Saturday, 20 January 2018

Requiem per Robinin

Tani e kanë zbritur. Dhe unë dëgjoj një meshë të Moxartit, të porositur nga kushedi se cili kont apo baron. Bini i urrente të pasurit jo për pasuritë, që kishin, por për hipokrizinë dhe vanitetin e tyre. Por ndoshta pa ta nuk do kishte as mesha dhe as rekuieme të fuqishme, që të shpien në botën e përtejme dhe të bëjnë të mos ndjehesh i humbur.
Bashkë me të kanë zbritur edhe dhjetra libra klasikësh të lexuar në original, një pafundësi me histori të Europës të treguara për njerëz normalë dhe histori njerëzish të thjeshtë, që tregonin për madhështinë e tyre.
E madhërishmja p[r t[ ishte tek e vërteta, edhe tek e vërteta qesharake, ndoshta më pak tek ajo tragjike. Të vërtetat tragjike të të tjerëve e bënin t’i vlonte gjaku dhe të ngrihej për të bërë diçka. Deri sa përplasej për të disatën herë me të fuqishmit, që nuk i thyente dot, por dhe nuk arrinin ta thyenin,
I ngjiste një kalorësi të Tryezës së Rrumbullakët, ose kështu më dukej mua se ishte me trup atleti, i mençur, i drejtë dhe mbante një emër anglez- Robin.
Deri në të tridhjetat e tij mund të ngrihej dhe të “përleshej” për çdo të dobët, të cilit i bëheshin padrejtësi. Një kalorës, që zhgënjehej çdo ditë e më shumë nga njerzit edhe pse e njihte mirë historinë e kësaj bote.
Pranë tij ndjeheshe i mbrojtur nga Mirësia, por edhe pse e dije, që po të të prekte kush do e kishe në krah deri në fund. Edhe pse do e pësonte apo do linte në rrëmujë punët e tij, që e prisnin.,
Tani ka zbritur, kushedi pse. Ndoshta duke ndjekur një thirrje për ndihmë nga e përtejmja botë. Duke i lënë vetëm tre njerëzit më të dashur. Duke na lënë vetëm edhe të gjithë ne të tjerëve, që na deshte dhe mendonim se do na mbronte gjithmonë.
Vetëm kjo padrejtësi nuk e ka indinjuar, por e ka bërë të prehet, mbase i lodhur nga poshtërsitë, arrogancadhe mjerimi i kësaj bote.
A mund t’i jenë kthyer në lule ato miliona të qeshura të tij?

I mori edhe ato me vete apo i la mes nesh?

No comments:

Post a Comment