(vijim)
Ndërkohë, që universitetet në Francë dhe Itali pushtoheshin
nga studentët, studentët tanë as mund të shkonin ndërmend të protestonin.
Kishte mes tyre një lloj euforie, se e sotmja dhe e ardhmja i përkiste rinisë.
Bota e vjetër, konservatore, fetare, me bestytni, patriarkale po shkallmohej përfundimisht
dhe çdo gjë tashmë i përkiste shkencës dhe rinisë universitare. Fletë-rrufetë
shikoheshin si një formë e pastër e lirisë së shprehjes dhe e thellimit të
demokracisë. Të rinjtë, ashtu si ishin mashtruar për të sjellë në fuqi bandën e
Hoxhës në fund të Luftës së Dytë, u mashtruan edhe këtë rradhë nga parrulla: “Sejcili,
me gërma të mëdha, të shkruajë atë, që mendon për…” Gënjeshtra ndihmohej edhe
nga gjendja në vend. Diktatura e
fundviteve ’60 ishte e ngjashme me Diktaturën “liberale” të viteve pas
Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Edhe pse në radio ndiqej më shumë muzika italiane, kishte
edhe të apasionuar pas muzikës angleze dhe asaj amerikane. Por deri më kaq.
Studentët, që ktheheshin në verë nga Tirana nuk dukeshin të ndryshëm nga të
rinjtë e tjerë të qytetit. Veshjet, që
binin më shumë në sy, përsëri mbeteshin ato të “pakove nga Amerika”.
Disi më ndryshe visheshin sportistët më të shquar, që kishin
mundësi të dilnin jashtë shtetit me ekipet kombëtare. Atë vit, Teodor Vasoja
dhe Koço Dinella ishin gjithnjë në formacionin e parë të ekipit kombëtar. Ende
e thërrisnin edhe Nandi Qiricin në ekipin kombëtar të basketbollit, por
veprimtaritë e basketbollit ishin më të pakta.
Pranverën e atij viti, u fol edhe për një pjesëmarrje të
mundshme të Marieta Pronjarit në Lojrat Olimpike të Meksikos, por nuk ndodhi.
Marieta, që konkuronte me “Studentin” ishte krenaria e më e madhe e sportit
shqiptar dhe për Korçën ishte dyfish krenari. Edhe traineri i saj Taqo Duka
ishte korçar.
Padyshim, që për ne fëmijët, sportistët e sipërpërmendur dhe
shokët më të mirë të tyre, ishin modeli, që donin t’ju ngjasonim. Artistët e
qytetit ishin më pak të suksesshëm në skenën kombëtare. Këngëtarët më të dëgjuar
ishin Guri Napoloni dhe Afërdita Tringofski, komiku më i mirë në Estradë ishte
Stavri Shkurti dhe aktori më në zë, Dhimitër Orgocka, që luante rolet kryesore
pozitive në teatër. Në kulturë dhe art sytë ishin të drejtuar nga Tirana, ku
mbizotëronin emrat e Vaçe Zelës, Skënder Sallakut, Naim Frashërit, Zoica
Haxhos, Rikard Ljarjes, Roza Anagnostit, Margarita Xhepës.
Aktorët e huaj i njihnim vetëm nëpërmjet filmave, që
shfaqeshin në kinema, sepse në Korçë nuk kishte ende sinjale televizive
shqiptare apo të huaja. Aktorin më të madh Italian dinim se ishte Raf Valone,
pasi ai luante rolet e herojve në filmat sentimentalë, që kishte blerë
Kinostudioja, që në vitet ’50, ndërsa mes femrave më e pëlqyera ishte Antonela
Lualdit.
Rreth kinematografisë amerikane të viteve ’60 nuk dinim
thuajse asgjë. Ndonjë emër artisti e kishim dëgjuar nga prindërit, por edhe ata
ishin kryesisht aktorë të viteve ’40. Në më të mëdhenjtë e Hollivudit, për ne
ishte Stiv Rivs, emrin e të cilit e theshim të bashkuar “është një film me
stiverives”, që ishte bërë i famshëm me “Trimëritë e Herkulit”, një nga filmat
e huaj të shfaqur më gjatë për dekada në Shqipëri dhe që ndiqej shumë edhe më
1968.
Ishte një vit, që ndjeheshim të lumtur, sepse ishim të vegjël,
por edhe se të gjithë na theshin se duhet të ishim të tillë. Ngjitur me ne ishte
një vend monarko-fashist, rreth të cilit nuk dinim asgjë, në Pragë kishin hyrë
tanket sovjetike dhe kishin arrestuar udhëheqësit e Pranverës së Pragës, në
Jugosllavi sundonte revizionisti Tito, në Itali qeveritë binin çdo 4-5 muaj dhe
studentëtë pushtonin universitetet, në Francë studentëtë donin të rrëzoning De
Golin, në Spanjë ishte Diktatura fashiste e Frankos, në Amerikë kishin vrarë
Robert Kenedin dhe të rinjtë protestonin kundër luftës absurde në Vietnam.
Ishte e lehtë të bëje propagandaë për pushtetin e popullit.
E ku mund të jetohej më mirë se në Shqipëri në vitin 1968?
C’punë prishte se Pilo Peristeri ishte kandidat i Byrosë
Politike dhe Shefqet Peçi ministër pa portofol?
No comments:
Post a Comment