Monday, 1 January 2018

Flisni për njerëzit e mirë!

“Ka plot të tillë!” i thashë një mëngjes të ftohtë dimri, një zezaku postier, të cilit po i mbaja derën hapur në ndërtesën 25 Watline në Mississauga.
“Ka plot, por është vështirë t’i gjesh.” mu përgjigj me urtësi postieri, që dueht të ishte rreth dhjetë vjet më i madh se unë.
Nuk di nëse në botë ka më shumë njerëz të mirë se të këqinj, se jo vetëm që për këtë nuk ka statistika, por se dhe nuk ka njerëz në “gjendje të kulluar të mirë“, si dhe nuk ka të tillë në “gjendje pastërtisht të keqe”. Shumica dërmuese kanë të mirat e të këqijat e tyre
Por gjithashtu ka një “rezultante dominuese”, që i ve plot njerëz në anën negative apo atë pozitive të spektrit.
Kam vite, që kam filluar të besoj diçka rreth “energjisë shpirtërore”, të ndarë në “pozitive” dhe “negative”. Edhe pse e paidentifikuar në laboratore, që mund të bëjnë të sigurt ekzistencën e saj, duket që njerëz të caktuar “emetojnë“ një energji të tillë dhe në praninë e tyre ndjehesh gjithmonë më mirë. (Ndoshta jo të gjithë ndjehen më mirë dhe mbase shumë “mërziten” kur ndjejnë “energjinë pozitive”)
Ne shpenzojmë shumë kohë duke diskutuar rreth njerëzve jo të mirë. Shumë më tepër kohë se ata vlejnë, duke “injektuar” pa dashje edhe “porcione energjije negative” brenda vetes.
Kjo ndodh mbase se shumë prej tyre janë “të rëndësishëm” dhe me veprimet e tyre ndikojnë në jetën tonë. Shumë herë, ato, që ata bëjnë kanë një efekt shumë të madh në jetën e individëve dhe komuniteteve. Duke folur dhe shkruar për ta, qoftë edhe negativisht, i bëjmë, sidomos faqe fëmijëve më të rëndësishëm se ç’janë në të vërtetë. Pa dashur i bëjmë më të pranishëm se sa janë dhe ju rritim famën dhe ju zgjatim jetën në pushtet, apo në veprimtari të tjera të tyre.
Flasim pak, shumë pak për të mirët!
Në më të shumtën e rasteve, kur largohen nga kjo jetë.
Por nuk mund të besosh tek e mira, po nuk u frymëzove prej saj. Dhe e Mira nuk është  thjesht një kategori filozofiko-morale. Eshtë tek njerëzit, që na rrethojnë. Më me shumicë tek ata më të mirët. Ndaj duhet folur rreth tyre. Edhe kur nuk janë “të suksesshëm”. Zaten varet se si e përkufizojmë “suksesin” në këtë kohën tonë të vështirë.
Gjithashtu, vitet  na kanë mësuar, që të mirët nuk janë “të rënë nga qielli”. Ka dhe tek ta plot të meta, gabime, ndonjë ves, sepse ata , të cilët nuk kanë të tilla, janë “jashtëtokësorë“.
Ne jemi lindur prej njerëzish dhe lindim të tillë.
Por më të mirët duhet t’i tregojmë me gisht, të flasim për ta, t’ju heqim kapelen kur kalojnë pranë, të mundohemi t’ju ngjasim.
Për hir të fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve.

Për të mos lënë botën të sundohet nga Lakmia dhe Ligësia!

No comments:

Post a Comment