Monday, 22 March 2021

Arkitektura “mashtruese”


A ka arkitekturë mashtruese?

Ndoshta është një term i sforcuar, por nuk gjeta më të saktë, për të përcaktuar një lloj “stili”, i cili po imponohet në Tiranë nga Rama dhe arkitektët e huaj, të cilët “ i vinë pas hyqeve”.

Janë në ndërtim e sipër dy vëllime stërmëdha, njëri që ka për fasadë kryesore hartën e Shqipërisë dhe tjetri portretin e Skënderbeut.

Ide më naïve nuk ka, por nuk hasen për herë të parë në arkitekturë. Ndodhin në vende të botës së tretë.

Edhe pse dyshoj shumë në shijet arkitekturore të kryeministrit shqiptar, mendoj se në këto dy raste, por edhe të tjera të pazbatuara, më shumë se difekti në “shijet” është një lloj mashtrimi për publikun, me vepra gjoja kombëtare, për të justifikuar stërmadhësinë e tyre. Një lloj “kitch” arti folkloriko-patriotik, që bëri edhe ish-kryeminstri maqedonas Gruevski në Shkup.

“Nënshtrimi” i arkitektëve të huaj për këtë lloj stili, ka të bëjë shumë për mendimin tim me nënvleftësimin që i bëjnë projektuesit e huaj Tiranës. Ata nuk janë naivë, por kuptojnë se “ç’mall” kërkon kryeministri për “t’ja shitur” më lehtë popullit të tij.

“Superbinaja”, që ka hartën e Shqipërisë po ndërtohet nga Grupi Kastrati dhe është 40 kate mbi tokë dhe një vllim jo vetëm stërmadh, por dhe I shëmtuar. Edhe pse heshtin arkitektët shqiptarë, sidomos ata që jetojnë në Tiranë, janë të tmerruar nga ky ndërtim. I ngjashëm do jetë dhe ai me portretin e Gjergj Kastriotit dhe nëse Rama nuk do ndeshet me reaksion të fortë dhe do jetë ende kryeminstër, ka rrezik të ndërtohen “qiellgërryeset” me fytyrën e Ismail Qemalit, Adem Jasharit dhe ndoshta edhe të tijën. Për portretin e Kadaresë ndoshta do zgjidhet jo një “superbina”, por diçka më pranë kulturës, që edhe Is mos reagojë me përçmim.

Kam kaluar të paktën dy herë në ditë pranë Këndit të Lojrave për fëmijë, ku sot po ngrihet “përbindëshi Shqipëri” dhe e kuptoj se ç’lloj ndjesie të jep prania e tij. Nuk di historinë e kthimit të pronave në atë “rrip lulishte”, por që aty nis rrugëtimi i “monstrës” të miratuar nga piktori i dështuar Edvin. Ndoshta kthimi i pronave ka të bëjë me Berishën, Metën ose me hajdutë të tjerë. Por “vjedhja” shpirtërore që ju bën banorëve të Tiranës Rama, për të mbushur xhepat e Kastratëve dhe pak edhe xhepat e tij është të paktën shekullore. Më pas ndoshta do vijnë njerëz, që jo vetëm do qeshin me “idiotllëkun tonë memec”, por edhe do i pastrojnë këta “dinosaurë të arkitekturës mashtruese” të Ramës dhe miqve të tij të huaj.

Lum kush të rronjë! 

No comments:

Post a Comment