Po bëhen 35 vjet, kur nisëm punën për Muzeun e Mësonjtores së Parë. Kishim nderim të përzjerë me frikë prej saj. Flas më shumë për atë, që ndjeja vetë në atë kohë, por po e përgjithësoj edhe për të tjerët. Them një lloj frike, që më kishte mbetur prej vegjëlisë nga “mistika” e rëndësisë së saj. Kur isha 7 vjeç, kishat u mbyllën dhe u anatemuan, ndaj Mësonjtorja kishte krijuar tek unë ndienjën e qiellores. Ndoshta ma kishte krijuar edhe im atë, që e deshte veçanërisht Korçën dhe përpjekjet e saj për të bërë Shqipëri.
Nuk jam I sigurt, se pse ngritja e Muzeut mbeti tek ne dhe
nuk u angazhua njeri nga Tirana, duke qënë se ishte Muze Kombëtar. Mbase koha e
shkurtër dhe mungesa e dëshirës për të punuar në Korçë duhet të ketë ndikuar më
shumë se marrja përsipër nga autoritetet e rrethit. Megjithatë ne kishim patur
një përvpjë të mirë gjatë atij viti, kur Ekspozita e Kulturës Popullore fitoi çmimin
e parë në Konkursin Kombëtar të vitit 1986. Ndoshta kjo ka ndikuar në vendimin
e përbashkët midis Ministrisë së Arsimit dhe Komitetit Ekzekutiv për tu
projektuar i gjithë Muzeu në Korçë. Ndoshta edhe pse një “armatë“ me arkitektë
në Tiranë kishin nisur punë për interireret e Piramidës, që do hapej më 1988. Kliti
ndërkohë si punonjës i Monumenteve kishte punuar për projektin e restaurimit të
Mësonjtores.
Kliti nuk ishte korçar dhe kishte ardhur nga Tirana në vitin
1968, por kishte krijuar një lidhje shumë të fortë shpirtërore me qytetin, ndërtesat
dhe njerëzit e tij. Në vite u bë ndoshta “më korçar se korçarët”, ndoshta edhe
pse nga ana e Dritas, nënës së tij, ishin të gjithë voskopojarë. I bashkëngjitëm
grupit edhe disa miqtë tanë artistë, duke nisur me Koço Ristanin, nipin e At
Vasilit të shquar. Gjithashtu skulptorin e talentuar Ladi Topin, piktorin Berti
Plumbi dhe teknikun e ateliesë Dhimtraq Kotin. Na mungonte koha e mjaftueshme
dhe mjetet për të realizuar një vepër, që mendonim se meritonte Mësonjtorja e
Parë. Patëm ndihmën e pakursyer të Gjergji Cikopanit dhe Kiço Meles, por edhe
të dardharit Niko Llaci në Ministrinë e Kulturës.
Ende kujtoj nderimin për Korçën dhe shkollën e Parë, nga dy
durrsakë të thjeshtë, magazinierë në Depot e rezervave në Durrës, Osmani dhe
Rexhepi, që i drejtoheshin njëri tjetrit në dialektin e Shqipërisë së Mesme, me
“superlativa” për Korçën. Aty patëm shkuar për të gjetur ndonjë material
importi, të mbetur nga koha e Muzeut Kombëtar. Duhet të them se nuk kishim as
rapidografë për të punuar për projektet dhe mezi morëm dy komplete një për mua
dhe një për Klitin.
Kështu nisi në vjeshtë dhe për fat, Natyra na ndihmoi me një
dimër të butë për të realizuar punimet për përgatitjen e Muzeut më 7 mars 1987.
Kush ka punuar në atë kohë në objekte, të cilat kanë një datë të caktuar
përurimi, e dinë që edhe nëse punohet me 3 turne, deri sekondën e fundit kur
pritej shiriti, në dhomat e fundit mbërthesheshin gozhdët e fundit. Dhe ishte
një ciknë tre ditët e fundit, që “prisnim gozhdë“ ndërsa pritej të vinin “të
mëdhenjtë“.
Ngritja e Muzeut kishte problem të mëdha, që lidheshin edhe
me një shikim “të dyfishtë“ për kohën kur bëheshin. Akujt po shkriheshin dhe të
gjithë flisnim më hapur për “marrëzitë e sistemit”. Ndaj edhe pse kishim një
platformë të miratuar, u munduam të theksonim sa më shumë pjesën e “vjetër” të
Muzeut, që ishte “jo propagandistike” dhe periudhës së socializmit t’i
kushtonim më pak rëndësi. Edhe historianët e ardhur nga Tirana na mbështesnin.
Na dhanë një laborator të shkollës Themistokli Gërmenji, që të punonim të
gjithë si grup. Dy muajt e fundit afruam edhe arkitektin Ilia Lera, që atë kohë
sa ishte diplomuar dhe nuk e kishin emëruar akoma. Nga Tirana kishin sjellë
edhe dy specialistë që kishin punuar për Muzeun Kombëtar, piktorin Hiqmet
Agolli dhe një dizenjator, të cilin Berti Frashëri e quajti “Muku i Vogël”, se
ishte i shkurtër , i shpejtë dhe zhdukej vetëtimthi pa bërë ndonjë gjë. Kjo
ishte në fazën e realizimit të stendave dhe vitrinave, që u krye në sallën e
gjykatës së re, shtesë e bërë tek ndërtesa ku ishte dikur Muzeu i Korçës.
(vijon)
No comments:
Post a Comment