Kujtesa e njerëzve të veçantë (përfshi këtu edhe shkruajtësin e këtyre rrjeshtave) është shumë kapriçioze dhe e çuditshme. Asnjëherë nuk është plotësisht e saktë, ndaj edhe në shekuj është kërkuar që për ngjarje të vjetra e të reja, njerëzit t’ju drejtohen vetëm dokumentave. Kujtesa edhe nëse nuk ke ndonjë qëllim të errët të tradhëton.
A janë dokumentat tërësisht të besueshme? Edhe kur nuk janë,
ato, të shoqëruara me “kujtesën kolektive” përbëjnë një lloj garancie për “t’ju
vënë vulën” ngjarjeve historike të vogla e të mëdha.
Sot është 7 marsi, e njohur në gjithë Shqipërinë si Dita e Mësuesit
dhe që përkon me hapjen e Mësonjtores së Parë Shqipe në Korçë, ndoshta ngjarja
më e rëndësishme historike për shekullin e XIX, që për mendimin tim kalon edhe
atë të Lidhjes së Prizrenit. Pa gjuhën e
shkruar shqip, Fuqitë e Mëdha nuk do lejonin kurrë krijimin e shtetit shqiptar!
Kam shkruar herë tjetër, se në Shqipërinë e pasluftës, ka
pasur përpjekje për të minimizuar këtë ngjarje, ose më mirë për ta përvetësuar
nga të tjerë, sidomos Shkodra, me pretendimin se shkolla e parë shqip nuk është
hapur në Korçë. Përgjigjja më lakonike kundër këtij pretendimi, ka qënë
referimi i vargjeve të Naimit :Lumja ti o
Korçë, o lule/ Që le pas shoqet e tua?/Si trimi në ballë u sule? Ta paçim përjetë
hua!”
Po a i është kushtuar rëndësia e duhur kësaj dite? Edhe po
edhe jo, sepse është dita ku nderohen mësuesit në të gjithë vendin. Do kishte qënë
e udhës, që vizita në Mësonjtoren e Parë Shqipe, të ishte e detyruar për të
gjithë nxënësit e Republikës, për ta kthyer në një “Mekë“ të Arsimit dhe të
Shtetit Shqiptar. Kjo nuk është bërë dhe nuk bëhet dhe pse-të i dijnë lart, në
qeveritë e të gjitha kohërave.
Por me gjithë dashurin që kemi për Korçën, për Muzeun e
Arsimit, për mësuesit dhe arsimdashësit, na duhet të kemi kujdes me kujtimet
tona rreth Mësonjtores së Parë Shqipe, këtij tempulli laik të çdo korçari.
Deri në vitin 1964 (ose dhe pak më vonë), Mësonjtorja e Parë,
e falur nga patrioti korçar Mandi Tërpo, shërbente si shkollë fillore. Më vonë u
kthye në muze, pa fituar ende statusin e Muzeut të rangut Kombëtar. Disa herë
ishin bërë restaurime të vlefshme ose jo, por të gjithë shkonim me nderim para “avllisë“
së saj dhe në ditë të caktuara e vizitonim.
Rreth vitit 1980 duhet të jetë bërë restaurimi i saj i fundit,
që nuk është i njëjtë me gjendjen e sotme.
Kremtimi i 100 vjetorit të hapjes së Mësonjtores së Parë
Shqipe, Ditës së Arsimit Kombëtar ishte përcaktuar në instancat e larta disa
vjet para vitit 1987. Nuk kishte asnjë mëdyshje
se ajo ditë e shënuar mund të zbehej, ose të rrezikohej prishja apo çvendosja e
godinës! Regjimit të Hoxhës dhe të Alisë i duhej shumë ajo ditë dhe “qytetarinë“
e saj nuk e luante dot topi! Zaten ata vetë e kishin shpallur si të tillë.
Rastisi që në ato vite unë të punoja në Qendrën e Arsimit, e
cila jo vetëm e administronte atë Muze, por edhe vetë mua më kishin emëruar
atje për të qënë në “gatishmëri” për të punuar për Muzeumet, sikundër kishin bërë
parardhësit e mij, arkitektët Ylli Nashi dhe Aleko Papakozma. Ndaj dhe ishte
rrjedhojë e natyrshme të punoja për ribërjen e interiereve të Muzeut që do “ripërurohej”
më 7 mars 1987. Interesimi nuk ishte më lokal, por në rang kombëtar dhe e gjithë
platforma e Muzeut kishte më se 6 muaj që ishte miratuar, kur unë fillova punë
për të në shtator 1986. Ishte një material rreth 300 faqe, për të cilin duhet të
kishin punuar disa historianë të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, dhe
duke ditur ritmin e punës në atë kohë, mund të ishin marrë rreth një vit me të.
Ndaj vendimi për Muzeun dhe festimet e 100-vjetorit duhet të jetë marrë të paktën
në mesin e vitit 1985, në mos më parë.
Punimet e restaurimit, që drejtoheshin nga i ndjeri Kliti
Kallamata, me sa kujtoj kishin nisur në pranverën e vitit 1986, dhe me ngarkesë
të plotë, menjëherë pas përurimit të Ekspozitës së Kulturës Popullore, në
korrik të atij viti.
A do kishte ndërtesa e Mësonjtores së Parë Shqipe, vlerën
arkitekturore që ka sot, po të mos ishin festimet e 100 vjetorit?
Padyshim që ai përvjetor e “shpëtoi” tempullin e shqipes dhe
i dha një trajë të pëlqyeshme, e cila vlerësohet sot. Por ai është “shpëtimtari”
dhe asnjë emër i përveçëm. Në festimet e 100 vjetorit, në një të ftohtë të
hidhur që nuk mund ta harroj, “u shkul” e gjithë Tirana duke nisur nga Ramiz
Alija, Adil Carçani, Nexhmije Hoxha e deri në fëmijët e bllokmenëve. Nuk ardhën
as se kishin dëgjuar se në Korçë ishte bërë “mrekullia-muze” dhe as se në sajë
të “shpëtimtarëve lokalë“ po shkruhej si duhej historia.
Festa ishte
zyrtarizuar prej dhjetvjeçarësh dhe ju duhej të tregonin edhe se sa e vlerësonin
gjuhën tonë dhe arsimin!
(Për të qënë i drejtë duhet të them se e vlerësonin, por nuk
harroj që më 1987 na kishin lënë pa ngrënë dhe festa kremtohej nga mësues, punëtorë
dhe arkitektë, që nuk kishin gjalpë për të ngrënë atë mëngjes.)
Ndaj le të jemi më të thjeshtë dhe më të drejtë të gjithë me
të vërtetën!
Sikundër na kanë mësuar mësuesit tanë të vyer, duke nisur me
Pandeli Sotirin, Petro Ninin dhe NuçI Naçin.
No comments:
Post a Comment