Saturday, 20 March 2021

Kujtime "te gervishtura" nga nje mekat (3)


 (vijim)

Nuk jam i sigurt se pse Kliti vendosi të mbushte bodrumet e ndërtesës. Ishte ndoshta një këshillë konstruktorësh, se ai në përgjithësi kërkonte të ishte sa më pranë ndërtimit fillestar.  Me sa kujtoj ato ishin hapësira me gjysëm lartësie, nga ku në kohët e funksionimit origjinal, duhej të hyej me qepek dhe ndoshta shërbenin vetëm për mbajtje ushqimesh. Ndërtesa kishte patur shumë transformime në vite dhe hyrja e saj me erker të mbajtur nga kollonat e gurit, duhet të ishte e viteve ’30, pas tërmetit të madh. Shkalla gjithashtu nuk duhet të ishte në atë vend, se nga fotot e vjetra ishte zbuluar se ndërtesa kishte një erker në anën perëndimore, i cili nuk ekzistonte më. Erkeri ja shtoi shumë vlerat ndërtesës, sidomos në pamjen nga bulevardi, se më parë kishte qënë një faqe monotone muri e rrafshët me shumë dritare. Erkeri detyronte zhvendosjen e shkallës, të cilën u munduam ta zgjidhnim, edhe në funksion të skemës së Muzeut, se nuk kishte asnjë lloj shenje se ku dhe sim und të kishte qënë. Ndërtesa të asaj tipologjije nuk ishin të shumta në Korçë për të përdorur metoda krahasuese. Pra për të vendosëm të kishte dy rampa të vogla, në mënyrë që të lehtësohej lëvizja nga e majta në të djathtë për të vizituar pavionet. Idea ishte që si vizitohej pavioni i par, dy dhomat e bashkuara të krahut të majtë në hyrje, ngjiteshe në katin e dytë dhe filloje nga e majta në të djathtë të vizitoje pavionet dhoma, që ishin ndarë në Pavarësia, Periudha e Mbretërisë, Lufta nacional-clirimtare dhe Vitet e para pasluftës. Pastaj zbritej poshtë dhe vizitohej Socializmi, që ishte një pavion me dy dhoma të bashkuara. Ky ishte skematikisht Muzeu.

Pavioni i Parë,ai i Mësonjtores ishte më I rëndësishmi dhe më tërheqësi. Paraqiteshin në fillim përpjekjet që shpunë në Shkrimi i shkruar, që sollën hapjen e Mësonjtores dhe hyej në këndin e saj mësimor me një rrjesht bangosh të vjetra me një dërrasë të zezë druri dhe në çdo bangë kishte nga dy pllaka me nga një peronkoll sikundër mendohej se ishte bërë mësimi në ato kohë. Bangot ishin ekzistuese dhe duhet të jenë realizuar në fund të viteve ’60, kur ishte bërë për herë të parë shkolla-muze. Eksponatet origjinale nuk ishin të shumtë, e megjithatë projektuam vitrine për ekspozimin e tyre në çdo pavion, dhe me sipërfaqe të madhe, për të dhënë mundësi të shtimit të eksponateve në të ardhmen.

Për të pasur disa pika tërheqëse vendosëm, që edhe pse të kursyera të kishim 3-4 vende më të dukshëm, që të tërhiqnin vëmendjen e vizitorit. I pari dhe më i domosdoshmi ishte ai që u quajt me shaka “momenti kryesor”, në të cilin duhej si kusht të vendosej fotografia e madhe e Enver Hoxhës. Nuk donim të ishte thjesht fotografia e tij, sepse kështu bëhej në çdo lloj ekspozite, por ne donim të kishte një specifikë të lidhur me gjuhën shqipe dhe u mendua të krijohej një lloj instalacioni i fotografisë me elementë të tjerë qeramike ose guri, që të simbolizonin se si u arrit nga përpjekjet për karaktere të hershme të huazuara nga shkrimet arabike e cirlike në karakteret latine. Kliti u mor gjatë me “momentin kryesor” deri sa u arrit në një nivel të pëlqyeshëm dhe paraprakisht u realizua në masën 1:1 në polisterol e më vonë u realizua në gur shtufi i mbajtur nga një konstruksion metalik. Mbi të varej me profile të lehta metalike fotografia e Enver Hoxhës me një nxënëse në një sfond pleksiglasi, që nuk bllokonte pamjen e perspektivës të zhvillimit të shkronjave. Për fat të keq kam parë që atë instalacion e kanë nxjerrë tashmë jashtë ndërtesës në një vend ku as lexohet dhe as kuptohet.

