Tuesday, 9 March 2021

Biseda "te pakryera" me babane (Artet Figurative)


Unë:
Ti ishe i apasionuar pas pikturës dhe skulpturës. Nuk lije asnjë rast, edhe kur vije në Tiranë, pa vizituar Galerinë e Arteve. Cilët kishe miq mes piktorëve?

Ai: Nderimin dhe vlerësimin më të madh e kam pasur për Vangjush Mion, për të cilin nuk mund të them se e kisha mik të afërt, po njiheshim shumë mirë. Më kishte dhënë mësim në Lice, por më nga afër u njohëm pas luftës. Ishte njeri i mrekullueshëm. I qetë, i thjeshtë, pa asnjë shtirje dhe mendjemadhësi, Mioja ishte piktori-njeri. Më vinte keq ndonjëherë kur e shihja të merrte n krahë pjesë dekoresh nga Pallati i Kulturës e t’i shpinte në Teatër, ku punonte si skenograf. Ishte jo vetëm piktori më i madh, që ka nxjerrë Shqipëria, por edhe artisti më human mes atyre, që kam njohur.

Mioja krijoi një traditë shumë të mirë të pikturës në Korçë dhe prej tij mësuan shumë breza artistësh, sidomos një pjesë e tyre drejtpërdrejt prej tij, si Guri Madhi, Vangjush Tushi, Rafail Dembo. Edhe pse nuk arritën të dalin peisazhistë, që të ishin pranë nivelit të Mios, ndikim pati edhe tek të rinjtë Roland Karanxha, Sotiraq Kuqali, Ruzhdi Goskova, Dhimitraq Cika e të tjerë. Nga arti i tij kanë mësuar (ata që kanë ditur të mësojnë) të gjithë piktorët shqiptarë.

Unë: Nuk më ke treguar për vdekjen dhe përcjelljen e tij në banesën e fundit, por jam çuditur kur kam parë një foto të funeralit dhe nuk kishte asnjë autoritet partiak apo edhe të kulturës nga Tirana.

Ai: Vangjushi ishte shumë i thjeshtë dhe nuk kërkonte asnjë favor si në autoritetet në Korçë ashtu dhe në Tiranë. Kur ishte gjallë nuk u kujtua askush për të. Pas vdekjes, shtëpia u bë muze me porosi të Enver Hoxhës, që e kishte patur koleg në Lice. Mioja tregonte, që në një përvjetor të Enverit(ndoshta më 1948), kishte shpënë në Tiranë për t’i dhuruar një portret, që i kishte bërë kur ishin në Lice, po as e kishte takuar dot dhe portreti i dorëzuar tek të tjerët humbi. Nuk u mësua ndonjëherë fati i asaj pikture.

Kur vdiq e përcolli me dashuri gjithë Korça. Ishte nga një familje e vjetër korçare dhe veç kohës së studimeve nuk ishte shkëputur prej saj. Në vite, të gjithë të huajt, që kam shoqëruar në Korçë, mbeteshin pa fjalë kur vizitonin studion-muze të Mios. Për muzeun kujdesej me dashuri vajza e tij, Rozeta, e cila gjithashtu ishte piktore, kryesisht në gjininë e akuarelit.

Unë: Po tradita e pikturës në Korçë duhet të jetë shumë më e hershme se Mioja, pasi jo vetëm që kishte shumë kisha ortodokse të mbushura me afreske, piktura murale dhe ikona, por edhe çdo familje blinte të paktën një ikonë për në shtëpi. Kështu që kërkesa për piktorë duhet të ketë qënë shumë e madhe jo vetëm në qytet, por edhe në gjithë krahinën. Dhe atje ku ka kërkesa nuk ka se si mos dalin talentet.

Ai: Krahina dhe vetë qyteti kishin nxjerrë plot breza piktorësh, ku më të shquarit kanë qënë të familjes Zografi. Kur kam erdhur në Korçë, i dëgjura ishte piktori dardhar Zengo, i cili kishte marrë përsipër pikturat murale të Kishës së Burimit Jetëdhënës. Punonte sëbashkiu me vajzat e tij Androniqi dhe Sofia, të cilat e vazhduan veprimtarinë e tyre si artiste të kavaletit edhe pas luftës së dytë.

Piktor shumë i mirë ishte edhe Spiro Xega, vepra e të cilit mund të futet në kornizën e pikturës natyraliste akademike. Xega ishte nga Lavdari i Oparit dhe kishte qënë disa vjet në Stamboll, ku kishte mësuar të pikturonte pas disa piktorëve grekë të ikonave. E kisha takuar disa herë në shtëpi dhe kishim folur për Stambollin dhe përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi. Nuk punonte më se ishte i sëmurë dhe i shtyrë në moshë. Ishte atdhetar i vërtetë dhe dy punët e tij më të njohura janë “Skënderbeu në kalë“ dhe “Ceta e Shahin Matrakut”. Kjo e fundit është ndër veprat më të mira shqiptare të fillimit të shekullit të XX-të.

(vijim)

No comments:

Post a Comment