Thursday, 11 March 2021

ABC-ja e hajdutllëkut


Në fushën e ndërtimit ka një “abetare” të vjedhjes së vazhdueshme të fondeve qeveritare. Quhet rikonstruksion i vazhdueshëm. Nuk e kanë shpikur në Tiranë apo në Korçë, por në vendet tona, si ndodh rëndom, mësimet e marra prej të huajve, çohen lart e më lart deri në kufijtë kur është e vështirë edhe ti quash “marrëzi”, se janë shumë më tutje, në hapësira të panjohura. Në Korçë e aplikuan me rikonstruksionin e Bibliotekës dhe me “rotacionin” e shumë institucioneve.

Tani, për të përfituar ca pak fonde shtetërore për t’i shpenzuar për pushimet e verës apo edhe për fushatën, disa drejtues të Bashkisë së Korçës apo të institucionit që administron Muzeun e Arsimit, e prishin kompleksin skulpturor të ABC-së, që është shndruar në një simbol të qëlluar të rëndësisë së alfabetit shqiptar dhe shkollës së parë shqipe.

Përse?

Për disa metra katror me pllaka, që kanë kërkuar një projekt ku vidhen paratë dhe zbatimin ku paratë vidhen edhe me më shumë lehtësi.

“Shkronjat tona janë të arta” janë mbjellë si presh në lulishten e objektit për tu rritur ose për tu mbuluar përfundimisht një ditë me dhe.

Piedestali i ulët, që ishte konceptuar si “kartë“ për të shkruar “gjuhën e artë“ është prishur përfundimisht dhe kallamari me penën gjithashtu janë ngulur në tokë, pranë rrethimit ekzistues.

Nuk mendoj se dikujt i vriste sytë kompleksi, por për “dy kacidhe” fyhen gërmat tona, gjuha jonë dhe përpjekjet e rilindasve? (Nuk e kam fjalën për këta “ridhjeresat” e sotëm!)

Hajdutët shqiptarë kanë kohë që kanë arritur tek ZH-ja e hajnisë.

Do shpikin vallë të tjera shkronja?

No comments:

Post a Comment