“Helmeta” është një
nga tregimet e para të Andon Marës. Ishte 23 vjeç. Shqipeja e tij ishte ende e
palëvruar mirë, sepse kishte vetëm 8 vjet, që jetonte në Shqipëri dhe që fliste
rregullisht shqip. Në vitet e para të pushtimit italian kishte mundur të mësonte
edhe më mirë shqip në Lice. Ndjehet në tregim një prirje për të ravijëzuar
narracionin në trajta kinematografike, gjë, që do shfaqet më vonë edhe në
tregime të tjera. Ndoshta ka qënë ndikimi i orëve të gjata në kinematë e
Stambollit duke ndjekur filma pa zë. Babaj, gjatë gjithë jetës mbeti një njohës
shumë i mirë i kinematografisë botërore. Me përjashtime shumë të pakta, filmat
shqiptarë i quante infantilë dhe të dobët. Nuk e kisha parë kurrë të dilte i kënaqur
nga salla e kinemasë, pasi kishte ndjekur një film shqiptar.
“…Mbetën helmetat e çpendosura. Po
ato ishin gjithnjë më këmbë. Ngjyra e tyre u ndërrua. Nga e gjelbër u bë e hirtë.
Në të dy anët e tyre u ngjit nga një kryq me krahë të thyera.
Tymi i zi, nëpër të me flakë, u ngrit edhe njëherë në qiell,
më i dendur se më parë. Trikëmbëshi nuk luante nga vendi ditë e natë. Pas murit
mbështeteshin njerëz të çdo moshe, gra dhe burra. Një krismë i shtrinte ata në
një pellg gjaku.
Në qiellin e kaltër po valavitej tashi një flamur i madh, një
flamur i mëndafshtë, që lëshonte hijen e tij mbi gjithë vendin.
Këtë po shikoja tani. Flamurin, helmetat e shpuara, po…dhe
një vend të gjerë me gërmadha, me gurë dhe hi. Helmetat mbi gërmadhat ishin të
përzjera me njëra-tjetrën.
Shenjat e vdekjes ishin të forta aty. Një njeri dritëshkurtër
nuk do të shikonte dot më tej. Ay do të thoshte se vdekja ishte shtruar aty dhe
s’kish ndër mendtë tundej nga vendi.
Pa s’qe ashtu.
Në mes të këtyre helmetave dhe gërmadhave unë pashë teten. Ajo
u ul, mori një helmetë, e mbushi me dhe nga gërmadhat dhe u nis . U largua dalëngadalë dhe prapa saj, dalëngadalë,
të tëra u zhdukën, nuk mbeti shenjë nga gurët dhe hiri i mëparshëm…”
No comments:
Post a Comment