(vijim)
Atë vjeshtë dhe dimër ndjehesha mirë, se sa isha martuar dhe
babaj e kishte kapërcyer depresionin. Nuk ishte gjetur ende punë për bashkëshorten
time, por ishte një vend i hapur për pedagoge në Institutin Bujqësor, ku mes
kandidatëve inxhinierë hidroteknikë ishte e vetmja, që plotësonte kushtin e
mesatares së notës. Rektor atë kohë ishte Ylli Manoku, që ma kishte bërë të
qartë që i duhej burrë për atë vend, sepse kishin edhe componentët e tjerë të
ttrekëndëshit revolucional Mësim-Punë-Mbrojtje. Ende shpresoja se në Ministrinë
e Arsimit, nga varej Instituti do kishte njerëz që do ndiqnin kriteret. Pas 7
muaj të dasmës, më në fund e emëruan si mësuese në shkollën e ndërtimit, një
vend për të cilin më kishte njoftuar miku im i gjithë kohëve Fredi Bitincka.
Ndoshta edhe nën presionin e punëve për Muzeun, Gjergji Cikopani, atë kohë i
plotfuqishëm në sektorin e arsim kulturës, por dhe të kuadrit, e pranoi kërkesën
time të ligjshme.
Cikopani ishte një nëpunës i llojit të veçantë për atë kohë.
Ambicioz dhe me vullnet, ai angazhohej në maksimum në gjithë sektorët e jetës së
qytetit dhe rrethit. Edhe pse nuk ishte anëtar partie, kishte një forcë të
madhe në veprimtarit[ e qytetit. Përveç një “fërkimi” me të sa isha emëruar në
Qendrën e Arsimit, gjatë vitit 1984, pas punës për Lapidarin e Cifligut,
Galerinë e Arteve dhe Muzeun e Sportit, kishim krijuar marëdhënie të mira,
kuptohet duke ruajtur distancën, si Sekretar i Komitetit Ekzekutiv. Gjergji
ishte “bosi” i “bosit” tim, të ndjerit Kiço Melo. Gjatë vitit 1986 ai na kishte
mbështetur shumë për punën në Ekspozitën Popullore të Arsimit dhe nuk kujtoj
ndonjë rast, kur të na kthente “bosh” mua dhe Klitin.Kliti kishte pavarësi nga
Komiteti Ekzekutiv, se varej nga Tirana, por puna e lidhte shumë me ta dhe të
dy palët ishin të interesuara për marëdhënie të mira.
Avantazhi në punën me Gjergjin për Muzeun e Arsimit ishte se
nuk “afrohej” njeri nga Komiteti i Partisë. Sekretar i parë ishte atë kohë
Mihallaq Qiriakoja, ish drejtor i NB Plasë dhe për çështjet e ideologjisë,
Spirku Dhimitri, i cili ishte i butë dhe nuk donte të përzjehej. Kjo na e lehtësonte
shumë punën dhe pavarësinë. Nuk na bëhej vonë të punonim me orë të zgjatura,
por mjaft të mos kishim “çekanë mbi kokë“.
Platforma e muzeut , e punuar nga Institutin e Historisë
ishte e detajuar mirë dhe nuk kërkonte praninë e ndonjë “historian të bezdishëm”
korçar, gjë që na dukej e mirë dhe drejtori i Muzeut, i sapoemëruari Bujar
Goxhaj nuk ndërhynte për asgjë, veç shkonte të zgjidhte ndonjë problem
administrativ. Historiani nga Instituti, Myslim Islami, që ishte thuajse gjithë
kohën pranë nesh ishte një njeri shumë pozitiv dhe me “bon sens”.
