Wednesday, 31 March 2021

Mbi Mësonjtoren ra muzgu i harresës


Ndoshta nuk e deshën që në fillimet e saj. Ndaj edhe shkollat nuk u quajtën më kurrë Mësonjtore. Ka mësues, shumë mësues, por vetëm një Mësonjtore. Ndoshta edhe mësuesve nuk ju duhet më as ajo dhe as misioni i saj. Në fund të fundit ishte shkollë private.

Dikur, kur punonim me Klitin për Muzeun, vinte dhe shikonte me kureshtje edhe mësuesi i atëhershëm i gjuhës, Ali Jashari, sot rektor i Universitetit “Fan Noli”. Ndoshta vinte për t’i rënë në sy eprorit të tij Gjergji Cikopana (i cili vërtet ishte shumë i angazhuar), se tani që është drejtues i institucionit arsimor më të fuqishëm të qytetit nuk bëzan për atë ç’ka ka ndodhur me Mësonjtoren. Ndaj edhe një peticion për rikthimin e merit të saj ështe firmosur nga jo më shumë se 2500 vetë. Universiteti ka mbi 4000 studentë.

Në bangat e “Mësonjtores së Parë Shqipe” (asaj që nuk ja kanë ndruar emrin ende) kanë kaluar mijra nxënës. Disa janë funksionarë të arsimit, disa të tjerë politikanë, disa historianë dhe disa edhe arkitektë. Asgjë nuk ngacmon ndërgjegjen e tyre, kujtesën e tyre për abetaren, mallin e tyre për mësuesit e parë. “Cështja Mësonjtore mund të më ngatërrohet kot nëpër këmbë gjatë kësaj fushate”- thonë me siguri shumë syresh.

Dhe ndërsa shumë ‘të devotshëm” thonë se do prononcohen posa ta vizitojnë e shtyjnë vizitën për vitin tjetër deri sa zhurrma të jetë “platitur”, ose kur gërmat e gurta t’i ketë mbuluar bari.

Ka shumë në Shqipëri, të cilët duan që “Mësonjtorja” të mbetet një dukuri lokale. Në Shkodër, Mirditë, Elbasan e gjetkë, kanë qarkulluar gjithnjë teoritë, se Mësonjtorja nuk është vendi i parë ku është mësuar shqipja. Ali Jashari, ky gjuhëtar me tituj, I njeh këto teori, por parapëlqen të heshtë, se në fund të fundit do të jetë në një linjë me Udhëheqësin Suprem dhe officerët e tij.

“ Le të mos zemë emra!” mund të hidhet ndonjë “bonist” i përhershëm. Por Pandeli Sotiri, Petro Nini, Nuçi Naçi, Mandi Tërpo dhe të tjerët kishin emra, i kishin përmendur ndaj dhe nuk i kemi harruar. Ndaj dhe i përmendim vazhdimisht, që “muzgu i qëllimshëm” i hedhur mbi ta mos “pastrohen” nga historia.

Korça nuk ka dalë ende nga letargjia e këtij dimri të vështirë.

Uroj të zgjohet sa nuk është tepër vonë!


Shenim: Videoja eshte pjese e nje "Tryeze" online e organizuar nga nje shoqate me qender ne Zvicer. U ftova nepermjet nje shkolle private ne Tirane. Ne Korce asnje nuk ndjehet.

No comments:

Post a Comment