu edhe në kompozime të mëdha, por punët kryevepra të çdo kohe ishin punët e tij më të vogla dhe me tematikë të thjeshta. Në Tiranë qëndroi pas studimeve jashtë shtetit edhe piktori tjetër korçar Niko Progri. Ndrëkohë, skulptori Avni Bilbili, që studionte për shkulptor në Bullgari, pasi mbaroi vitin e fundit në Tiranë, u kthye në qytetin e lindjes.

Piktorët më të rinj të qytetit, për shumë arsye (kryesorja ndoshta shkollimi në Institutin e Arteve në Tiranë) nuk arritën dot nivelin e Mios, Tushit, Madhit dhe Dembos. Ishin një numur artistësh të mirë, por vetëm Roland Karanxha ishte në gjendje të konkuronte me piktorët më të mirë të Tiranës në vitet ’70 dhe ’80. Ekspozitat në qytet ishin të shumta dhe me stile të larmishme, por çmimet në ekspozitat kombëtare ishin të rralla. Ndryshe ndodhi me skulpturën, ku arritje patën Piro Dollaku, Ilia Xhana dhe Vladimir Kaçaku. Thuajse të gjithë kishin qënë nxënës të skulptorit të madh shqiptar Llazar Nikolla, që kishte jetuar në Korçë.

Unë: Po skulptori korçar Dhimitër Cani. Nuk di të ketë shumë vepra të tij në Korçë?

Ai: Dhimitri kishte studiuar në Itali dhe ishte skulptor shumë i mirë, por pat bërë vetëm disa punë për Korçën dhe prej largimit për në Tiranë në vitet e para paslufte, i pati të pakta lidhjet e tij me artistët dhe jetën kulturore të qytetit. Në qytet kanë mbetur veprat e tij të hershme, busti i Koci Bakos dhe ai i Ali Kelmendit.

Korça i pat mbështetur artistët shqiptarë që në fillimet e shtetit shqiptar. Dy nga shtatoret më të mira të shkulptorit Odhise Paskali, Luftëtari Kombëtar dhe Themistokli Gërmenji, janë ngritur në vitet ’30 metë hollat e mbledhura nga qytetarët korçarë. Shtatorja e Luftëtarit Kombëtar(ose si njihej në Korçë e Ushtarit të panjohur)është vepra monumentale më e arritur e skulpturës shqiptare. As ajo dhe as ajo e Themistokliut nuk arritën të “tejkaloheshin” në dhjetvjeçarët e ardhshëm në qytetin tone edhe pse u realizuan disa, si shtatorja e Naim Frashërit dhe ajo e partizanit fitimtar në Varrezat e Dëshmorëve.

Por si të thashë më parë, skulptura e sallave pati disa vepra të mira të skulptorëve korçarë.

Unë: Ty të plqente shumë piktura e kavaletit në vaj, e megjithatë në shtëpi nuk kishim ndonjë pikturë origjinale, qoftë të piktorëve të huaj apo të atyre shqiptarë.

Ai: Në kohët pas luftës së dytë botërore, pikturat origjinale ishin shumë të shtrenjta, krahasuar me rrogat. Ndaj jo vetëm ne, por thuajse asnjë rrogëtar nuk ishte në gjendje të blinte të tilla. Në shtëpitë ku kishin piktura origjinale, ose i kishin të trashëguara ose kanë patur ndonjë të dhuruar nga piktorët shqiptarë. Por të dhuroje një peisazh apo portret nuk ishte si të dhuroje një libër. Ndaj edhe pse mund të më pëlqenin, unë mjaftohesha të shihja ato libra me piktura që kishim në shtëpi ose që i merrja në bibliotekë.

Shenim: Foto e marre gjate percjelljes se piktorit Vangjush Mio ne banesen e fundit nga populli i Korces. Mes atyre qe dalloj jane piktori Vangjush Tushi i pari qe mban arkivolin ne te djathte, Andon Mara i dyti ne te majte te arkivolit, regjisori Sokrat Mio pas arkivolit dhe ne plan te pare disa nga punonjesit e tetrit; marangozi Sofokli Mitezi dhe inspektori i skenes Misto Grabocka. I prin korteut duke mbajtur dekoratat e Mios, aktorja Dhorke Ndini (Orgocka).

No comments:

Post a Comment