Korça i ka dhënë Kombit (kuptohet edhe kryeqytetit) një
numur të madh mendjesh të vlera, që po t’i zesh e t’i numurosh, ndoshta janë po
aq sa i kanë dhënë gjithë qytetet e tjera sëbashku. Ndoshta, nga që një pjesë e
mirë e tyre, kanë qënë të shkencave të sakta, të mençurit nga Korça, që kanë
shkëlqyer në fushat e tyre, kanë qënë të përmbajtur, deri diku edhe skeptikë
edhe për ato, që njihnin mirë. Mund të përmend këtu Fundot e hershëm të
matematikës, Kuneshkat, vëllezërit Pilika, dhe të mëvonshmit Mishel Fundo,
Petraq Kolevica, Aleko Minga, Fejzi Kolaneci dhe deri tek Grigor Joti.
Brezi i VIP-ave korçarë të tranzicionit, duket që ka një
ndryshim cilësor nga brezat e mëparshëm. Më duket se pa frikë mund ta përgjithësoj
si brezi i VIP-ave të sigurt dhe optimistë. Nuk di nëse kjo rrjedh nga formimi i
tyre kryesisht në periudhën e tranzicionit, nga kontakti me një sasi shumë të
madhe dijesh, apo me euforinë që sjell liria. Nëse ne do ishim një vend normal
europian, tre shembujt ,që do paraqes më poshtë i përkasin gjeneratës X, sepse
janë lindur në vitet e pas “baby boomers”, por “thyerja” e normalitetit për
shkak të diktaturës, më bën të mos jem i sigurt në përkatësinë e tyre breznore.
Interesante është se të tre kanë studiuar në fakultete të
inxhinierisë, janë marrë me politikë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Më pak i njohur është inxhinieri markshajdër Alfred Cako, që
njihet gjithashtu si botues, përkthyes, astrolog dhe publiçist. Cako ka qënë
edhe për një ose më shumë legjislatura, deputet i të Djathtes.
Cakon mund ta quajmë pa frikë, dijetar në fushën më të thellë
të dijeve, që përfshin lëmet e parapsikologjisë, astrofizikës jotradicionale,
astrologjisë, teorive komplotiste në histori dhe politikë, teorive komplotiste
në marëdhëniet ndërhyjore etj.
Njohuritë e thella i kanë dhënë një siguri dhe optimizëm për
të hyrë në debate edhe për nocione bazë të shkencave, historisë dhe politikës.
Pa mëdyshje, Alfred Cako është në gjendje të debatojë me këdo dhe të argumentojë
se : “toka është e sheshtë“; “hëna është
një satelit artificial i tokës, i hedhur nga alienët në kohën e Përmbytjes së
Madhe”; “jaudinjtë (çifutët) po komplotojnë me aziatikët e tjerë për t’i dhënë
fund sundimit mijëvjeçar të racës së bardhë“; “dielli është shumë herë më i vogël
se sa thuhet në libra”; “bankierët e Tokës ju dërgojnë arin e Tokës, alienëve në
hënë“ dhe të tjera të këtij rangu.
Të njëjtin fakultet, atë të Gjeologji – Minierave, ka
mbaruar gazetari, historiani, autori, analisti dhe specialisti i teorive
komplotiste në histori dhe politikë, Kastriot Myftaraj.
I specializuar kryesisht në historinë e organizatave të
fshehta, shërbimeve shtetërore sekrete, në gjenealogji dhe interpretim të qartë
të ngjarjeve të turbullta, Myftaraj është sulmuar fizikisht nga shumë njerëz, të
cilëve ju ka nxjerrë “të palarat”. Duhet thënë se Myftaraj i ka fituar edhe të
gjitha gjyqet, në të cilat e kanë hedhur “të dëmtuarit për prishje imazhi, ose
për shpifje”.
Në pohimet e sigurta të Myftarajt, një vend të madh zenë
masonët, “Protokolli i Zionit”, Xhorxh Soros, KGB-ja dhe UDB-ja, si dhe gjithë
shërbimet e fshehta dhe organizatat e fshehta, që kanë ekzistuar ose jo.
Ndër deklaratat më optimiste dhe dritëhedhëse kanë qënë : “Erion Veliaj është djali ilegal i
ish-Presidentit Iranian Ahmanedinixhad”; “Vuçiç i ka dhënë Ramës një video ku
tregohet Basha në një marëdhënie seksuale me një zyrtar hollandez, gjë që solli
edhe marëveshjen e 18 majit”; “ Kristaq Rama është djali ilegal i Ahmet Zogut”;
“Sorosi po gërmon gjithë rregjistrat e Mesjetës në Shqipëri, për të gjetur
pasardhësit e familjeve çifutë, që t’i vendosë në udhëheqje të vendit”.
Por siguria dhe optimizmi i dy të parëve,
nuk ka të krahasuar me euforinë këmbëngulëse të politikanit, biznesmenit dhe
autorit Niko Peleshi. I diplomuar për inxhinieri elektronike dhe njohës i thellë
i teknologjive të avancuara, Peleshi ka dëshmuar vullnet të hekurt në studimet
rreth bizneseve dhe rolit të tyre në gjeopolitikë, rilindjes urbane të
qyteteteve dhe konceptimit të vendbanimeve në të ardhmen dhe më së fundi, në
rolin e Ministrit të Bujqësisë, është edhe ideatori i teorisë
nacionalisto-kulinare “Ne jemi ajo që hamë
- të hamë prodhime shqiptare për të qënë shqiptarë të vërtetë“.
Në kontributet më të mëdha të tij në fushën e mendimit bashkëkohor
mund të përmendim: “Elitat e reja që do
sundojnë botën, do jenë ato që nuk do flasin politikisht korrekt”; “Nuk ka pse
të bëjmë koalicion me krerët e partive, kur mund të bëjmë drejtpërsëdrejti me
rritësit e dhive”;”Kur ju kalon shock of the news, njerëzit bëhen më të
kulturuar”; “ Të dëmtojmë blegtorinë
e vendeve fqinjë, duke ju blerë sa më shumë bagëti të therrura”; “Rilindja
rurale është e njëjtë me Rilindjen urbane, veçse përdoret më pak beton”.
Ndaj edhe ne korçarët, jo vetëm që duhet të krenohemi me përfaqësuesit
më të shquar të Gjeneratës X, por edhe duhet të na përfshijë sadopak optimizmi
dhe siguria e tyre.
Vetëm në këtë mënyrë mund të luftojmë nihilizmin,
pesimizmin, cinizmin, “kondrallëkun” dhe gjithë cilësitë e tjera, që nuk na lenë
të ecim përpara me shpejtësinë e VIP-ave tanë.