
Në vitet ’60, një hamall
trupvogël, të cilin gjithë Korça e njihte me emrin Tataç, kur bëhej ndonjë gjyq
për “vjedhje të pasurisë socialiste” (nen që parashikonte dënime shumë të
rënda) thoshte me zë të ngjirur dhe shtruar: “E po këta kujtuan se socializmi
është një mal me pilaf dhe o burra të rrëmbejmë nga një lugë e t’i biem ta
hamë”. Tataçi i gjorë duhet të ketë 40 vjet që ka vdekur dhe socializmi po bën
20. Shqipëria, pilafi dhe lugët kanë mbetur.
Në raportet e ndërkombëtarëve
për korrupsionin, Shqipëria ka bërë hapa prapa këtë vit. Nuk kam ndërmend të ve
në dyshim sondazhet e organizmave të specializuar, as edhe të përforcoj me
bindje që korrupsioni vërtet gjatë vitit 2009 u shtua. Këtë e them, se ky djall
me këtë emër gërryes, ka kohë që është shtruar këmbëkryq në jetën shqiptare.
Dua të merrem me një deklaratë të kryeministrit Berisha, lidhur me rolin që ka
luajtur korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, në sondazhet e kryera me shtetasit
shqiptarë gjatë vitit 2009, për nivelin e korrupsionit në vend. Pak a shumë, në
një konferencë për shtyp, kryeministri tha se zbritja e shkallëve të Shqipërisë
vjen nga bllokimi i lejeve të ndërtimit prej Ramës, por pas disa muajsh ky
problem do zgjidhet me daljen e ligjit të ri për planifikimin e territorit.
Që Berisha gënjen, ky nuk
është ndonjë zbulim. Të qenit demagog, është veçoria kryesore e tij si
politikan. Megjithatë, i mësuar me gënjeshtra politikanësh (që për fat të keq
nuk ndodhin vetëm në Shqipëri), i hodha një sy ligjit, që do fillojë të
zbatohet në shtator të vitit 2010 dhe që do na ngjisë të paktën 20-30 shkallë
në tabelën botërore të “pastërtisë“!
Me keqardhje konstatova
të kundërtën.
Ligji i ri e shton mundësinë
e rritjes së korrupsionit, përveç se krijon edhe probleme të tjera për
urbanistikën dhe territoret e Shqipërisë.
Le të ndalemi në dy tre pika
kryesore, se ligji është rreth 70 faqe dhe nuk mundet në një shkrim të tillë të
preken të gjitha problemet që krijon zbatimi i tij.
Është i njohur botërisht
fakti që centralizmi e shton korrupsionin. Sali Berisha, në vend të përzihet sa
më pak në çështjet e territoreve dhe ndërtimeve në to, dhe të suprimojë
Këshillin e Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, me ligjin e ri i ndryshon
vetëm emrin (quhet Këshilli Kombëtar i Territorit) dhe shton edhe një
institucion të ri pranë Këshillit të Ministrave, që do quhet Agjencia Kombëtare
e Planifikimit të Territorit.
Ku qëndron e keqja?
Në radhë të parë nuk është
normale për një parti të djathtë të bëjë atë që në perëndim quhet zmadhim i
qeverisë dhe rritja e rolit të saj. Megjithatë le të lemë mënjanë parimet bazë
të politikës, se tek ne janë disi kokëposhtë dhe le të kthehemi në ndërtimet
dhe korrupsioni.
Agjencia Kombëtare e
Planifikimit të Territorit do marrë atributet e ish-Komisionit të Planit të
Shtetit për çështjet e zhvillimit kombëtar. Në krye të saj, me siguri që
Berisha do vendosë ndonjë kallashshpërndarës nga ata të ’97-ës dhe do bëjë si i
thotë mendja dhe qejfi me territoret e Shqipërisë. Pak a shumë, dollibashi
Berisha do jetë në krye të një sofre të madhe me miq dhe do fillojë të
shpërndajë pjesë nga mali
me pilaf dhe thelat e majme, sipas devotshmërisë të pjesëmarrësve në sofër. Ky
quhet korrupsion sade (në gjuhën e kuzhinës turke).
Në ligjin e ri hiqen KRRT-të
e njësive vendore dhe tani pushtetarët vendorë do zbatojnë Planet Rregulluese
dhe Rregulloret e miratuara nga AKPT dhe KKT.
Kur lexoja këtë ligj të ri,
mendja më shkonte se si ishte pajtuar Rama me këtë largim të dhunshëm nga sofra
e malit me pilaf. Pa ditur shumë hollësi rreth diskutimit dhe miratimit të
këtij ligji në prill të këtij viti, them se në euforinë pragzgjedhore, edhe Edi
Ramën e dehu ëndrra për tu bërë dollibash.
Përgjigja është më shumë JO
se sa PO .
Shqipëria nuk është më në
kohën kur toka dhe thuajse çdo gjë tjetër ishte pronë shtetërore. Gjithashtu ne
nuk jemi jashtë një monitorimi nga ndërkombëtarët. Edhe pushteti juridik nuk
është plotësisht i varur nga ekzekutivi. Megjithatë, kjo përpjekje për të
kontrolluar çdo gjë të shpie kudo, vetëm në një demokraci të zhvilluar jo.
Korrupsioni do vazhdojë në të njëjtat nivele dhe rrezikon të shtohet. Drejt
sofrës të dollibashit Berisha do shtyhen për tu afruar shumë investitorë.
Sigurisht, jashtë saj do mbeten ish-pronarët dhe ata që s’kanë lidhje me
pushtetin. Hamejtë (tani më ngjan se quhen mbartës) si puna e Tataçit do
vazhdojnë të qeshin hidhur me ata, të cilëve Shqipëria ju duket si një mal me
pilaf.
No comments:
Post a Comment