Wednesday, 28 February 2018

A do e lenë të flasë Izet Haxhinë?

Emrin e Izet Haxhisë e kam dëgjuar për herë të parë në mars të vitit 1997. Isha në Tiranë një darkë dhe ndërsa flisnim për shkrehjen e shtetit në pak ditë dhe kaosin e krijuar, një nga të pranishmit, që kishte qënë më parë në kryesinë e PD-së tha: Dy njerëzit më të poshtër dhe të të gjithë të këqijave në PD janë Azem Hajdari dhe Izeti, shoqëruesi i Saliut. E pyeta se ç’ishte shoqëruesi i tij dhe ai mu përgjigj, që kishte qënë student në mjekësi. Nuk u zgjatëm më rreth bëmave të tyre se rreth Azemit kisha dëgjuar boll dhe nuk ishte ai, që përbënte shqetësim atë ditë. Problem ishin Saliu dhe Gazidedja, për të cilin, çuditërisht, disa nga të pranishmit, që e njihnin nga afër, folën mirë.
Ishte një koh[, kur lajmet i ndiqnim edhe “të detyruar”, sepse puna ishte ndërprerë dhe nuk mund të rrije kafeneve kur ngrysej. Izet Haxhia, duket një figurë jo shumë e rëndësishme për tu bërë publike, nuk u pa ndonjëherë në skenë. Prapa kuintave, si është dëshmuar vite më vonë prej tij dhe të tjerëve, ai ka qënë një nga bashkëpuntorët e ngushtë të Berishës, gjatrë gjithë viteve 1996, 1997 dhe deri më 1998.
Ngjarjet e vitit 1998 i humba plotësisht, se isha i përqëndruar në hallet e mija, në vitin e parë të vendosjes në Kanada. Rreth Izetit përsëri nuk dija gjë, deri sa vite më vonë, u bëra kureshtar për të lexuar rreth vrasjes së Hajdarit dhe gjithë vrasjeve në Tropojë. Pashë një botë cubash, pabesije, krimesh nga më të shëmtuarat, vrasje në pritë dhe me telekomandë, vjedhje arkash kursimi. Ishte ku e ku më keq se Far West. Një botë pa rregulla, pa moral, ku në doje të ndiheshe i pasur dhe i fortë duhej të vrisje të tjerët dhe të vidhje.
Izeti, edhe pse në Tiranë, i përkiste asaj bote klanesh që shtriheshin nga malësia e Gjakovës, në Prishtinë, Zvicër, Gjermani, por në rangje më të ulta. Tirana nuk e kishte nën kontroll këtë botë, sidomos, që pas largimit të Berishës nga pushteti. “Klani” i Fakultetit të Shkencave me Gjinushin dhe Fatos Klosin, e patën përdorur pak, një pjesë të Tropojës për të goditur mundësisht edhe Nanon edhe Berishën, por ishte një botë kriminale, që nuk mund të vihej në zap. Për më tepër ishte e lidhur me dy grupet ushtarake, që luftonin edhe kundër njëri tjetrit në Kosovë- UCK-në dhe FARK-un. Grupi që do hynte i pari në Prishtinë dhe në qendrat e mëdha të banimit të Kosovës, do quhej “çlirimtarët” dhe do korrte frutet e pushtetit. Si e tregoi koha, “frytet” do ishin jo pak të bollshme, se do përfshinin ndihmat e huaja, paratë e trafiqeve të drogës dhe të mishit të bardhë dhe plot para të tjera të buxhetit të një shteti.
Izet Haxhia di shumë rreth tyre. I përzjerë me shumë klane në tre pikat shqiptare të Tiranës, Tropojës dhe Prishtinës, si dhe në zonat ballkanike ku jetojnë shqiptarë të veriut dhe kosovarë, që nuk e kanë për gjë të flasin rreth parave, vrasjeve dhe trafiqeve, Izeti ka një “portofol” të mirë me informacion, që mund t’ju “djegë“ shumë politikanëve-banditë në Shqipëri dhe Kosovë dhe jo vetëm atyre të lidhur me Sali Berishën.
Izetit mund “t’i mbyllet goja” si ju mbyllet atyre që kanë punuar me Mafian, ose mund t’i ofrohet një dënim i lehtë në Shqipëri, me garancinë për mos u ekstraduar në Greqi, ku është dënuar në mungesë për vrasje.
Një status “të penduari” për të deponuar rreth gjithshkaje , që di, do nxjerrë shumë djaj nga shishja, të cilët, nuk ka sistem drejtësije në Shqipërid he Kosovë t’i përballojë.

Për “raison d’etat”, Izeti duhet të humbasë “gjuhën”, qoftë i gjallë apo i vdekur!

No comments:

Post a Comment