Friday, 12 March 2021

A ju kemi prishur gjumin e përjetshëm stëgjyshëve?


Atdhetaria nuk është vetëm Flamuri.

Atdhetaria nuk është vetëm të rënit gjoksit se jam shqiptar.

Në rradhë të parë është gjuha. Edhe Bibla nis me: “Në fillim ishte fjala!”

E kishin kuptuar këtë stërgjyshët tanë, kur u ngritën në të madhërishmin “Miting i Shkronjave” në mbështetje të vendimeve të Kongresit të Manastirit të vitit 1908.

Mbi dhjetmijë korçarë të veshur më bukur se për dasmë u ngjitën një mëngjes të ftohtë shkurti në kodrën e Shën Dëllisë dhe të gëzuar e me pathos, folën për gjuhën dhe  kënduan “Këngën e Alfabetit”. Eshtë në atë Miting më shumë se në Vlorë, ngritja e Flamurit shqiptar. Të mençurit stërgjushërit tanë e dinin që pa gjuhë të shkruar nuk bëhej Shqipëri!

Dhe ja ku jemi ne, stërnipët e tyre bastardë!

Nuk e them vetëm për ata që  kanë përçudnuar ABC-në e bukur. Por për të gjithë ne që nuk ngrihemi e të shkojmë para atij tempulli e të këndojmë “Bë a ba, bë e be ba be, bë i ba be bi, bë o ba be bi bo…” si kanë kënduar të mallëngjyer disa breza korçarësh.

Shqipëria është Korça!

Na i kanë thënë stërgjyshët, na i kanë përsëritur gjyshërit, na e kanë pëshpëritur në vesh baballarët, me frikën se mos dëgjoheshin nga Diktatura.

Nuk duhet ta harrojmë këtë, për mos ju prishur akoma më shumë gjumin e përjetshëm të parëve tanë!

No comments:

Post a Comment