Tuesday, 2 March 2021

“Viçi i artë i bibliofilëve” tanë


Diçka ndodhi në takimin vjetor të konservatorëve amerikanë sivjet, që më solli në mendje një ndodhi të rretheve letrare shqiptare, që përsëritet tash e 30 vjet.

Disa adhurues të zjarrtë të “The Donald” kishin porositur një shtatore të artë të tij, kuptohet jo si ato antiket, por të veshur me një kostum që për “dizajn” kishte flamurin amerikan. Komentatorët i bënë menjëherë krahasimet me Biblën dhe me “viçin e artë“, që zemëroi aq shumë Moisiun e madh të hebrejve.

E çuditshme është që ndodh në një vend, ku “kulti i individit” dhe idolatria nuk kanë traditë, por duket që në thellësitë e errëta të ndërgjegjeve të njerëzve,(ndoshta edhe në DNA-në e tyre) është i ngulitur prirja për tu përgjëruar për një “Shpëtimtar”.

Në fund të janarit, Ismail Kadareja mbushi 85 vjet dhe i gjithë kombi i uron jetë të gjatë dhe mundësisht edhe vepra të tjera. Eshtë vërtet shkrimtari më i mirë shqiptar dhe më prodhimtari ndër ata të klasit të pare të letërsisë shqipe. Por sa më shumë kalon koha, aq më tepër tejzmadhohet “kulti i Kadaresë“, gjë që përbën rrezikshmëri edhe për veprën e Kadaresë dhe jo vetëm për letërsinë shqiptare.

Në garë për të ngritur edhe përtej qiejve shkrimtarin tonë, janë vënë këtë rradhë jo vetëm të zakonshmit “studiues” dhe botuesi i shtëpisë “Onufri”, Bujar Hudhri”, por edhe gazetarët, të cilët më shumë se kushdo kanë përgjegjësinë për të qënë më objektivë dhe për të informuar si duhet publikun.

Gazetari Mero Baze shkruan një artikull të titulluar “Njeriu që futi shqiptarët në listën e popujve të pavdekshëm”, ndërsa gazetarja Alba Malltezi, me një parashikim nostradamesk e titullon artikullin e saj “Një si Ismail Kadare vjen një herë në 500 vjet”. Një tjetër gazetar i njohur, më ka shkruar vite më parë: “Jam betuar të mos botoj asgjë kritike ndaj Ismailit!”

Nuk i lexova artikujt e Bazes dhe Malltezit, sepse gjykova që nuk do isha në gjendje të përballoja “përgjërimin e marrë“ të dishepujve të rinj të Is, se duhet thënë që Kadareja ka pasur shumë dishepuj që në vitet ’60.

Po pse është e rëndësishme të shkruhet edhe në mënyrë kritike ndaj Kadaresë dhe të mënjanohet “idolatria” ndaj tij?

Jo thjesht për hir të së vërtetës, por për të ndihmuar letërsinë tonë, që të lexohet më shumë, deklarata të tilla si e Malltezit vetëm “shkurajojnë“ të rinjtë shqiptarë të lexojnë dhe të shkruajnë. I detyrojnë të mbeten injorantë rreth letërsisë shqiptare dhe botërore,si mund të jenë edhe Malltezi dhe Baze, që deklaron se populli shqiptar ka rrezik të zhduket, po të mos kishte nxjerrë Kadarenë!

Nuk arrij të kuptoj, pse shumë njerëz që lexojnë e shkruajnë e duan të “lidhur” në një farë mënyre emrin e tyre me emrin e Kadaresë. Më kujton batutën e famshme të Guri Miçinotit, që i theshte në barin e Lidhjes së Shkrimtarëve Ibrahim Uruçit ndërsa ky pinte kafe në një tavolinë me Ismailin: “Ibrahim mos e dish se talenti është si gripi dhe të ngjitet, po t’i rrish pranë“.

Ka të tjerë, të cilët nuk e kanë pëlqyer Kadarenë, por blejnë të gjithë veprën e tij të plotë, për të mbushur bibliotekën edhe pse nuk kanë ndërmend t’i lexojnë gjithë veprat e tij. Një zakon ky i ngjashëm me blerjen e veprave të Enver Hoxhës. Në fund të fundit libri në Shqipëri nuk kushton shumë!

Që Ismailit i kanë pëlqyer gjithnjë elozhet, kjo është një njohuri shumë e vjetër e rretheve letrare të kryeqyetit. Në të kundërt ai vetë do kishte sugjeruar tek shumë njerëz të afërt me të (si Hudhri e ndonjë tjetër) të mos bënin shkrime panegjerike për të.

Por a i shërbejnë elozhet ndaj tij, “popullit që ai po bën të pavdekshëm”?

Aspak!

I shtojnë kompleksin e inferioritetin dhe konfuzionin se- “çdo ndodhë me ne kur largqoftë!”, sikundër theshin një pjesë e mirë e shqiptarëve paraditen e 11 prillit 1985. (Atë ditë edhe vetë Ismaili ishte i detyruar të shtirej si i pikëlluar.)

No comments:

Post a Comment