Një reagim i “muzealistit” Niko Kotherja rreth kritikave të një mjeku korçar në Itali, më sollën në mendje reagimet “peleshfansave” në vitet kur kritikoja Kullën dh endërtimet e tjra të gabuara në Korçë. Argumenti më “gojëmbyllës” ndaj korçarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë është “Po ta deshit kaq shumë Korçën pse nuk rrinit këtu, ose të vini tani dhe të bëni ato që thoni!” Nëse do thuhej vetëm nga papagajtë e Niko-Raqkës do kishte pak vlera të merresha me të. Por diçka të ngjashme më ka thënë ato vite edhe një kolegu im: “Ne e kemi humbur të drejtën morale të kritikojmë, se jemi larguar nga Korça!”
Unë nuk e di se kush ma ka dhënë mua të drejtën morale të
kritikoj Trump, Bajden, Ramën, Kadarenë, Berishën, Peleshin, Butros Butros
Butros Galin, Putin dhe mijra të tjerë. Eshtë një e drejtë e cilitdo, që merr
frymë dhe mendon. Nuk ka pse “të aplikojë“ për “të drejtë morale” në asnjë lloj
zyre në botë, nëse ekzistojnë zyra të tilla.
Një tjetër “peleshfan”(ose “antipeleshfan”, që është e njëjta
gjë), me pseudonimin “Miu i Gjirizave”, komenton në të njëjtën frymë me
Kotheren, rreth “korçaroligësisë“ sime, rreth “dezertimit” apo cilësisë së dobët
të shkrimeve, sa herë këto prekin ndërtimet në Korçë.
Ndërtimet janë të lidhura me paratë dhe prandaj shkrimet
ndaj tyre janë shumë shumë “ngacmuese”. Mund të të “hidhen në grykë“ për
dashakeqësi, për inkompetencë, për dezertim, për nihilizëm, për “mosecje me kohën”,
për interesa politike dhe deri në bashkëpunim me shërbimet e huaja. Dhe atëhere
e kupton se ke njëfarë të drejtë, ose je në një linjë me opinionin e përgjithshëm
të qytetarëve të Korçës. Në të kundërt askush nuk do përpiqej të të “mbyste”.
Diku kam shkruar për gabimet e bëra në ndërtimet në Montreal
apo në Milano. Nuk jam i sigurt nëse kam shkruar edhe për Athinën, për të cilën
kam opinionin se nuk është ndërtuar mirë. Dhe kështu, jo vetëm si arkitekt, por
edhe si njeri i thjeshtë, kam të drejtën morale të shpreh mendimet e mija për
hapësirat ndërtimore, të cilat më pëlqejnë ose jo. A kam dhënë ndonjë argument
rreth tyre? Me sa di dhe sa më mundet jam pëprjekur të spjegoj “pse” dhe jo të
them “më pëlqen” ose “nuk më pëlqen”. Dhe i përmenda këto për të thënë se kur
shkruaj për Korçën, nuk është se kam një të “drejtë morale” më të madhe apo më
të vogël. Thjesht e njoh më mirë.
Unë nuk e fus veten në patriotët apo atdhetarët. Madje
shpesh herë kam përmendur se flamujt më sjellin bezdi. Ndaj edhe mund të “akuzohem”
si dezertor i Luftës Patriotike, ndonëse unë dhe ata që mund të më akuzojnë nuk
e kemi të qartë se ç’është kjo luftë. Globi, hapësira e përbashkët e gjithë
njerëzve, duhet trajtuar me dashuri dhe kujdes se është Mëmëdheu i të gjithëve.
Ka një pjesë më të veçantë të tij për cilindo, që e sheh gjithnjë ëndrrave.
Për mua është Korça. Por ajo vjen vetë në ëndrrat e mija
thuajse çdo natë dhe jo se e ftoj unë.
No comments:
Post a Comment