Këta ishin njerëzit, ndaj duhej vetëm ca kohë më shumë për
të projektuar më mirë, gjë që nuk e kishim. Në dhjetor, do vinte grupi i
Ministrisë i drejtuar nga Tefta Cami, për të parë projektet dhe për t’i
miratuar. Ndërkohë restaurimet vazhdonin sipas projektit fillestar të Klitit,
por duke ditur natyrën e restaurimeve, shumë gjërai shin të papritura dhe
Klitit i duhej t’I zgjidhte në vend dhe me inisiativë. Herë pas here vinin edhe
inxhinierë nga Instituti i Monumenteve për të parë dhe dhënë ndonjë këshillë,
por e gjithë puna drejtuese varej nga Kliti. Për fat , kishte një vit që kishte
nisur si teknik në Atelie Ladi Katroja, që ishte teknik ndërtimi shumë i mirë
dhe me përvojë shumë të madhe nga Ndërmarja e Ndërtimit. Ladi e njihte mirë
ndërtimin dhe se ç’specialistë duheshin kërkuar për punime të veçanta, që nuk i
bënte dot brigada e Ateliesë.
Në dhjetor ekipi “i madh” nga Tirana arriti dhe ndonëse nuk i
kujtoj të gjithë, por veç Camit dhe zv.ministrit Nazmi Skuqi ishin Hamit Beqja,
Shefik Osmani, Teuta Hoxha. Këtë të fundit e kujtoj se jo vetëm ishte e
paraqitshme, por dihej edhe që ishte e shoqja e Ilir Hoxhës dhe bëri një pyetje
delikate, të cilës as unë dhe as Myslim Islami nuk dinim si t’i përgjigjeshim.
Pyeti pse nuk ishte pasqyruar roli i Faik Konicës dhe sidomos i revistës së tij
“Albani” në gjuhën dhe arsimin kombëtar. Ne ngritëm supet dhe u munduam ta
justifikonim me “platformën” e miratuar, e cila nuk e përmbante Beun e famshëm.
Dikush, ndoshta Hamid Beqja i pëshpëriti diçka dhe të gjithë e “hoqëm qafe”
Konicën. Ndërsa spjegoja mbi një maket të hapur të të dy kateve të ndërtesës,
se si do ishte i organizuar Muzeu, më binte në sy vështrimi pa asnjë ngjyrë i
Tefta Camit. Mu duk që nuk kuptonte asgjë.
Projekti u miratua se duhej miratuar dhe koha nuk priste.
Miqtë nga Tirana ikën dhe ne “duhej ta ngrinim Muzeun”. Në dy muaj e gjysëm
dimri, duhej bërë njëkohësisht edhe përfundimi i restaurimeve edhe punimet për
interieret e Muzeut. Nuk ndjenim ndonjë “frikë“ se të gjithë e dinin që puna
nuk na ishte dhënë në kohën e duhur. Shpesh qeshnim me të madhe, me anekdotat
kundër sistemit, që na tregonte piktori Dhimitraq Kolevica, i cili vinte herë
herë të na vizitonte bashkë me Vasin. Nuk mbaj mend me saktësi nëse këtij të
fundit i kishim dhënë të bënte ndonjë reliev në qeramikë për Muzeun, por
ndoshta dy pjata të mëdha me portretet e motrave Qiriazi, për t’i realizuar
bashkë me Ladi Topin.
Kam harruar të përmend piktorin Raqi Kuqali, i cili ishte
punonjës i Muzeut të Korçës dhe natyrisht që ishte pjesë e grupit. Raqi ishte
njeri fjalëpak dhe shumë i mirë, ndonëse pak i trembur, nuk e di pse. Na
tregonte nën zë, se si e kishin detyruar në fillimin e viteve ’70 të lyente
tegelat e xhinseve me bojëshkrimi, se i kishte të çelura dhe ju dukeshin instruktorëve
të partisë si imitime pantallonash të kaubojve amerikanë. Raqi punonte pa u
ndjerë dhe e bënte punën me shumë merak. Ishte një atmosferë e mirë pune, ku
shkëmbeheshin mendime pa u imponuar dhe pa ngritur zërat. Herë herë ngacmonim
Koço Ristanin të na tregonte nga përvoja e tij në Muzeun Kombëtar dhe ai nuk
hezitonte të tregonte se si ishin realizuar në atë muze pavionet e ndryshme.
(vijon)
No comments:
Post a Comment