Tuesday, 30 January 2018

Kryeministrat “kokëfortë“ shqiptarë


Dy shtetet shqiptare kanë sot dy kryeminstra, që në shtetet europiane do ishin dorëhequr menjëherë (për arsye të ndryshme nga njëri tjetri).
Ramush Haradinaj duhej të mjaftohej me refuzimin e vizës nga SHBA, aleatja më e madhe e Kosovës dhe “krijuesja dhe garantuesja” e shtetit të Kosovës, që të dorëhiqej pa një e dy.
Edi Rama duhet të ishte vetëlarguar, posa plasi skandali i krahut të tij të djathtë, Saimir Tahirit, për përfshirje në një rrjet të favorizimit dhe trafikimit të drogës.
Por nuk ndodh kështu dhe kjo nuk është as e para herë dhe as e vetmja. “Kokëfortësi shqiptare” kanë dëshmuar më parë Berisha e Thaçi.
Por, duke parë thellë shoqërinë shqiptare, mendoj se mosdorëheqja e kryeministrave shqiptarë, nuk ka aq shumë të bëjë me personalitetin  e të sipërpërmendurve dhe as më “kryeneçësinë“ tonë legjendare.
Politikanët të cilët japin lehtë dorëheqje nuk janë të shumtë edhe në botë. Zaten vendosmëria për të qënë në pushtet është cilësi nga kryesoret e një politikani të karrierës. Pjesa më e madhe e atyre, që dorëhiqen, detyrohen ta bëjnë këtë. Detyrohen nga Partia e tyre, nga grupe ekonomike të fuqishme, nga grupe ushtarake, ose edhe nga udhëheqësit fetarë.
Cdo shoqëri, demokratike apo më pak demokratike, ka një “stof” të sajin, i cili përbëhet nga forca me fuqi ekonomike, politike, gjyqësore apo me autoritet moral.
Tek ne ky “stof” u prish në 50 vite Diktaturë dhe askush nuk ka bërë përpjekje për ta rithurrur.
Mund të arrijnë edhe më keq se deri më sot skandalet e Ramës (ky i Tahirit duket se po harrohet) dhe brenda Partisë së tij, nuk ka asnjë grupim të vogël, që të bëjë përpjekje t’i thotë “Dorëhiqu , të paktën për disa kohë“.
Opozita nuk ka numurat e nevojshme për ta rrëzuar dhe nuk po bën përpjekje  të sugjerojë ndonjë lëshim në këmbim të dorëheqjes së Ramës.
Presidenti me njërën këmbë në LSI nuk ka autoritetin e të paanshmit, që të shprehet publikisht largimin e Ramës për hir të Shqipërisë.
Grupimet ekonomike mendojnë vetëm për çastin, pa parë se në planet afatgjata të ekonomisë së vendit, largimi i kreut të qeverisë pas disa skandalesh vetëm forcon Demokracinë.
Sa për autoritete të tjera morale me peshë, as nuk mund të bëhet fjalë në Shqipëri dhe Kosovë.
Kokëfortësia e kryeministrave shqiptarë, do i mbajë edhe këtë vit pezull ekonominë dhe problemet e tjera kryesore të Kombit.
Ka pak gjasa, që BE të miratojë hapjen e negociatave brenda vitit, me këtë gjendje konfliktuale politike, skandalet dhe korrupsionin e lartë në vend.
Në vend numuro do mbetet edhe ]ështja e Kosovës, sidomos pas përpjekjeve të koalicionit qeveritar për të anulluar ligjin për Gjykatën Speciale.
Eshtë i domosdoshëm largimi sa më shpejt i Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt nga postet e tyre.

Po a është i mundshëm?

No comments:

Post a Comment