Përsëri në hyrje, në të majtë, realizuam një faqe muri me gurë çmërçI dhe shtufi, ku ishin gdhendur shenjat e para të gjetura në tumat ilire, për të treguar që përpjekjet e shqiptarëve autoktonë për të shkruar kishin qënë që në antikitet. E më pas vazhdohej me Mesharin e Buzukut e me rradhë. Kur pata hyrë më 2004 në hyrjen e Muzeut, pa patur dëshirë të shikoja lart, pashë se holli i hyrjes kishte mbetur i pandryshuar. Kuptohet që kishte nevojë për rifreskim dhe ndoshta edhe për rikonceptim të përgjithshëm që mund të ndryshonte gjithshka dhe edhe unë po të isha ngarkuar për të, pas 20 vitesh do synoja për një Muze të konceptuar totalisht ndryshe. Muzeu nuk kishte sipërfaqe për të qënë “Muze i Arsimit Kombëtar”, por duhej të përqëndrohej vetëm në përpjekjet për gjuhën dhe arsimin shqip deri në formimin e Shtetit Shqiptar. Për arsimin shqiptar mund të ngrihej një muze i madh gjetkë, ose të ishte i shpërndarë në muze Universitetesh, e në çdo mënyrë që mund të konceptohej i copëzuar në shtëpi muze.

Për tu kthyer në “historia” e vitit 1986-87, në muajt janar dhe shkurt puna “ndërtimore” u itensifikua se jo vetëm punimet restaururuese nuk ishin mbyllur, por duheshin bërë rashinimet e dyshemeve, lyerjet e gjithë siperfaqeve të drunjta me vaj lini dhe mureve me bojë, për të mundur të nisnim montimin e stenda-vitrinave dhe gjithë fotografive të mëdha dhe veprave të artit , që ishin menduar. Ato muaj u realizua edhe ABC-ja e njohur, e cila për fat ishte jashtë dhe nuk ndikonte në punimet e interiereve.

Kam shkruar që idea ime në fillim kishte qënë, që në një piedestal të ulët, si ai ku u vendosën gërmat, të ngriheshin shtatoret e bronxta të tre mësuesve të parë. E shihja të domosdoshme, jo vetëm për të nderuar emrin e tyre, por edhe për të dhënë një atmosferë të ditës së parë, se si i kishin pritur të parët fëmijë korçarë. Muri I avllisë tashmë ishte prishur dhe kishim vendosur të rrethohej me rrethimin me gurë e kangjella, që del nga natyra e restaurimit, por krijonte një pamje më të mirë të objektit dhe në kompleks futej edhe oborri me pusin, si dhe grupi skulptural. Kliti në rrethimin me kangjella donte të kishte statueta metalike mbi kollonetat metalike, ide e krijuar bashkë me skulptorin Ladi Kaçaku, por mua më dukej e panevojshme dhe që dilte nga natyra e ndërtimeve të Korçës dhe ai u tërhoq. Idea për tre mësuesit e parë u kundërshtua çuditërisht nga Avni Bilbili, i cili vinte në takimet ku diskutoheshin idetë e para, bashkë me Cikopanin dhe Kico Melon. “Mos bëjmë këtu Oborrin e vjeljes së taksave” tha Avniu, duke ju referuar një kompleksi të madh skulpturor kinez dhe ne nuk këmbëngulëm. Më vonë, kur mendoja se pse Avniu, që ishte pro skulpturave edhe si artist, por edhe si punë e shpërblyer për skulptorët korçarë e kundërshtoi me forcë. Spjegim tjetër nuk gjeja veç, një gjë që nuk na thuhej nga funksionarët, që për miratimin e shtatoreve në mjedise publike duhej miratimi i Komitetit Qëndror të Partisë.

Atëhere diskutuam se ç’mund të vinim në hyrje që të simbolizonte përpjekjet e para për gjuhën shqipe dhe rëndësinë e gjuhës së shkruar. Kliti hodhi një ide fillestare, e cila ishte shumë larg të sotmes dhe më pas përgatitëm skicat finale të kompleksit që u realizua. Kliti e ndoqi me shumë përkushtim realizimin e pendës dhe bazamentit, se për gërmat dhe kallamarin ishte më e lehtë të bëheshin nga Taqi Veriga dhe grupi i gurgdhëndësve të komunales, që kishin shumë përvojë. Për pendën patëm kërkuar si karpentier Pavllo Papën, me të cilin kisha bashkëpunuar në Lapidari i Cifligut dhe ja njihja aftësitë prej karpentieri artist. Nuk di se në ç’objekt ishte i angazhuar Pavlloja dhe i vëllai i tij Ligori, që nga Ndërmarja e Ndërtimit na u dha një karpentier tjetër, po që ishte vërtet karpentier i mirë. Grupi skulpturor doli shumë mirë, veç një gabimi që bëmë, se gërmat nuk i fiksuam në bazament dhe shpesh herë, nëpër vite, shihja që i kishin lëvizur edhe pse ishin shumë të rënda. Problemi tjetër i oborrit , që nuk e zgjidhëm dot, ishte ai i shtrimit me pllaka betoni, se nuk gjendeshin dot plloça guri, të cilat ishin karakteristike të oborreve të Korçës dhe që e konsideronim të domosdoshme. Nuk kishte më kavë për atë lloj guri ndaj u bë zgjidhja me pllakat e prodhuara nga Komunalja, të cilat i kam patur peng sa herë i shihja.

(vijon)

No comments:

Post a Comment