Sunday, 21 March 2021

Kujtime "te gervishtura" nga nje mekat (fund)

 


(vijim)

Javën e fundit filloi një ciknë e madhe dhe ishim të detyruar të sillnim (nuk di se prej ku) termoventilatorë të fuqishëm për të tharrë muret e porsalyer dhe për të patur kushte pune për disenjatorët dhe gjithë punonjësit e tjerë, që punon njëkohësisht. Kishim kaluar “me sukses” edhe vizitën e Sekretarit të Parë, Mihallaq Qiriakos, që duhet thënë se ishte një njeri i thjeshtë, i ndryshëm nga kapadaijtë, për të cilët kisha dëgjuar më parë. Erdhi një mbrëmje dhe e shoqërova vetëm, se nuk qëlloi as ndonjë punonjës i muzeut apo historian. I spjegova se ç’ishte bërë dhe ç’kishte mbetur dhe nuk bëri asnjë vërejtje, përveç se duke dalë, i zyri syri një gdhë të hequr në një dërrasë të dyshemesë, që kishte lënë një vrimë. “Zerreni atë vrimën!” më tha me seriozitet dhe unë i premtova, që vrima do mbushej shumë shpejt. Qeshja me vete dhe nxitova t’ja tregoja të parit që takova.

Ditët e fundit “u gdhimë“ dhe shkonim të flinim për dy tre orë në shtëpi. Për fat ishte afër me apartamentin tim dhe mëngjesave të pazbardhur përshëndetesha me fqinjët, që kishin zënë rradhë për qumësht në dyqanin përballë Mësonjtores. Nuk më kujtohet se ç’farë haja në mëngjes, por e di që ishte shumë e vështirë për vezë dhe bulmet dhe ato pak që ishin i ruanim për gruan time, që priste fëmijën e parë. Isha i gëzuar se do bëhesha baba dhe po aq të gëzuar ishim të gjithë në shtëpi. Mësonjtorja dhe gjithë “shpura” që pritej të vinte nga Tirana për përurimin e saj, ishin shumë pak të rëndësishme. E tatëpjeta e sistemit kishte nisur dhe edhe pse nuk dukej e afërt përmbysja, njerëzve ju kishte ardhur në majë të hundës prej kufizimeve në ushqime.

A pata ndonjë emocion gjatë përurimit dhe vizitës së Ramiz Alisë me kompani?

Asnjë veç lehtësimit, që kishte përfunduar. Një ditë më parë kishin ardhur për kontroll të hollësishëm njerëzit e sigurimit të udhëheqjes dhe një farë kontrolli trupor me paijse elektronike na i bënë edhe mëngjesin e 7 marsit. Pritëm disa orë brenda duke kontrolluar edhe hollësitë e fundit dhe më pas dolëm të prisnim edhe ndonjë gjysëm ore në hyrje, në një të ftohtë të hidhur. Alija i shoqëruar nga Adil Carcani, Foto Cami, Nexhmije Hoxha dhe plot të tjerë, më duket se erdhën rreth orës 11-të të shoqëruar edhe nga “shokët e rrethit”. Nuk mund të them se më dukej një farsë, por nuk kisha asnjë ndjesi të mirë për ata njerëz, që kishin vrarë shokët e tyre. Isha 28 vjeç dhe kuptoja më shumë nga jeta. Më kishin mësuar që mos përulesha dhe lutesha para asnjë autoriteti, sado i lartë të ishte dhe për më tepër, për burrat me pallto të zeza, që kisha pranë gjatë asaj vizite nuk kisha as respektin më të vogël. Kujtoj vetëm që shkruan nga një fjalë në pllakat e mësimit, kur u ulën në bangot e shkollës. Edhe ata kishin mall për fëmijërinë e tyre. Më pas kujtoj vetëm, që Alija në një foto të luftës përmendi disa emra shokësh dhe mes tyre edhe Vaskë Kolecin, që kishte qënë në burg dhe I kishte shpëtuar “retushimit”. Po nuk dukej me ndonjë mllef. E kishte kuptuar absurditetin e fshirjes së pjesëmarësve nëpër fotot historike.

Këto ishin një pjesë e kujtimeve të atyre muajve, që “u ngacmuan” nga “transformimi” jo për mirë i Mësonjtores së Parë, gjatë këtij dimri.

A kanë ndryshuar njerëzit që punojnë për muzeumet dhe ata që drejtojnë, pas 34 vjetësh dhe pas ndryshimit rrënjësor të sistemit?

Në përgjithësi mendoj se sjelljet e njerëzve janë në varësi të sistemit ekonomiko-shoqëror. Atë kohë punonim, ashtu si punonim, jo se ishim më të zotë dhe më të përkushtuar, por se të tilla ishin kushtet. Mundoheshim të bënim më të mirën që dinim. Mësonim duke punuar dhe nëse punët dilnin mirë, jo vetëm ndjenim kënaqësi, por edhe kishim më shumë mundësi për të punuar në vepra të tjera.

Sot synimet e atyre që punojnë janë të njëjta, por të shoqëruara me një prirje (që e ka gjithë shoqëria shqiptare) për të nxjerrë përfitime materiale “ekstra”. Kjo shpie në një shpërndarje jo të mirë të punëve dhe natyrisht jo sipas meritave. “Banda projektuese” të caktuara krijohen pranë çdo Ministrije dhe çdo klani politik, të cilat ndajnë paratë me ofiqarët dhe ndërtuesit. Ndaj edhe pse materialet janë më të mira dhe njëkohësisht nuk ka pengesa ideologjike, cilësia e projekteve me fonde shtetërore bije dhe në rastin e Muzeve, çalon edhe konceptimi historik dhe ai i prezantimit të fotove, eksponateve dhe veprave të artit. Kjo ka ndodhur edhe me Mësonjtoren e Parë dhe do vazhdojë të ndodhë edhe me muzeume të tjera kudo në Shqipëri. Mund të shpëtojnë objekte që ose bijen rastësisht në duar të mira, ose kanë fonde shumë të mëdha, ku ka “të vidhet dhe të mbeten”.

Në Korçë ndodhën shumë raste të tilla, sepse edhe u akorduan një sasi e konsiderueshme fondesh gjatë 8 viteve të fundit. Pa e parë muzeun e Gjon Millit mendoj se ka të njëjtat problem si Mësonjtorja. Gjithashtu të panevojshme ishin kthimi i Bibliotekës në Bashki, ngritja e Kullës së Sahatit dhe rikonstruksioni i ish-Shtëpisë së Kulturës. Por gabimet më të rënda arkitekturore, me pasoja për disa dhjetvjeçarë, janë ngritja e Kullës Vrojtuese dhe e Bibliotekës së Re. Thellë kam dashur të jem tërësisht I gabuar në gjykimet, që kam dhënë për to në momentet kur kam parë projektet dhe prisja të thoja “nuk qënkan edhe aq keq!” Kur i pashë në qytet, nisa të mos shkoja më në rrugët pranë tyre për t’i evituar.

E megjithë abuzimet, Korça ka shumë “vlagë”, se jo vetëm është ndërtuar mirë në vitet midis dy luftrave botërore, por dhe se është në shpirtin e korçarit, që do ta ketë shtëpinë e bukur. Dhe banesat private kanë qënë dhe do të jenë gjithnjë shumica e ndërtimeve të Korçës.

Ndaj dhe ajo do mbetet ndjellëse, e bukur dhe me cilësitë e një femre pak të ftohtë, por që di të mbahet mirë.

No comments:

Post a Comment