Saturday, 27 March 2021

Përse “ndjenja e të drejtës” është në interes të çdokujt


Diçka ka ndodhur në Korçë, që ndodh shpesh në Shqipëri, në Europën Lindore dhe në shumë vende të botës. Bashkia (dmth shteti), pasi ka shpronësuar disa vite më parë pronarët e një trualli në afërsi të stadiumit, ja jep një pjesë të tij një investitori privat për të ndërtuar një hotel. Me siguri duhet të jetë e bazuar ligjërisht dhe ndoshta hyn në praptikat “partneritet privat-publik” ose PPP.

Nese e thjeshtojmë pak veprimin e vendorëve në bashkëpunim me investitorin është si më poshtë: “Sipas ligjeve të shtetit shqiptar, le të shpronësojmë pronarët në një vend të mirë për investim dhe t’ja u japim miqve tanë për pak para.” Ide nxitëse, e menduar mirë, me koncept të qartë ekonomik në fitim të publikut, investitorit dhe ofiqarëve. Pra të gjithë mbeten të kënaqur…veç pronarëve të ligjshëm të trojeve. Por ata janë një pakicë!

E bëra këtë hyrje , jo për tu marrë me “akrobacitë“ e Ramës dhe “kukullave” të tij në rrethe, por për të hapur një temë rreth raporteve të “ndjenjës së të drejtës” me “interesin vetiak”.

Një miku im i kohëve të rinisë, kishte një raport pakëz të çuditshëm me “ndjenjën e të drejtës” dhe “interesin vetiak”. Sipas tij e para ishte shumë e përkulshme dhe ishte e dyta, e cila mbizotëronte. Për shembull, një shef seksioni I njohur për padrejtësitë e tij, mund të quhej “i mirë dhe i drejtë“, sepse i kishte bërë mirë mikut tim dhe pak rëndësi kishte opinion I përgjithshëm. Rastet e ngjashme ishin të shumta dhe jo vetëm për gjykimin e njerëzve.

Po le të vimë tek ngjarja e fundit e Korçës dhe pse mendoj, që “ndjenja e të drejtës” nuk është diçka “në hava” apo “idealiste”, por që ndikon drejtpërdrejt në interesin vetiak të çdokujt.

Kur u shpronësuan pronarët e ligjshëm tek stadiumi, le të themi në vitin 2017, pa e ditur me saktësi, të gjithë e kuptuan dhe e dinin , që nuk ishte aspak e drejtë edhe pse ishte e mbështetur në ligj. Njerëzit indinjoheshin, hamendësonin se pse bëhej, ju qanin hallin pronarëve, por thuajse të gjithë “mbanin sehir”. Ndoshta një pjesë jo e vogël ndjente atë gëzimin e lig, që haset jo rrallë në vendet e Ballkanit “E o mirë ja u bënë që ja u morën!” Ndaj askush nuk bëri përpjekje të solidarizohej, të ngrihej në protestë ndaj atij vendimi, të tregonte forcën e Bashkësisë dhe të vinte në vend “Të drejtën”.

Tani përsëri publiku e merr vesh se ç’ka ndodhur. Të gjithë indinjohen, bile edhe ata, të cilët ishin gëzuar nga shpronësimi. Në mënyrë të ngjashme mendojnë me zili “ Po ce ja dhanë fistëkut që do nxjerrë tërë ato leka!” Dhe përsëri thuajse të gjithë nuk solidarizohen, nuk bëzajnë publikisht, nuk ngrihen për të kundërshtuar këtë aferë korruptive.

Për fat të keq, një ditë ju vjen rradha, ndoshta jo me pronën e tyre, por me lulishten publike, me kodrën e Belvederes, me sheshin para teatrit, me rrugën para shtëpisë, me ajrin e ndotur, me antenat emetuese të valëve të rrezikshme dhe me shumë gjëra të tjera, që ju cënojnë lirinë, shëndetin, sigurinë dhe mirëqënien e tyre dhe të fëmijëve.

Por nuk arrijnë të kuptojnë(si dikur miku im i rinisë), që “E Drejta”, më shumë se një kategori morale apo ligjore, është e dobishmja për gjithsejcilin. Ndaj kurrë nuk duhet thënë:

Po mua ç’më hyn në qese kjo punë?! 

No comments:

Post a Comment